Sociale

Autoriteti i Konkurrencës heton tregun e miellit: Kompanitë vendosin çmime në dëm të konsumatorit

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për tregun e miellit, pasi ka dyshime se kompani që zënë një përqindje të konsiderueshme në treg, vendosin çmime në dëm të konsumatorëve.
Featured image of article: Autoriteti i Konkurrencës heton tregun e miellit: Kompanitë vendosin çmime në dëm të konsumatorit Foto ilustruese

Autoriteti i Konkurrrencës ka hapur një hetim në tregun e prodhimit të miellit në Shqipëri, ndërsa ngre dyshime të forta se disa prej kompanive që zotërojnë një përqindje të konsiderueshme të tregut, vendosin çmime të larta në dëm të konsumatorit.

Vendimi për të hetuar këtë treg nisi pas një monitorimi që Konkurrenca i ka bërë shitjes dhe prodhimit të miellit, e ku janë shfaqur dyshime lidhur me një organizim të kompanive për të shtrembëruar konkurrencën dhe vendosur çmime të larta e cilësi të ulët të këtij produkti bazë për konsumatorët, thonë burime të TVKlan.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se vendimi është marrë në fillim të tetorit të vitit të shkuar por nuk është publikuar në faqen zyrtare.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Po ashtu mësohet se procedura është në fazën e përpunimit dhe administrimit të gjetjeve të hetimit, ndërsa është konstatuar se tregu ka disa ndërmarrje të cilat kanë pozitë dominuese dhe sjellin një përqëndrim të lartë në përcaktimin e çmimeve të miellit.

Lufta me standardet dhe cilësinë e miellit në Shqipëri ka qenë e vazhdueshme, aq sa Autoriteti i Kombëtar i Ushqimit ka depozitur kallëzime penale për dy firma që importojnë miell nga Serbia dhe zënë 40% të tregut këtu. Vetëm gjatë 2018-ës, AKU bllokoi mbi 100 ton miell për mashtrim të përqindjes së proteinës dhe cilësi të ulët.

(B.B/ Dosja.al)

Shto Koment