Sociale

Bilanci: Qeveria realizoi 57% të fondit të programuar për rindërtimin në vitin 2020

Zbatimi i planit të financimit hasi vështirësi për shkak të parapërgatitjeve në terren me gjetjen e tokave dhe planifikimin urban që shtyu procedurat e tenderimeve dhe investime në terren.
Featured image of article: Bilanci: Qeveria realizoi 57% të fondit të programuar për rindërtimin në vitin 2020 Foto ilustruese

Deri më 31 dhjetor të vitit 2020 qeveria angazhoi vetëm 57 për qind të fondit të programuar për rindërtimin e pasojave shkatërruese që la tërmeti i madh i 26 nëntorit 2019.

Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave u shpenzuan 16,6 miliardë lekë (134.9 mln euro) nga fondi i programuar prej 29 miliardë lekësh (235 mln euro). Shpenzimet në këtë zë u përshpejtuan dy muajt të fundit të vitit, pasi deri në tetor sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte zbatuar vetëm 8% e programit.

Nga të dhënat shihet se nga totali, 7,1 miliardë lekë janë investuar nga pushteti qendror, dhe 9,4 miliardë janë investuar nga pushteti lokal.

Zbatimi i planit të financimit hasi vështirësi për shkak të parapërgatitjeve në terren me gjetjen e tokave dhe planifikimin urban që shtyu procedurat e tenderimeve dhe investime në terren.

Sipas rregullit fiskal që qeveria ka vënë për rindërtimin, pjesa e fondeve që nuk janë shpenzuar nga plani i vitit 2020 rreh 12 miliardë ose më shumë se 100 milionë euro transferohen për përdorim në vitin 2021.

Këtë vit totali i fondit buxhetor për rindërtimin arrin në 40 miliardë lekë, nga të cilat 28 miliardë lekë janë të programuara në buxhetin e vitit 2021 dhe 12 miliardë lekë janë tepricat e vitit 2020. Por sërish realizimi i gjithë planifikimit për 2021 mund të mos realizohet, për shkak se ndikon në rregullin fiskal (rritja e deficitit përtej parashikimeve).

Sipas planit zyrtar të qeverisë për Rindërtimin totali i nevojave për rimëkëmben pas tërmetit kërkon financimin e një shume prej 123 miliardë lekësh, rreth 1 miliardë euro. Kjo shumë planifikohet të financohet deri në vitin 2025 me 300 milionë euro, ose 30% të totalit, nga fondet buxhetore të qeverisë shqiptare, dhe pjesa tjetër prej 700 milionë eurosh nga donatorët dhe OJF-te të ndryshme, që janë angazhuar në këtë proces.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Vlerësimet zbulojnë se efekti i përgjithshëm i katastrofës në 11 bashki arriti në 985.1 milion euro (121.21 miliardë lekë), nga të cilat 843.9 milionë euro përfaqëson vlerën e aseteve të shkatërruara fizike dhe 141.2 milionë euro humbje indirekte.

Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e strehimit (78.5%), e ndjekur nga sektori Prodhues (8.4%) dhe sektori i Edukimit (7.5%).

Shumica e objekteve të dëmtuara rreth 76.5% kishin pronësi private dhe 23.5% publike. Sektorët e Strehimit dhe Prodhimit janë kryesisht infrastrukturë private, ndërsa sektorët e tjerë të mbetur kryesisht janë pronë publike.

Në lidhje me shpërndarjen gjeografike të dëmeve dhe humbjeve, bashkia e Durrësit ishte më e prekura me 303.8 milion euro ose 32.4% të dëmit dhe humbjeve totale, e ndjekur nga Tirana me 284.3 milion euro ose 30% e totalit, dhe së treti Kruja me 84.2 milion euro (1.04 miliardë lekë) ose 9%.

Shumica e efekteve totale të tërmetit raportohen në Durrës (31.5%) dhe në Tiranë (30.8%) dhe në një masë shumë më të vogël në Krujë (8.75%), Kavajë (7.0%), Shijak (6.6%) dhe Vorë (5.1%). Pesë komunat e tjera përbëjnë 10% të mbetjeve të efekteve.

Shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, në një intervistë për “Monitor tha se FMN mirëpret angazhimin nga Kontrolli i Lartë për të kryer dhe për të botuar auditime, si për rindërtimin ashtu edhe për shpenzimet e lidhura me pandeminë në vitin 2021, në mënyrë që të ketë transparencë maksimale për procesin.

Marrë nga Monitor.al

Shto Koment