Aktualitet

“Brenda verës rihapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës”, si gënjeu Balluku me deklaratën në fillim të majit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, më 8 maj njoftoi se pas pezullimit, gara ndërkombëtare për aeroportin e Vlorës do hapej brenda verës. “Faktoje” verifikoi këtë deklaratë, por rezulton se pas ndërprerjes së tenderit për dhënien me koncesion të ndërtimit të aeroportit, nuk ka asnjë shenjë për rihapjen e garës.
Featured image of article: “Brenda verës rihapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës”, si gënjeu Balluku me deklaratën në fillim të majit Projekti i aeroportit të Vlorës

TIRANË- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi të punime në Aeroportin e Kukësit më 8 maj, njoftoi se gara ndërkombëtare për aeroportin e Vlorës do rihapej brenda verës së këtij viti. Brenda verës do rinisë gara dhe brenda 2020-s nisin edhe punimet – u shpreh Balluku.

Aeroporti i Vlorës, ishte njoftuar se do fillonte së ndërtuari në vitin 2018, premtim i cili deri më tani ka mbetur vetëm në letër. Herën e fundit, gara për ndërtimin e aeroportit të Vlorës u hap më 19 dhjetor të vitit të shkuar. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha në atë kohë se procesit i ishte dhënë një vëmendje e veçantë. Sipas saj grupet e punës kanë pasur parasysh që të mos bëhen gabimet që janë bërë me kontratën e Aeroportit të Rinasit.

Ne kemi dizejnuar një tender ndërkombëtar për një aeroport ndërkombëtar që garanton barazi. Ne planifikojmë që për herë të parë Shqipëria të kthehet në pikë aksesi për vendet transoqeanike si Kadada, SHBA kudo që distancat janë të mbulueshme duke krijuar akses të diasporës shqiptare.  Ndërtimi dhe operimi për një periudhë 35 vjeçare. termat dhe kushtet pas fazës së negocimit do të garantojnë që Vlora International Airport (VIA) do të jetë një aeroport që do të ketë impakt direkt në ekonomi” tha Balluku. Kompanitë do të duhet të paraqesin ofertat brenda datës 12 mars 2020– u shpreh Balluku më 19 dhjetor.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Më 6 prill 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pezulloi tenderin ndërkombëtar për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe operimit të aeroportit të Vlorës. Pezullimi i procedurës erdhi pas vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik për ndalimin dhe pezullimin e çdo procedure që nuk kishte në fokus blerjet e emergjencës për shkak të pandemisë së Covid-19.

Edhe pse ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte njoftuar se gara ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do rihapej brenda verës, deri më tani, nga ky institucion nuk ka asnjë njoftim. Në faqen zyrtare të Ministries së Infrastrukturës dhe Energjisë, në seksionin publikimeve, nuk ka ndonjë njoftim për rishpallje gare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Po ashtu, në faqen tjetër zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, deri më 1 shtator nuk kishte njoftim lidhur me rihapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

(Marrë nga Faktoje.al)

Shto Koment