Aktualitet

Autobuzi me pasagjerë kryente manovra dhe parakalime të gabuara, arrestohet shoferi në gjendje të dehur! Gjatë fundjavës arrestohen dhe 16 shoferë të tjerë

Policia ka ndaluar autobusin dhe pas testit të alkoolit, rezultoi se shoferi, shtetasi A.S., i cili po transportonte pasagjerë nga Tirana në Valbonë, drejtonte autobusin në gjendje të dehur, në masën 0.64 ml/l.
Featured image of article: Autobuzi me pasagjerë kryente manovra dhe parakalime të gabuara, arrestohet shoferi në gjendje të dehur! Gjatë fundjavës arrestohen dhe 16 shoferë të tjerë Pamje nga ndalimet
TIRANË- Gjatë fundjavës 17 drejtues mjetesh të arrestuar, 97 leje drejtimi të pezulluara dhe 2111 masa administrative për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Gjithashtu, Policia Rrugore e Tiranës, ditën e shtunë në mëngjes, ka parandaluar një ngjarje të mundshme rrugore me pasoja. Gjatë kontrolleve dhe monitorimit të qarkullimit, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë konstatuar në rrugën e Rinasit, një autobus 50 vendësh, që po kryente manovra dhe parakalime të gabuara.
Policia ka ndaluar autobusin dhe pas testit të alkoolit, rezultoi se shoferi, shtetasi A.S., i cili po transportonte pasagjerë nga Tirana në Valbonë, drejtonte autobusin në gjendje të dehur, në masën 0.64 ml/l.
Drejtuesi i autobusit, shtetasi A. S. , 50 vjeç, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore në DVP Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 Drejtoritë Vendore të Policisë, ka intensifikuar kontrollet, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkooltestues dhe dronë, në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.
Gjatë fundjavës, në të gjithë vendin janë arrestuar 17 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 97 leje drejtimi, nga të cilat 76 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu janë vendosur 2111 masa administrative për shkelje që janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore, si parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, shkelje semafori, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit etj.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.
(d.a/dosja.al)

Shto Koment