Aktualitet

“Të akuzohet kupola e policisë”, kush është Bajram Hidri që ra sot në pranga, pjesë e grupit të Kurbinit me në krye biznesmenin Lefter Nelaj, mekanizmi i sofistikuar me llamba

  • I dënuar për trafik droge dhe grup kriminal, arrestohet 27-vjeçari nga Kurbini
  • Mes 10 të dënuarve ishte edhe biznesmeni i ndërtimit Lefter Nelaj, i cili pranoi se ka mbjellë 176 bimë narkotike por akuzoi policinë dhe prokurorinë teksa kundërshtoi se kishte të bënte me një grup të strukturuar kriminal.
    Featured image of article: “Të akuzohet kupola e policisë”, kush është Bajram Hidri që ra sot në pranga, pjesë e grupit të Kurbinit me në krye biznesmenin Lefter Nelaj, mekanizmi i sofistikuar me llamba Lefter Nelaj
    Përditësuar:

    TIRANËDosja.al ka zbardhur detaje rreth Bajram Hidrit, 27-vjeçarit që ra sot në pranga pasi ishte shpallur në kërkim dhe ishte dënuar me katër vite burg për trafik të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Hidri ishte pjesë e grupit të Kurbinit që u shkatërrua dy vite më parë dhe u dënua me 50 vite burg në total.

    Mes 10 të dënuarve ishte edhe biznesmeni i ndërtimit Lefter Nelaj, i cili pranoi se ka mbjellë 176 bimë narkotike, por akuzoi policinë dhe prokurorinë teksa kundërshtoi se kishte të bënte me një grup të strukturuar kriminal. Hetimet për këtë grup, pjesë e të cilit ishin edhe tre inspektorë policie, mes tyre inspektori i krimeve të rënda në policinë e Kurbinit Zan Kasmi, filluan që në vitin 2015, në muajin korrik. Pas hetimit rezultoi se grupi kriminal kishte bashkëpunimin e punonjësit të policisë Zan Kasmi, i cili i lajmëronte personat e tjerë nëse zhvilloheshin operacione policore anti-­kanabis në atë zonë.

    Ndërsa pas hetimeve të prokurorisë rezultoi se, kreu i këtij grupi kriminal është shtetasi Lefter Nelaj, i cili gjithashtu rezultonte të ishte edhe financuesi i fidanëve apo i përsonave që u mbronin ‘krahët’. Nelaj kultivonte kanabis edhe në ambiente të mbyllura me ndriçim dhe ngrohje me llamba dhe kishte organizuar një mekanizëm me kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Ishte inspektori Kasmi, ai që ishte zotuar se nuk do të cënohej asnjë parcelë kanabisi nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit.

    Fillimisht Kasmi dhe dy kolegët e tij u akuzuan gjithashtu për grup të strukturuar kriminal por më pas kjo akuzë rad he ata u akuzuan vetëm për “shpërdorim detyre”, duke e kaluar çështjen në Gjykatën e Kurbinit. Pas këtij veprimi, Nelaj u ankua  dhe tha se nëse kjo akuzë bie për tre efektivët, e njëjta gjë duhet të ndodhte edhe për klientët e tij.  “Nëse për ta kanë rënë akuzat e krijimit dhe pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, i bie që edhe për klientët e mi rrëzohet.”-tha ai. Sipas dëshmisë së tij, biznesmeni Lefter Nelaj, tha se nëse prokuroria do të kishte bërë hetime për të zbardhur çështjen, si të pandehur nuk do të ishin ata, por kupola më e lartë e policisë. Gjithashtu, Nelaj tha se, e pranonte akuzën e kultivimit të lëndës narkotike, ndërsa shtoi se i kërkonte ndjesë të afërmeve të tij që i kishte implikuar në këtë punë. Sipas tij ata nuk dinin asgjë për këtë dhe janë aty vetëm se kanë njohje dhe komunikime me të.

    Përballë pretendimeve të mbrojtjes, prokuroria ka paraqitur përgjimet telefonike, të  bëra në një hark kohor prej 6 muajsh, nga Gushti deri në dhjetor 2016. Në këto përgjime, që janë edhe prova më e fortë kundër tyre, sipas organit të akuzës dëgjohen biseda që tregojnë implikimin e të pandehurve.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Ndërkohë grupi kishte të siguruar edhe tregtimit e lëndës narkotike pas procesit të përpunimit. Ky grup kriminal është goditur 14 herë nga policia, ku janë sekuestruar sasi të mëdha droge. Ata kanë qenë posedues të parcelave në Vinjoll, Selitë, Gallatë dhe në gjithë Malësinë e Kurbinit. Në kuadër të operacioneve të shumta, janë asgjësuar mbi 28 mijë rrënjë.

    Anëtarët e grupit Lavdim Neziri Nelaj, biznesmeni i ndërtimit, Lefter Nelaj, Bledar Baboçi, Elton Haxhiu, Hashim Nelaj, Sami Balloku, Astrit Tafaj, Aldo Xhaferri, Bajram Hidri dhe Bashkim Kodra u dënuan në total me 50 vite burg për disa vepra penale si, “Kultivimi i bimëve narkotike”, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

    (f.m/dosja.al)

    Shto Koment