Editorial

Artikulli im pozitiv

Pra kryeministri çdo artikull apo mendim kundër qeverisjes së tij dhe kundër korrupsionit që ka mbërthyer çdo nyjë të administratës, e konsideron keqtrajtim, dhe nga inati edhe ai i keqtrajton gazetarët.
Featured image of article: Artikulli im pozitiv
Përditësuar:

Kryeministri ynë ankohet gjithmonë për mediat duke i quajtur kazan, gazetarët kadri etj, etj, vetëm e vetëm sepse shkruajnë negativisht për të dhe për qeverisjen e tij.  Për t’iu kundërvënë kësaj ai hapi televizion, del nëpër konferenca, bën deklarata dhe kërkon që si e vërtetë të njihet vetëm e vërteta e tij, të tjerët që nuk e shohin këtë të vërtetë janë kazan.
Kryeministri është i lumtur me artikujt pozitiv të qokaxhinjëve të cilët kanë rrjepur sa kanë mundur nga fondet publike për të na ndërtuar bunkere që i kishim harruar nga socializmi.

Pra kryeministri çdo artikull apo mendim kundër qeverisjes së tij dhe kundër korrupsionit që ka mbërthyer çdo nyjë të administratës, e konsideron keqtrajtim, dhe nga inati edhe ai i keqtrajton gazetarët.

Si një kontribut modest për gëzimin e kryeministrit, unë do të shkruaj një artikull pozitiv që shpresoj se do t’i pëlqejë kryeministrit shpresoj edhe lexuesit.

Me humorin e tij karakteristik dhe me batuat e tij, kryeministri Rama përhap në popull argëtim dhe një ndjenjë të fortë rehatie, sa herë që del në ekran. Sigurisht që ka gjithmonë njerëz me vullnet të sëmurë, njerëz të hidhur që nuk u pëlqen asgjë, që asgjë nuk i kënaq: njerëz që nuk ndiejnë të ngopur nga pakënaqësitë. Ka shumë politikanë në pushtet të cilët janë diskretituar para shoqërisë për pjesëmarrjen e tyre aktive në plaçkitjen e atdheut. Sidoqoftë, duhet të theksohet se kjo nuk e ul aspak humorin kryeministror për asnjë gram. Përkundrazi, virtytet e tij të mençurisë, tolerancës, gjenialitetit mbeten të padëmtuara.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Harmonia, kapaciteti dhe gjallëria e ekipit të tij nuk pushojnë së na habituri, gjë që është një shembull i qartë i së ardhmes së ndritur që na pret. Dhe sigurisht, çfarë pritet nga një udhëheqës i shkëlqyer nëse nuk do të rrethohet me mendje të tilla? Nuk ka asgjë për të kritikuar në kabinet. Me atë zemër të madhe sa vetë madhësia e ndërtesës së kryeministrisë, ata iu tregojnë njerëzve se të duash njëri-tjetrin siç duhen ata, është gjithashtu revolucionare dhe transformuese. Ky pasion, dhe kjo furi romantike për popullin, nuk është aspak një pengesë për dorën e tij të hekurt mbi të korruptuarit e së kaluarës sepse në të tashmen nuk ka më.

Një trashëgimi e pamohueshme e kryeministrit tonë i cili nuk ka përfunduar ende dy mandate në detyrë është ajo e lëvizjes së tij: Shengeni Ballkanik. Nuk ka asnjë pengesë që i ndalon ata në këtë kryqëzatë në favor të të tjerëve.

Duhet thënë qartë: vetëm mendjet e errëta ose xhepat e uritur për para të fituara keq mund të kritikojnë përkushtimin e tij dhe të kabinetit të tij pa iu skuqur fare faqja. Kështu, të kesh një kryeministër të përkushtuar ndaj punës së tij, të përkushtuar për të bërë mirë dhe për të nxitur unitetin midis të gjithëve, na siguron se tashmë ai e ka një vend në historinë e lavdishme kombëtare, duhet thejsht të vendoset nëse i takon vendi përpara Skënderbeut mbi kalë apo pas tij, por nuk i thonë kot pas plakut dhe pas kalit mos rri kurrë.

Etiketa:

Shto Koment