
TIRANË– Besart Kadia, i njohur si një nga ‘njerëzit’ e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, që sot u emërua zv.ministër në Ministrinë e Ekonomisë, ka qenë shkarkuar nga selia blu që në datën 5 nëntor të vitit të kaluar.
Përmes një dokumenti të publikuar nga Partia Demokratike, shihet se më datë 5 nëntor të vitit 2019, Kadia është shkarkuar nga funksioni i anëtarit të Këshillit Kombëtar të PDSH. Shkak për këtë shkarkim, sipas PD-së, është bërë fakti se selia blu ka marrë vesh që Kadia ishte nismëtar i krijimit të lëvizjes politike “Alternativa”. Kjo lëvizje, sipas PD-së financohet sipas informacioneve të verifikuara prej tyre, nga burime të dyshimta financiare të klientëve preferencial të Qeverisë
“Z. Besart Kadia, është shkarkuar nga funksioni i anëtarit të Këshillit Kombëtar të PDSH, që më datë 5 Nëntor 2019, për shkak se ishte nismëtar i krijimit të lëvizjes politike “Alternativa”, e financuar sipas informacioneve të verifikuara nga burime të dyshimta financiare të klientëve preferencial të Qeverisë. Që nga ajo datë z. Kadia nuk ka asnjë funksion në PD dhe nuk mund të ketë as në të ardhmen. Atij i është hequr e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në strukturat e Partisë Demokratike, për shkelje të parimeve bazë të funksionimit të PDSH, të sanksionuar në nenin 9 të Statutit të PDSH-së,”- shkruhet në reagimin e PD-së.
Besart Kadia sot u emërua zv/ministër ekonomie. I pyetur në lidhje me PD-në, Kadia tha se i uron suksese Bashës, por që ka dëshirë të kontribuojë në Shqipëri.
(f.m/dosja.al)