Politike

Basha pranon dorëheqjen e Bogdanit, ja kë emëron në vend të tij

Në detyrën e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Partisë Demokratike, Kryetari Basha ka emëruar Arben Kashahun
Featured image of article: Basha pranon dorëheqjen e Bogdanit, ja kë emëron në vend të tij Arben Kashaku, Sekretari i ri i PD për Marrëdhëniet me Jashtë

TIRANË- Kreu i PD, Lulzim Basha, ka pranuar dorëheqjen e Gert Bogdanit nga detyra e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Duke vlerësuar angazhimin e Bogdanit për të forcuar lidhjet e Partisë Demokratike me partitë simotra, me PPE dhe me organizatat rinore të qendrës së djathtë europiane, zoti Basha thekson se kontributi i Bogdanit do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në sfidat që Partia Demokratike ka përpara për Shqipërinë si Europa.

Në detyrën e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Partisë Demokratike, Kryetari Basha ka emëruar Arben Kashahun. Sipas PD ai është si drejtues i suksesshëm i ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian.

Kashahu është në profesion jurist dhe pas përvojës 5 vjeçare si drejtues i lartë në Ministrinë e Integrimit, ka punuar në disa organizata dhe shoqëri ndërkombëtare.

KUSH ËSHTË ARBEN KASHAHU?

Arben Kashahu është jurist me një eksperiencë të gjerë e të suksesshme. Në karrierën e tij profesionale ka mbajtur funksione të rëndësishme drejtuese. Disa nga këto pozicione janë: Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Europian (2005 – 2010), Partner menaxhues i firmës ligjore Prizm (2010 – 2017, 2018 – aktualisht), Drejtor i Departamentit ligjor pranë PëC në Shqipëri dhe Kosovë (2017 – 2018), Këshilltar ligjor e strategjik i shumë  organizateve dhe shoqërive ndërkombëtare (2010 – aktualisht). 

Arben Kashahu është angazhuar hershëm në forumet dhe strukturat e Partisë Demokratike. Ai ka qenë pjesë e ekipeve që kanë dhënë asistencë ligjore dhe kontribuar për formulimin e politikave të PD. Kashahu ka një përvojë të cmuar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai ka drejtuar suksesshëm ekipin negocues të qeverisë Shqiptare të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Një përpjekje të vecantë Kashahu i ka kushtuar forcimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet dhe shtetet anëtare të BE. Eksperienca e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare përfshin edhe bashkëpunimin dhe këshillimin për organizata ndërkombëtare publike dhe private. Arbeni është një autor dhe bashkë-autor i disa botimeve profesionale. Arbeni ka lektuar në disa universitete në Shqipëri dhe ka qenë folës në shumë aktivitete ndërkombëtare.

Gerti Bogdani pas 12 vitesh në detyrën që mbante në PD, sot ka dhënë dorëheqjen. Në një reagim në Facebook, Bogdani ka falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe ka thënë se tashmë është koha për sfida të reja. Bogdani mbante postin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në PD.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment