Politike

Balla nuk i “ndahet” Bashës: E zhyti PD-në në moçale financimesh ruse

Duke folur për përgjimet e gazetës gjermane Bild, Balla deklaroi se gazeta i ka marë ato të gatshme nga PD dhe ishin ruajtur për ditë të zeza për Bashën.
Featured image of article: Balla nuk i “ndahet” Bashës: E zhyti PD-në në moçale financimesh ruse Taulant Balla

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi nga foltorja e Kuvend se në 28 vite në këtë vend nuk do të kishte pasur parashikimin më ogurzi për Partinë Demokratike që do të vetë shkatërrohej.

Sipas Ballës, Lulzim Basha e ka zhytur Partinë Demokratike në moçale financimesh ruse.

Duke folur për përgjimet e gazetës gjermane Bild, Balla deklaroi se gazeta i ka marë ato të gatshme nga PD dhe ishin ruajtur për ditë të zeza për Bashën.

Kujtoni ju që “Bild” nuk i ka marrë materialet të gatshme? Patjetër që po. Ishin ruajtur për ditë të zezë. Ka ndonjëri dyshim se ka ndonjë ditë më të zezë se e sotmja për Lulzim Bashën?

Po përgjegjësia e kësaj Prokurorie që i mban dosjet pa fund?“, tha Balla.

Fjala e plotë e Taulant Ballës:

Për kujtesë të kujtdo që e ndjek këtë seancë, ky është një diskutim i raportit të punës së Prokurorisë dhe në mënyrë të veçantë, i informacionit të domosdoshëm për publikun lidhur me nivelin e kriminalitetit. Është një detyrim i posaçëm që Prokurori i Përgjithshëm e ka ndaj Kuvendit, megjithëse një pjesë e madhe e diskutimeve ishin të fokusuara edhe në çështje të tjera.

Zonja Prokurore e Përgjithshme si përfaqësuese e Prokurorisë besoj se, nga ky Kuvend, në mënyrë të veçantë nga sovrani që na ka sjellë këtu, e kuptoni edhe vetë që në këtë vend dosjet e Prokurorisë thjesht e vetëm pluhurosen në shumë raste “pa shkuar haka te i zoti”, e pa shkuar fajtori pas hekurave.

Juristët me të drejtë nënvizojnë faktin që, sa më shumë kalon koha, aq më shumë i bie vlera provës. Populli thotë: drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Po ti bësh bashkë të dyja këto kupton se sa e rëndësishme është që e vërteta të dalë sa më shpejt për çdo rast.

Dua të ndaj me ju një eksperiencë personale. Para 8 muajsh nga goja e shthurur, e pisët, llomotitëse e Lulzim Bashës, u vura në një akuzë të rëndë, ku sipas Lulzim Bashës dhe personave të paguar prej tij në korrik të vitit 2018, mua “më kishte marrë Perëndia mendtë” dhe bashkë me një koleg deputet, kishim shkuar në orën 10 të natës në komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës dhe aty në dijeninë time, një idiot i kishte vënë pistoletën në kokë një punonjësi policie.

U mbars mali dhe doli Luli vetë.

Pas 8 muajsh, kur nuk ka më interes publik, Prokuroria vendos që punonjësi i policisë Emiliano Nuhu, që i ishte vënë pistoleta gjoja në kokë, ka fituar azilin në Gjenevë me një gënjeshtër ekzemplare. Por Prokuroria e ka marrë personin të pandehur për kallëzim të rremë.

Lulzim Basha dhe gazetari i tij Basir Çollaku, mund t’ia hedhin me ndonjë gjobë, sepse nuk u ndahem pa u marrë gjobën për kopshtet e Librazhdit.

E keni dëgjuar më Lulin të flasë? 

Edhe tek përgjimet, kush mendon se ka ndonjë gjë të re, e ka gabim. Hapni procesverbalet e punimeve të Kuvendit i keni aty një për një. Nuk ka ndodhur njëherë të vetme nga seanca e 16 shtatorit 2016, që pasoi zgjedhjet e 11 shtatorit në Dibër, që Lulzim Basha nuk përmendte përgjimet. 

E provoi me “Babalen”, teksa e prodhoi tek portalet e partisë së vet, por nuk i eci. Të gjithë e dimë se “Babalja” ishte një inskenim i turpshëm me aktorë të paguar nga brenda Partisë Demokratike.

E provoi me rastin e Fushë-Krujës, dështoi.

I eksportoi përgjimet, autenticiteti i të cilave nuk vihet në dyshim, për shkak se është bërë nga Prokuroria, por prerja në copa, padyshim që është pjesë e një plani. Shihni aspektin grafik. Montimi është i njëjtë, sikurse tek “Babalja”, sikurse tek Fushë-Kruja, sepse është bërë nga e njëjta dorë, tek kompania e kunatit të Lulzim Bashës. 

Kujtoni ju që “Bild” nuk i ka marrë materialet të gatshme? Patjetër që po. Ishin ruajtur për ditë të zezë. Ka ndonjëri dyshim se ka ndonjë ditë më të zezë se e sotmja për Lulzim Bashën?

Po përgjegjësia e kësaj Prokurorie që i mban dosjet pa fund?

Në 28 vite në këtë vend nuk do të kishte pasur parashikimin më ogurzi për Partinë Demokratike që do të vetë shkatërrohej, por me gur varri pagesa ruse për financimin e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike.

Teksa ne kemi qenë të gjithë në fushatë zgjedhore Lulzim Basha ka marrë 1 milion dollarë nga burime oligarkësh rusë.

Ky është halli i Lulzim Bashës. 

Teksa Lulzim Bashës do t’i vinte fermani dhe fundi politik, pasi e ka zhytur Partinë Demokratike në moçale financimesh ruse, patjetër që duhej përdorur edhe arma 184, që e ka pasur aty prej ditës së katërt të fushatës. 

Zonja dhe zotërinj,

Kisha një debat sot për propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për sa i përket dënimeve plotësuese për çdo shkelës ligji, që kryen dhunim zgjedhor, vepra penale që lidhen me zgjedhjet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta heqin këtë të drejtë për përdhunim seksual.

Ne e kemi këtë nevojë si komb sot, që kushdo që tenton të vendosë në dyshim vlerat e demokracisë sonë, duhet të ndëshkohet. Kjo është një masë dhe një dënim plotësues që merret vetëm pasi është kryer një proces i rregullt gjyqësor e ligjor në përfundim të të cilit konsiderohesh fajtor.

Duhet të jetë e qartë për këdo se në 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon, sikurse ato vandalë, terroristë që sulmojnë shkollat do të marrin veçse dënimin që meritojnë.

Ne nuk tërhiqemi nga ky propozim, por jemi të gatshëm ta diskutojmë bashkë me ju për ta votuar së bashku.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment