Politike

Basha bën mea culpa para medias: Zotohem se do i jap fund çdo praktike që dobëson dhe korrupton mediat (VD)

Ai bëri dhe një zotim solemn për anulimin e paketës anti-shpifje dhe media të ketë një kuadër vetrregullues e të jetë e lirë dhe e pavarur.

TIRANË- Kreu i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha ka bërë një mea culpa për të gjitha gabimet e bëra nga për në këto 30 vite. Ai bëri dhe një zotim solemn për anulimin e paketës anti-shpifje dhe media të ketë një kuadër vetrregullues e të jetë e lirë dhe e pavarur.

Dua të them tre gjëra qartë. E para, që kjo është çështje kulture,Kulture e audiencës, dhe interesi ynë kryesor është informimi i qytetarëve. Kulture, e aktorëve, kryesisht e aktorëve politikë dhe natyrisht e kulturës së medias. Prej kohësh është kërkuar një mea culpa dhe, kur mea culpa është bërë, nuk është dëgjuar.

Ta them fare qartë, mea culpa e Partisë Demokratike për gjithçka në këto 30 vite nuk është thjesht dhe vetëm një deklaratë e imja, si kryetar i Partisë Demokratike për gjithçka në këto 30 vite, edhe për ekseset e periudhës ’92-’97; edhe për pjesën tjetër të borxhit moral ndaj medias, ndonëse mendoj se në periudhën e qeverisjes së kaluar ia kemi dalë të vendosim standarde, ndoshta standarde jo ekzistuese siç ishin ato të mosçuarjes për shpifje të asnjë gazetari të vetëm në 8 vite të qeverisjes së Partisë Demokratike.

Por mea culpa më e fuqishme është ajo që ju kërkoni me të drejtë dhe unë jam sot këtu për të konfirmuar se jam sot i gatshëm ta bëj në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës së bashkuar, një zotim solemn, zyrtarisht publik: Së pari, për anulimin e këtij akti dhe çdo akti tjetër ekzistues apo potencialisht për sa kohë kjo qeveri është në pushtet, për sa kohë cenon standardet minimale, minimale europiane të së drejtës së fjalës dhe shprehjes së lirë.

Së dyti, kërkesën për të hartuar së bashku një kuadër rregullator, legjislativ dhe vetërregullues i cili do të hyjë në fuqi që në javët e para të një maxhorance të re të përbërë nga opozita e bashkuar sot.

Dhe së treti, zotimin tim personal, jam i bindur do të pasohet edhe nga zotimet e aleatëve, por ata flasin secili për veten e tyre, për t’i dhënë fund çdo praktike që ka për qëllim dobësimin apo degjenerimin, apo korruptimin e rolit të medias në transmetimin e mesazhit nga aktorët shoqërorë dhe politikë tek publiku; duke nisur me praktikën e kasetave, bllokimin e aksesit të gazetarëve dhe kamerave në çdo lloj aktiviteti apo atë që Koloreto e quajti “listë të zezë” për të cilin ju siguroj që nuk ekziston, por në rast se perceptimi ekziston atëherë është njësoj sikur ekziston dhe që është bazë për reflektim.

Këto tre përkushtime i marr sot zyrtarisht para jush, natyrisht për të parin kërkohen të hidhen hapa të mëtejshëm, të cilat në emër të opozitës së bashkuar konfirmoj se jemi të gatshëm t’i hedhim me të gjitha shoqatat, më të 25 shoqatat e medias dhe të gazetarëve që përfaqësojnë interesin e medias dhe interesin publik nga dita e mërkurë, që është dita kur është planifikuar kalimi i këtij ligji e tutje, apo edhe më përpara. Dhe për këtë mirëpres çdo formë konsultimi apo bashkëpunimi me ne, me ekspertët tanë në orët dhe ditët e ardhshme.”, u shpreh Basha.

Deklaratat janë bërë sot nga tryeza e organizuar nga opozita për të diskutuar për paketën anti-shpifje, e cila kundërhstohet prej tyre. Kjo pasi qeveria socialiste është investuar prej 2 vitesh në krijimin e një pakete të quajtur “Paketa Anti-shpifje”e cila do të kalojë në Kuvend në 19 dhjetor. Kjo paketë, e cila synon të vendosë rregulla në mediet online, është pritur negativisht nga gazetarët dhe organizatat që mbrojnë fjalën e lirë. Me këtë ligj, Shqipëria kthehet në vendin e vetëm në Evropë që gazetarët dhe mediat gjobiten me vendime administrative. Por përveç gjobave media online do të përballet dhe me mbyllje, ku parashikohet një gjë e tillë kur publikohet 5 “fake neës”, bllokohet për një vit.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment