Ekonomi

Bankat raportojnë lehtësim të standardeve të kreditimit për biznesin për herë të parë pas pesë tremujorësh

Standardet e lehtësuan sidomos për bizneset e vogla e të mesme, që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha.
Featured image of article: Bankat raportojnë lehtësim të standardeve të kreditimit për biznesin për herë të parë pas pesë tremujorësh Foto ilustruese

Bankat raportuan një lehtësim në standardet e kreditimit për bizneset, për herë të parë pas pesë tremujorësh në shtrëngim të vazhdueshëm.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti lehtësimi i standardeve u shfaq si për kreditë dhënë për financimin e investimeve, ashtu dhe ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Standardet e lehtësuan sidomos për bizneset e vogla e të mesme, që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha.

Lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset në tremujorin e dytë të vitit u arrit nga toleranca më e lartë kundrejt rrezikut, kryesisht në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm. Sipas opinionit të bankave, në kahun lehtësues të kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset ndikuan konkurrenca në sistemin bankar, si edhe kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilancet ebankave.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Tremujori i dytë i vitit ishte pozitiv jo vetëm në këndvështrimin e kërkesës, por edhe atë të ofertës. Sipas bankave. kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua dukshëm në rritje, për të gjitha segmentet dhe për të gjitha qëllimet e përdorimit.

Kërkesa më e lartë për kredi nga bizneset në tremujorin e dytë, sipas gjykimit të bankave u përcaktua nga shtimi i nevojave për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, financimin e investimeve, rifinancimin e borxheve ekzistuese dhe financimin për ristrukturimin e kompanive. Gjithashtu, kreditë nga bankat e tjera, niveli i përshtatshëm i normave të interesit, si edhe përmirësimi i besimit të bizneseve u raportuan si faktorë që sollën shtimin e kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e dytë.

Në projeksionet e tyre për tremujorin në vazhdim, bankat shprehen se standardet e kreditimit për bizneset priten të lehtësohen më tej. Bankat parashikojnë standarde më të lehtësuara kreditimi për tremujorin e tretë, si në kreditë e dhëna për qëllime investimi, ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Po ashtu, standardet e kreditimit priten të lehtësohen më tej edhe për kreditë ndaj bizneseve të vogla e të mesme, ndërkohë që në segmentin e biznesit të madh, ato vlerësohen të mbeten të pandryshuara.

Parashikimet janë pozitive edhe për kërkesën dhe bankat gjykojnë se në tremujorin e tretë kërkesa për kredi e bizneseve do jetë sërish e lartë, si nga bizneset e vogla e të mesme, ashtu edhe nga bizneset e mëdha. Rritja e kërkesës pritet të vijë sidomos nga kredia për financimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet./MONITOR

Shto Koment