Rajoni

Borrell nga takimi në Bruksel: Kosova dhe Serbia do të përballen me të gjitha çështjet e hapura

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka paralajmëruar se sot (7 shtator) në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.
Featured image of article: Borrell nga takimi në Bruksel: Kosova dhe Serbia do të përballen me të gjitha çështjet e hapura Josep Borrell

BRUKSEL-Borrell tashmë është duke zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet bilaterale do të pasohen me një takim të përbashkët.

“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrell.

Borrell po ashtu tha se “është e natyrshme që qëndrimet të jenë të ndryshme, por se ata kanë ardhur këtu për të gjetur gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura”.
Sipas tij, në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zotuan se do t’i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Ndërmjetësues të marrëveshjes për normalizim ekonomik ishin këshilltari për Siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i presidentit Trump për dialgoun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Mattheë Palmer.

Këto takime, në të cilat kanë marrë pjesë dy diplomatë të lartë nga BE-ja dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, konsiderohen si dëshmi për një angazhim më të madh të SHBA-së në dialogun e Brukselit, por edhe si mbështetje për rolin udhëheqës të BE-së, si lehtësuese e dialogut në aspektin politik dhe në kërkim të marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Marrë nga REL

 

Shto Koment