Aktualitet

“Baçinozi u ekzekutua me skenar mafioz”, Agron Tufa hedh dritë mbi vrasjen e të dënuarit politik: Ja letra e guximshme që i dërgoi Nexhmije Hoxhës, gjoja e qëlloi borxhliu

Letra është publikuar nga Katriot Dervishi, bashkë me një copëz shkrimi dore, të vetë Baçinozit.
Featured image of article: “Baçinozi u ekzekutua me skenar mafioz”, Agron Tufa hedh dritë mbi vrasjen e të dënuarit politik: Ja letra e guximshme që i dërgoi Nexhmije Hoxhës, gjoja e qëlloi borxhliu Haxhi Baçinozi dhe letra
Përditësuar:

TIRANË– Agron Tufa ka kujtuar sot, në 1-vjetorin e vrasjes, ish-të dënuarin politik Haxhi Baçinozi. Në një status në Facebook, Tufa ka shkruar se ish- i dënuari politik është ekzekutuar nga një skenar mafioz, dhe jo nga borxhliu, siç është thënë nga të gjitha mediat. ai shkruan më tej se provë për këtë është edhe letra që vetë Baçinozi i kishte dërguar gruas së ish-diktatorit, Nexhmije Hoxha, të cilës i kërkonte sqarim për dënimin e marrë. Letra është publikuar nga Katriot Dervishi, bashkë me një copëz shkrimi dore, të vetë Baçinozit.

“Sot një vit më parë, mbrëmjen e 16 marsit 2019, u ekzekutua në praninë e të birit te liqeni artificial i Tiranës heroi i kamp-burgut politik të Qafë Barit, Haxhi Baçinozi. Pas vetëdorëzimit të vrasësit (borxhli i Baçinozit), nuk ka pasur asnjë lajm se ç’u bë me këtë çështje të bujshme. Gazetarët nuk janë interesuar. Pista e vrasjes me motivin absurd, se gjoja Haxhiun e vrau borxhliu, nuk ka logjikë të qëndrueshme. Sipas kësaj logjike të vrasësit i bie: “Meqë ato 54 mijë euro nuk po t’i shlyej dot, po të fus një të ekzekutuar”(!). Që në fillim unë (po dhe të tjerë) kam ngritur versionin, se Baçinozi u ekzekutua sipas një skenari mafioz me rrënjë në strukturat e rikthyera në pushtet të ish Sigurimit të shtetit. Ajo duhej të ishte pista e hetimit. Sepse Baçinozi ishte dëshmitari okular potencial i krimeve të ish komandantit të togës së policisë (mandej komandant), Edmond Caja, i akuzuar e i paditur në Gjermani e Shqipëri për krime e vrasje gjatë Revoltës së të burgosurve politikë të Qafë Barit më 22 maj 1984.
Vrasjen e tij unë e kam quajtur dhe e quaj “eleminim i dëshmitarit kyç”. Rrjedhimisht dhe vrassja e tij duhet të kërkohet në kombinimet dhe skenarët tipikë të ish Sigurimit, shokë e kolegë të gjeneratës së Cajës, të rikthyer në pozita të larta drejtuese në institucionet më të larta të pushtetit të Rilindjes.
Gazetarët investigativë shqiptarë e të huaj duhet të këmbëngulin mbi pistën e hetimeve të kësaj vrasjeje të tmerrshme, tashmë të fjetur. Nga parajsa ku besojnë se ka shkuar, kundërshtari i diktaturës, i pamposhturi Haxhi Baçinozi, kërkon prej nesh zbardhjen e drejtë të ngjarjes fatale si formën më elementare të kujtimit dhe respektit për të. Më poshtë Letra e Baçinozit nga Qafë Bari drejtuar gruas së diktatorit, Nexhmije Hoxha, publikuar nga Kastriot Dervishi,“- shkruan Tufa teksa bashkëngjit letrën e publikuar nga Dervishi.

Letra drejtuar Nexhmije Hoxhës

Znj.kryetare! Një kosovar i dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm kërkon përgjigje. Quhem Haxhi Baçinozi, pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë, më hollësisht shih Enciklopedinë Shqiptare! Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981 krimi agjitacion e propagandë, paragrafi nr.55 i Kodit Penal dhe duke vuajtur dënimin në burgun skëterrë të Qaf Barit. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazia e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit nuk njeh kufi, imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozave dhe me këtë mora një dënim të përjetshëm e gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura dhe në mbarim të gjyqit më merret akt-akuza me dhunë nga inkuizitorët e mi, e të dhjetëra-mijëra të pafajshmëve si unë, këto ishin një e qindta e atyre që unë kam heq, e po heq aktualisht në burgun tuaj shfarosës të Burrelit. Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj rreth një gjysëm shekulli me radhë, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizuar realitetin tragjik të këtij populli të martirizuar. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam bërë unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin. Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetur dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar. Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2. Mbasi nuk njeh historia që një vend të quhet shtet e të jetë i rrethuar me tela me gjemba. Ju arritët t’i shpërfytyroni shqiptarët duke i shkaktuar dëme shqiptarëve, si mund të flitni në mbrojtje të kosovarëve kur me qindra kosovarë që erdhën në Shqipërinë e pas luftës vdiqën ose u gjymtuan përjetë në kampet e burgjet shfarosëse të çifligut të burrit tuaj. Kalaja e Gjirokastrës, Maliqi, Tërbufi, Thumana, Bedeni i Kavajas, Zadrima, Bulqiza, Spaçi, Batra dhe maja e ajsbergut të krimeve, Burreli, do të kujtohen brez pas brezi si varrezat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në këto vende pellgje gjaku kufomash e gjymtimesh. Ka arritur të hajë të vjellat e shokut i burgosuri juaj, atëherë me ç’të drejtë flet për kosovarët kur sot e kësaj dite dergjen prej 3 dekadash me dhjetëra kosovarë, një përqindje e vogël e atyre që janë shfarosur nga banda kriminale e sigurimit të shtetit, me sloganin e njohur “agjentë të UDB-së” jugosllave. E atëherë si mund të flitni për kosovarët që jetojnë në Jugosllavi, kur ju s’keni lanë krim as poshtërsi pa ju bërë e që me dhjetëra si unë na mbani hala në burg, kur në Jugosllavi asht demokracia amerikane nëse mund të bëhet krahasim me terrorin që ekziston në burgun tuaj 3 milionësh. Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai bën burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nënat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim I tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm, a mendon se nënat e motrat shqiptare këtu në Kosovë i ke veshë në të zeza, sa gra i ke lanë të veja dhe sa mijë jetimë. Për këto gjana nuk do të ketë as sociolog, as shkrimtar në glob t’i përshkruajë apo portretizojë realisht një gjenocide të tillë, që nuk njeh asnjë periudhë e historisë njerëzore. Ju kujtoj një thënie shqiptare se “met nana pa djalë, se nuk met gjak pa marrë”! Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm. S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me me ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh. I dënuari politik, Haxhi Baçinozi 18 shkurt 1990.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Haxhi Baçinozi dhe letra

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 16 marsit rreth orës 20:00 të mbrëmjes teksa 62-vjeçari kishte dalë për vrap me djalin e tij të mitur. Aty është afruar Islam Myrkaj dhe pas një konflikti verbal, ai ka nxjerrë armën e tij, tip pistoletë dhe e ka qëlluar disa herë. Pasi ka qëlluar ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.  Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrest me burg për Islam Myrkaj, i cili akuzohet të ketë vrarë me armë zjarri ish-të përndjekurin politik, Haxhi Baçinozi. Ndërsa Myftar Pasha, miku i Myrkajt është lënë në arrest shtëpie. arsyeja e vrasjes u mësua se ishte një borxh.

Baxhinozi ishte origjinë nga fshati Radostinë i Fierit. Ai ka qenë i dënuar politik, nga Gjykata Ushtarake e Tiranës më 30 janar 1982, për agjitacion dhe propagandë, me 10 vjet heqje lirie dhe humbje të së drejtës elektorale për 5 vjet. Sipas informacione të mëparshme që ka pasur për të në media, thuhet se ai u dënua sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për “veprën e terrorit në bashkë-punim” (dënim i kombinuar).

(f.m/dosja.al)

Shto Koment