Sociale

Pas pandemisë banorët e Selitës i druhen ‘ruspave’ të bashkisë

Banorët e komunitetit rom dhe egjiptian ndjehen të pasigurt për fatin e shtëpive të tyre në proces legalizimi, pas prishjes së tregut të rrobave të përdorura në lagjen e Selitës.
Featured image of article: Pas pandemisë banorët e Selitës i druhen ‘ruspave’ të bashkisë Foto ilustruese

Në mes të prillit, kur në vend ende zbatoheshin masa të forta në kuadër të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri COVID–19 dhe banorët e kryeqytetit shumicën e kohës duhet ta kalonin të izoluar në shtëpitë e tyre, autoritetet shembën tregun e rrobave të përdorura në lagjen Selitë të Tiranës, në të cilin punonin banorë të komunitetit rom dhe egjiptian.

Një treg i ri është në proces ndërtimi nga bashkia, por banorët kanë më shumë se 1 muaj të papunë dhe pritja për t`u zhvendosur në hapësirën e re tregtare e ka rënduar gjendjen e tyre ekonomike dhe i ka hapur rrugë ankthit se pas prishjes së tregut shtëpitë e tyre do të pësojnë të njëjtin fat.

“Po ato thanë që do prishet tregu, e prishën tregun, filluan pastaj sollën atë INUK-un të prishte shtëpiat,” tregon Kastriot Zeneli, një banor i zonës. “Dale thashë unë! Kur të bjerë mbi trupin tim, atëherë do të rrëzosh shtëpinë,” kujtoi ai.

E pyetur nga BIRN Bashkia e Tiranës mohoi të kishte një projekt për t’i shpronësuar banorët e Selitës dhe shtoi se shpronësimi mund të realizohej vetëm në raste të projekteve me interes publik.

“Sqarojmë se procedurat e shpronësimit fillojnë në kuadër të miratimit të projekteve për interes publik , në rastin konkret pranë sektorit te shpronësimeve nuk është depozituar Projekt që ka lidhje me tregun e rrobave të përdorura në zonën e Selitës,” tha bashkia nëpërmjet një përgjigje me shkrim.

Gjatë dekadës së fundit komuniteti rom dhe egjiptian në Shqipëri ka qenë shpesh në shënjestrën e autoriteteve duke u bërë viktimë e zhvendosjeve të pavullnetshme nga banesat e tyre.

Një investigim i BIRN arriti të identifikonte 10 raste dëbimesh dhe shpërnguljesh të pavullnetshme masive të anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian, si dhe të grupeve të tjera të margjinalizuara nga viti 2005 deri në vitin 2019 në 4 qytete të vendit, përfshirë Pogradecin, Korçën, Elbasanin dhe Tiranën, me gati 390 familje të prekura.

Një nga zonat e përfshira nga dëbimet është lagja Selitë e Tiranës, ku në vitin 2014 u shembën shtëpitë e 130 familjeve për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Re të Tiranës. Zeneli, ka rreth 30 vite që jeton në këtë lagje dhe ngjashëm me shumë banorë të tjerë banesa e tij është në proces legalizimi.

Ai tregon se konfrontimi me inspektorët e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT, ndodhi për shkak se këta të fundit nuk kishin dijeni mbi statusin e shtëpisë së tij, nëse ajo ishte e legalizuar apo jo.

“Hyri e pa, uuu qenkan shtëpia këtu tha,” tregon Kastrioti. “Po i kemi në proces legalizimi i thashë, nuk i kemi shtëpiat pa legalizim. E mirë tha ai pastaj, bëni letrat tha, dhe silli ti lexoj,” kujtoi burri i komunitetit rom.

Edhe Zamira Sherifi, banore në të njëjtën lagje, ndjehet e shqetësuar dhe e pasigurt për banesën e saj pas shembjes së tregut të rrobave të përdorura.

“Na lajmëruan për vendin, na morën emrat për shtëpiat që do prishen,” tha ajo, ndërsa shtoi se banesat e tyre “janë me legalizime.”

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në zonën e Selitës, jetojnë rreth 82 familje të komunitetit rom dhe egjiptian të cilat burimin kryesor të të ardhurave të tyre kanë aktivitetin tregtar në tregun e rrobave të përdorura.

Prishja e tregut gjatë periudhës së pandemisë dhe mos pasja e një informacioni të saktë për rifillimin e aktivitetit në tregun e ri, ka rënduar gjendjen e tyre ekonomike dhe ka krijuar pasiguri për të ardhmen.

Nga ana tjetër, shumica e shtëpive në këtë lagje janë në proces legalizimi që nga vitet 2005 -2006, një proces që nuk është përmbyllur akoma.

“Nga virusi filluan tek shtëpiat, i bie që shkelmin na vënë,” thotë Zamira Sherifi. “Ja që nuk na dhanë një mbështetje tamam që të thojnë do dilni nga shtëpiat se do prishen ose do restaurojmë një shtëpi tamam,” u ankua ajo, ndërsa paralajmëroi se bashkia synon t’i hedhë në rrugë.

Prishja e tregut e ka rënduar situatën ekonomike edhe në familjen e Jani Rizvos, pasi ai dhe bashkëshortja e tij kanë ngelur të papunë dhe ndërkohë druhen se mund të mbeten dhe të pastrehë.

“Ky është shkatërrim për ne, do shkojmë në fazën e fundit, ku do shkojmë të mbytemi. Po u prish vendi këtu ku do mbështetemi, ku do strehohemi,” pyet ai.

Ola Tare, aktiviste për të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian dhe drejtuese e qendrës Treja, thotë se nuk ka ende një vendim zyrtar nga Bashkia e Tiranës për mënyrën se si do të trajtohen këto familje në lidhje me çështjen e strehimit, pasi shumica e tyre i kanë banesat në proces legalizimi.

Ajo shpjegoi se duke marrë parasysh situatën e vështire socio-ekonomike në të cilën jeton ky komunitet, aktivistët kane bërë përpjekje të vazhdueshme për nxitjen e bashkisë për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme.

“Aktualisht bashkë me familjet, jemi duke kërkuar shpronësimin e tyre duke marrë parasysh që aktet e vlerësimit të banesave nga ekspertët e fushës, [të cilët] shprehen se këto banesa i përmbushin kriteret për t’u legalizuar,” tha ajo.

Ka shumë rendësi që banorëve t’u ofrohen alternativa që sigurojnë qëndrueshmëri dhe janë afatgjata, [pasi] mungesa e strehimit do ta përkeqësonte me shume situatën për ketë kategori”, përfundoi Tare.

Marrë nga Reporter.al

Etiketa:

Shto Koment