Sport

Ballkani nuk ndalet, mposht edhe Arbërinë

Skuadra nga Suhareka e Ismet Munishit, “in extremis” ka siguruar fitoren 4-2, duke vazhduar të kryesojë renditjen në kampionatin elitar kosovar
Featured image of article: Ballkani nuk ndalet, mposht edhe Arbërinë
Përditësuar:

KOSOVE – Kosova i kthehet futbollit kombëtar. Sot u luajt ndeshja e parë e javës së 6-të të Superligës. Në stadiumin “Agron Rama” të Obiliqit, Ballkani ka arritur një fitore mjaft të vështirë, por tepër të vlefshme ndaj ndaj debutuesve të Arbërisë. Skuadra nga Suhareka e Ismet Munishit, “in extremis” ka siguruar fitoren 4-2, duke vazhduar të kryesojë renditjen në kampionatin elitar kosovar.

Ishin vendasit e Arbërisë në fillim, që shënuan me gol në minutën e 45-të, me Sunaj Hasan, duke mbyllur fraksionin e parë në avantazh. Në të dytën, Ballkani i Suharekës hidhet në sulm dhe gjen barazimin me “ish-kuksianin” Mirlind Daku (56’). Por, Arbëria nuk ndalet dhe kalon në epërsi me Almir Kryeziun (68’).

Këtu nis histori tjetër. Armend Thaçi (72’) barazon shifrat në 2-2 dhe Arbëria “dorëzohet”. Ish-futbollisti i Kukësit, Mirlind Daku (84’) gjen golin e dytë me ndihmën e një penalltie shumë të kontestuar nga Arbëria, e cila në minutat shtesë pëson edhe golin e katër nga Ermal Krasiqi (90’+5).

Kështu ndeshja e parë e javës së 6-të të Superligës së Kosovës, Arbëria-Ballkani përfundoi 2-4. Me dopiedën e realizuar ndaj Arbërisë, talenti i Shpresave të Kosovës e çoi në 12 shifrën e golave të shënuar deri më tani, duke vënë kandidaturën për “Këpucën e Artë”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Me këtë fitore, Ballkani kryeson renditjen e Superligës së Kosovës, me 16 pikë (5 fitore dhe 1 barazim). Në vendin e dytë janë kampionia në fuqi, skuadra e Dritës, e cila ka vetëm 9 pikë, por që ka zhvilluar deri tani vetëm tri ndeshje.

Të shtunën, në kuadër të javës së 6-të të Superligës së Kosovës, do të luhen ndeshjet Prishtina-Besa dhe Llapi-Drenica, ndërsa të dielën Gjilani-Drita dhe Trepça’89-Feronikeli.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment