Politike

Basha paralajmëron kryeministrin: Fati i Ramës, më i keq se i Ramiz Alisë

Basha, akuzoi edhe njëherë kryeministrin Rama se po kërkon të mbajë zgjedhje farsë pa opozitën, njësoj si votimet në diktaturë.

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi edhe njëherë kryeministrin Rama se po kërkon të mbajë zgjedhje farsë pa opozitën, njësoj si votimet në diktaturë.

Lideri demokrat paralajmëroi se fati i Edi Ramës do të jetë më i keq se ai i Ramiz Alisë.

Edi Rama po përpiqet të bëjë edhe gjënë e fundit që bën çdo autokrat për ta mbajtur pushtetin: zgjedhje farsë. Por ky do të jetë fundi i tij. Jo shumë kohë më pare Shqipëria jetonte nën diktaturën kriminale të Enver Hoxhës. Edhe atëhere kishte votime.

Njerëzit shkonin në qendrat e votimit, merrnin një fletë votimi, në të cilën kishte vetëm një emër dhe hidhnin fletën në kuti, pa asnjë fshehtësi. Ndërkohë,kudo buçiste propaganda shtetërore se vota ishte plumb për armikun, se armiku nuk donte që populli të votonte për partinë.

Votimet farsë, nën frikë dhe terror, ishin një nga elementët kryesorë të diktaturës. Edhe kur diktatura po rrënohej, nën falimentimin ekonomik dhe peshën e krimeve të veta, Ramiz Alia u përpoq ta shpëtonte me zgjedhje farsë.

Kur komunzimi ra kudo në lindje, kur pluralizmi dhe liria triumfuan mbi robërinë, Ramiz Alia deshi t’u shiste shqiptarëve të etur për liri, pluralizëm fallso.

U përpoq të bënte në shkurt 1991 zgjedhje gjoja pluraliste me organizatat e rinisë dhe të grave komuniste, por dështoi, sepse njerëzit nuk u mashtruan, sepse shqiptarët donin lirinë e vërtetë. Tre dekada më vonë. Jemi kthyer në të njëjtën situate.

Shqipëria është sot e rrënuar ekonomikisht.

Krimet shtetërore janë bërë të padurueshme.

Demokracia ka rënë.

Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak. Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi. Njësoj si atëherë, vota është shpallur plumb kundër armiqve të regjimit.

Njësoj si atëherë, regjimi mundohet të shtypë pakënaqësinë e njerëzve. Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist.As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë. Ramiz Alia i anulloi zgjedhjet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë zgjedhjeve pluraliste. Edi Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet e tij njëpartiake”, theksoi Basha.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka ftuar qytetarët që të bojkotojnë zgjedhejet e 30 qershorit. Sipas tij, zgjedhjet janë farsë. Basha nuk la pa pëmendur as padinë ndaj gazetarit gjerman, Peter Tiede.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment