Aktualitet

Barometri: krimi, korrupsioni dhe papunësia ulin sigurinë në Shqipëri

Perceptimi mbi përhapjen e korrupsionit në administratën shtetërore është i lartë, ku doganat vlerësoohen si më të korruptuarat dhe më pak të besuarat.
Featured image of article: Barometri: krimi, korrupsioni dhe papunësia ulin sigurinë në Shqipëri Foto ilustruese
Shqipëri- Qendra e Studimit të Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi sot Barometrin e Sigurisë në Shqipëri për vitin që lamë pas. Në këtë anketë kombëtare qytetarët pohuan se korrupsioni, krimi i organizuar dhe papunësia shihen prej tyre si tre kërcënimet kryesore ndaj sigurisë në Shqipëri, madje duke zbritur terrorizmin në vend të katërt.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar shihen nga 86% e qytetarëve si pengesat kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE” – thotë autori i studimit, Arjan Dyrmishi. Gjysma e qytetarëve mendojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk do të fitohet kurrë dhe pjesa më e madhe e këtyre skeptikëve janë qytetarët më të rinj në moshë.

Perceptimi mbi përhapjen e korrupsionit në administratën shtetërore është i lartë, ku doganat vlerësoohen si më të korruptuarat dhe më pak të besuarat.

Në institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjykatat perceptohen si më të korruptuarat, por besim shumë i lartë ekziston ndaj Prokurorisë Speciale dhe Gjykatave Speciale, sepse qytetarët mendojnë që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të fuqizohet pas formimit të plotë të tyre.

Qytetarët mendojnë se ndikimi politik mbi institucionet e sigurisë është shumë i lartë, ku Doganat janë institucioni më i ndikuar nga politika, të ndjekura nga Policia e Shtetit.

Po ashtu edhe institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjykatat, perceptohen si më të ndikuarat nga politika.

Qytetarët mendojnë se vetëm një pakicë e punonjësve në administratën shtetërore janë punësuar në bazë të meritave dhe aftësive të tyre.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pasiguria është më e madhe në zonat rurale, krahasuar me zonat urbane.

Pjesa më e madhe e qytetarëve nuk e mbështesin rritjen e numrit të policëve si një mënyrë për shtimin e sigurisë, dhe madje pohojnë se, megjithë praninë e policisë, qytetarët vet janë ruajtësit kryesorë të sigurisë së tyre.

Më shumë se gjysma e qytetarëve parashikuan që situata e sigurisë do të jetë e njëjtë ose më e keqe gjatë këtij viti.

Një shumicë e madhe e qytetarëve mendojnë se policia nuk i trajton të tërë qytetarët në mënyrë të barabartë.

Barometri i Sigurisë ka dhënë një vlerësim edhe proceset integruese në rajon dhe në Europë.

Më shumë sesa gjysma e qytetarëve mendojnë që marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit nuk janë përmirësuar vitin e fundit.

Ata vlerësojnë se NATO dhe BE janë mbështetës të sigurisë së Shqipërisë dhe mendojnë që siguria e saj do të përmirësohet ende me anëtarësimin në BE.

Marrë nga  VOA

Shto Koment