Editorial

Për entuziastët e “kompetencave” të Këshillit Politik

Kështu që shpresoj nga kjo reformë, PD të fitojë Rudinën, dhe vjedhjen e votave të partive aleate, se reformën e ka pasur në ofertë prej vitit 2018.
Featured image of article: Për entuziastët e “kompetencave” të Këshillit Politik

Tryeza e Reformës Zgjedhore, që sot u pasua me disa figurantë politikë të opozitës, është tryeza me më pak siklete në reformën zgjedhore, që është bërë ndonjëherë në Shqipëri.

Prej vitit 1992, kur prishëm ligjin më të mirë zgjedhor, atë me 100 zona elektorale në konkurrim direkt dhe me korrektim propocional kombëtar, të gjitha reformat kanë pasur përballë sfida të ndryshimeve të forta, që kanë pas të bëjnë kryesisht me sistemin, apo me numërimin e votave.

Kjo tryezë pasi ka përjashtuar ndryshimin e mundshëm të sistemit, ka si sfidë kryesor rekomandimin e OSBE-ODIHR për depolitizimin e trupës zgjedhore, d.m.th të komisionerëve dhe numëruesve.

Sipas rekomandimeve, ata duhet të jenë qytetarë të zgjedhur me short nga profesione me integritet, si mësues apo juristë. Kjo lehtëson partitë e vogla nga shpenzimet, dhe ua shpëton atyre votat që ua vjedhin dy partitë e mëdha.

Po të bëhej këtu dhe numërimi në qendër votimi sapo mbarojnë zgjedhjet, ne në orën 20:00 të mbrëmjes do kishim rezultatin kombëtar.

Rekomandimet e tjera janë tërësisht teknike dhe pa ndonjë peshë. Nëse Partia Demokratike nuk pranon as depolitizimin e komisionerëve dhe numëruesve, atëhere mund të themi pa frikë që kjo tryezë zgjedhore nuk ka ndonjë rolë në procesin zgjedhor, por vlen vetëm si nismë politike që të justifikonte rikthimin e PD në sistem.

Nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse shërbeu dhe për kaq. Problemi është se kur shumë propagandistë të opozitës po bërtasin me të madhe që Këshilli Politik (d.m.th kjo tryeza Gjiknuri- Hajdari- Bylykbashi, dhe një çam, një grek dhe një “republikan”), ka marrë kompetencat e Parlamentit për reformën, duhet të jenë të qartë se ka marrë kompetenca që PD i ka pasur pa ikur nga Parlamenti, e vetme.

Atëhere qeveria i ka ofruar PD-së një letër të bardhë, ku mund ta shkruante si të donte Reformën Zgjedhore. Madje dhe me të drejtë vetoje.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Tani kompetencat e këtij Këshilli për reformën do të vlenin sikur të kishte ndonjë rezistencë nga Partia Socialiste për kërkesat e Partisë Demokratike brenda rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Socialistët jo që nuk kanë ndonjë rezistencë, por janë gati t’ia lënë përsëri letrën e bardhë mbi tavolinë PD-së.

Beteja reale është brenda opozitës lidhur me sistemin dhe depolitizimin e komisioneve. Nëse nuk bëhet asgjë nga këto, kjo tryezë vlen vetëm që Edi Rama të ndihmojë Lulzim Bashën të heqë qafe aleatët e tij, duke ua vjedhur votat në numërim, dhe duke i detyruar t’i rreshtojë si vagona pas partisë së tij, të mbledhin vota.

Mos depolitizimi i komisioneve i heq shansin çdo partie të re të hyjë në skenën politike, derisa votat do t’i numërojnë militantët e PD e PS, pa llogaritur LSI.

Ndaj më me qetësi kur bëni sikur jeni entuziasmuar që Këshilli Politik po “deligjitimon” Parlamentin. Ky Këshill Politik nuk ka asnjë kompetencë mbi Parlamentin, përveçse për Reformën Zgjedhore.

Por këtë kompetencë e ka pasur para djegies së mandatit vetëm PD, pasi ja kishte ofruar qeveria. Tani thjesht ua ka ridhënë, por me Rudinën brenda. Kështu që shpresoj nga kjo reformë, PD të fitojë Rudinën, dhe vjedhjen e votave të partive aleate, se reformën e ka pasur në ofertë prej vitit 2018.

Marrë nga Gazeta Tema

Shto Koment