Politike

“Krimi me influencë politike”/ Bushati e pranon publikisht: Modeli ynë dështoi, Kryesia e PS ia besoi Shkodrën Valdrin Pjetrit

Ditmir Bushati ka kërkuar publikisht ndjesë për këtë dështim, ndonëse nuk pranon akuzën e Edi Ramës se Valdrin Pjetri ishte propozim i tij.
Featured image of article: “Krimi me influencë politike”/ Bushati e pranon publikisht: Modeli ynë dështoi, Kryesia e PS ia besoi Shkodrën Valdrin Pjetrit Ditmir Bushati

TIRANË-Është fakt që ne gabuam në Shkodër. Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me kandidatin që ne ofruam në zgjedhjet e 30 qershorit por mendoj se në Shkodër ka dështuar modeli ynë”. Ditmir Bushati ka kërkuar publikisht ndjesë për këtë dështim, ndonëse nuk pranon akuzën e Edi Ramës se Valdrin Pjetri ishte propozim i tij. Në një intervistë ekskluzive për A2CNN, ai thotë se një ndjesë i zyrtare i takon ta bëjë edhe Partia Socialiste.

“E para, e di gjithë Shkodra që kandidati nuk ishte propozim i strukturave socialiste të Shkodrës. E vërteta është e thjeshtë: struktura e PS në Shkodër propozoi 3 emra ndërkohë që Kryesia e PS ja dha besimin Valdrin Pjetrit”, u shpreh Bushati.

Ish-ministri i Jashtëm ka qenë i deleguari i Kryesisë socialiste për Qarkun e Shkodrës. Për herë të parë ai flet mbi problemin e lidhjeve që ekzistojnë mes krimit dhe politikës. “Një qytet i cili i ka rezistuar komunizmit, i ka rezistuar pushimeve të ndryshme, e ka mposhtur frikën qoftë përmes pentagramit apo humorit të hollë, sot nuk i nënshtrohet dot krimit, influencës së krimit. Qoftë edhe kur kjo influencë mund të vijë përmes politikës. Në rast se nuk adresojmë rrënjët e këtij fenomeni bëjmë gabim të merremi me kandidatin. Ne duhet të adresojmë rrënjët e këtij fenomeni. Duhet t’i bëjmë pyetjen vetes pse në tryezat tona u kthyen njerëz të cilët, partnerët tanë strategjikë, SHBA, i konsiderojnë si të papërshtatshëm. Çdo gjë tjetër është pasojë e këtij fenomeni”.

Bushati duket se i ka përgjigjet mbi fejesën e krimit me politikën, por preferon të shtrojë pyetje. “Pse zona të caktuara të Shqipërisë janë vatër të përleshjeve të grupeve të ndryshme me prapavijë kriminale? Kjo është çështje që kërkon një vullnet mbipartiak. Nëse dikush mendon se ky është një fenomen që ka prekur Partinë Socialiste, Partinë Demokratike në disa raste, apo LSI në disa raste të tjera, mendoj se gabon kur e konsideron këtë një fenomen partiak”, tha ai.

Marrë nga A2 News

Shto Koment