Politike

Basha i pandehur për lobimin rus, Partia Demokratike: 90% e gënjeshtrës e tërhoqi Prokuroria e Ramës, pjesa tjetër rrëzohet në Gjykatë

Në një reagim zyrtar, PD-ja shkruan se ky reagim tregon mjaft qartë se akuza për pastrim parash ishte e stisur nga Edi Rama, për të sulmuar politikisht kundërshtarin e tij.
Featured image of article: Basha i pandehur për lobimin rus, Partia Demokratike: 90% e gënjeshtrës e tërhoqi Prokuroria e Ramës, pjesa tjetër rrëzohet në Gjykatë
Përditësuar:

TIRANË– Partia Demokratike ka reaguar pasi Prokuroria e Tiranës ka rrëzuar akuzën për “pastrim parash” ndaj Lulzim Bashës duke lënë vetëm atë të “Falsifikimit te vulave, stampave apo formularëve”. Në një reagim zyrtar, PD-ja shkruan se ky reagim tregon mjaft qartë se akuza për pastrim parash ishte e stisur nga Edi Rama, për të sulmuar politikisht kundërshtarin e tij.

Ndër të tjera, në reagim thuhet se Partia Demokratike ka deklaruar që ditën e parë se sipas saj, kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar. PD-ja shton se ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer.

Në fund të njoftimit theksohet se drejtësia nuk heton krimet dhe korrupsionin qeveritar pasi sipas PD-së kontrollohet nga Edi Rama dhe mbyll sytë përpara lidhjeve të krimit, duke kujtuar kështu kallëzim penal të ngritur nga opozita, në lidhje me financimin e Edi Ramës, që sipas selisë blu është i paligjshëm. Por pavarësisht kësaj, nuk ka nisur asnjë hetim.

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat Basha u shpreh se 90% të gënjeshtrës e rrëzoi vetë Prokuroria ndërsa pjesa tjetër do të rrëzohet në Gjykatë.

“90% e gënjeshtrës e rrëzoi vetë Prokuroria e Ramës, ndërsa pjesa tjetër do të rrëzohet në Gjykatë,”- tha Basha. I pyetur nëse ka lidhje me rusët, kryedemokrati tha se lidhje me rusët ka vetëm ‘vëllai i Putin’, duke nënkuptuar kështu emrin e kryeministrit Edi Rama.

DEKLARATA E PLOTË

Sot prokuroria vendosi pushimin e akuzës qesharake që e stisën dhe e përdorën për të goditur kundërshtarin politik sipas një strategjie të miratuar nga zyra e Edi Ramës. Pasi u keqpërdorën duke akuzuar zyrtarët e Partisë Demokratike për pastrim parash dhe përdorim të parave ruse, prokuroria sot u detyrua të pranojë se këto akuzave të stisura nuk qëndrojnë.

E vërteta është se ishte Partia Demokratike që i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të financave dhe shpenzimeve të saj, e bindur se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin. Partia Demokratike ka deklaruar që ditën e parë se kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Partia Demokratike vlerëson faktin që pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështje të hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq. Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentet e plota, në seanca gjyqësore të hapura dhe transparente, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer.

Ndërkohë që partnerët strategjikë bëjnë thirrje për reforma që forcojnë pavarësinë e institucioneve, drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama, nuk heton krimet dhe korrupsionin qeveritar, mbyll sytë përpara lidhjeve të krimit me politikën, dhe sajon akuza kundër kundërshtarit politik të Edi Ramës.

Sot u vërtetua se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të Partisë Demokratike. Ajo ishte një sajesë e Edi Ramës, për të fshehur një tjetër hetim që po zhvillohej në SHBA.

Në të vërtetë, në SHBA ka patur vetëm një hetim që lidhet me Shqipërinë dhe që ka përfunduar me dënimin e të paktën 2 personave, mbi financimin e paligjshëm të Edi Ramës.

Edhe pse faktet janë bërë publike, edhe pse është depozituar kallëzim penal nga opozita, edhe pse dosja e drejtësisë amerikane është e plotë, edhe pse avokatët e personave të dënuar deklaruan që kanë vepruar për llogari të Edi Ramës, prokuroria shqiptare nuk ka kryer asnjë veprim. Prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, as ka nisur hetime dhe as ka marrë të pandehur Edi Ramën për financim të paligjshëm, edhe pse ky fakt është provuar tashmë nga drejtësia.

Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishaj janë marrë të pandehur nga Gjykata për lobimin në SHBA. Prokuroria ka rrëzuar një akuzë, dhe tashmë për tre funksionarët e PD rëndon vetëm akuza për ‘falsifikim dokumentave’. Ristani ka reaguar dhe ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur dashakqësi. Ndërkohë ka ardhur një reagim dhe nga Taulant Balla, i cili shprehet i pakënaqur me Prokurorinë. Basha, Ristani e Devishaj rrezikojnë deri në 7 vite burgim.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment