Aktualitet

Audienca e së enjtes/ Kush u ndoq më tepër, Haradinaj në TCH apo Berisha në TV Klan?

Edhe pse temat dhe të ftuarit kanë qenë interesante në të dy televizionet, siç duket, shqiptarët në shumicë kanë zgjedhur Top Channel.
Featured image of article: Audienca e së enjtes/ Kush u ndoq më tepër, Haradinaj në TCH apo Berisha në TV Klan? Godina e Top Channel dhe Tv Klan

TIRANË– Ramush Haradinaj dhe Sali Berisha u përplasen të enjten në “prime time” në dy televizionet kombëtare më të mëdha në Shqipëri. Kryeministri  i Kosovës ishte i ftuar përballë analistëve në Top Channel në emisionin OPEN të Eni Vasilit, ndërsa ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ishte i ftuar në emisionin OPINION të Blendi Fevziut në Tv Klan.

Po cili nga televizionet e fitoi betejen e audiencës të së enjtës?

Ka disa mënyra për të matur audiencën. Njëra prej tyre është përmes videove të publikura në Facebook apo You Tube. Dy televizionet kanë shpërndarë video të shkurtra në kanalet e tyre zyrtare në You Tube. Konkretisht, Top Channel ka hedhur 13 video, ndërsa TV Klan 4 më shumë, 17 video gjithsej. Gazeta SHQIP ka bërë një analizë të shifrave bazuar mbi klikimet dhe na rezulton se videot e ngarkuara nga Top Channel, janë shikuar nga 348 912 persona.

Ndërsa videot e ngarkuara nga Tv Klan janë shikuar nga 143 758 persona. Siç na tregojnë shifrat, videot e Top Channel rezultojnë më të ndjekura nga shqiptarët, me një diferencë prej 205 154 shikime. Nëse do i referohemi numrit të videove të ngarkuara, interesi për të ndjekur emisionin OPEN në Top Channel është edhe më i lartë, edhe pse me 4 video më pak.

Pikat e forta të debatit

Ardhja në Shqipëri e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj pritej me shumë kureshtje nga qytetarët, kjo për shkak edhe të përplasjeve të tij të vazhdueshme me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, së fundmi e paditi në gjykatë homologun nga Kosova, për shpifje.

Nga emisioni  OPEN, Haradinaj foli gjatë rreth kësaj teme ku tregoi përplasjet dhe “iniciativat e Ramës për ndarjen e Kosovës”. Kjo solli edhe një debat të ashpër të Haradinajt me analistin Baton Haxhiu, të cilin e quajti mercenar të Ramës. Haradinaj foli edhe për qeverinë e re të Kosovës dhe për vendosmërinë e tij për të mos hequr taksën 100% deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Nga ana tjetër, edhe ish-kryeministri Sali Berisha, foli për disa tema të rëndësishmë. Ish-lideri i PD e pranoi se ka sulmuar katër figura të larta ndërkombëtare, Fylen, Gloverin, Papandreun dhe Romana Vlahutin. Ai foli për sherrin me gazetarin Artan Hoxha, dy dështimet e opozitës dhe nuk ngurroi të ripërsërisë qëndrimin  e tij për përplasje civile, nëse Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira. Ish-kryeministri tha se nuk ka marrëveshje të fshehtë Rama-Basha dhe sipas tij, opozita u ul në tryezë për të vendosur interesin e Shqipërisë në plan të parë. Edhe pse temat dhe të ftuarit kanë qenë interesante në të dy televizionet, siç duket, shqiptarët në shumicë kanë zgjedhur Top Channel.

(Dosja.al)

Shto Koment