Blog

Artan Fuga: Turi si agjenti marketing turesh turistike!

Turi nuk merr vesh fare nga marketingu! Nuk ka faj, ai ka ardhur të bëjë testin e letërsisë, ndërkohë që ministria e arsimit i kërkon të bëjë provim marketingu!
Featured image of article: Artan Fuga: Turi si agjenti marketing turesh turistike! Artan Fuga

TIRANË– Pyetja 18 e testit të maturës në gjuhë letërsi ; një paçavure!

Pyetja 18 e testit në gjuhë dhe letërsi është e ndërtuar edhe ajo krejt gabim nga pikëpamja shkencore dhe logjike.

Jepet një tekst marketingu për qytetin e Sarandës, që do ta lexoni më poshtë. Dhe pyetet : çfarë i duhet shtuar këtij teksti si fjali e fundit për të rritur interesimin e turistëve për Sarandën!

Ja teksti:

Saranda, mes 6 vendeve që duhet të vizitohet tani para se të gjithë ta bëjnë

[1] Qyteti bregdetar i Sarandës me ujërat e tij të kristalta, plazhet mahnitëse dhe monumentet e shumta kulturore dhe arkeologjike, janë renditur ndër 6 vendet që duhet të vizitohet tani para se të gjithë ta bëjnë, sipas ekspertes së udhëtimeve, Patricia Schultz,- shkruan “Business Insider”. [2] Duke reflektuar për mënyrat e shumta në të cilat udhëtimi ka ndryshuar në mbi 30 vjet, Schultz vë në dukje se media sociale kanë nxjerrë në dritë shumë vende më pak të njohur. [3] “Unë e di se bota po bëhet më e arritëshme. Vende që do të ishin lista jonë e dëshirave, tani janë”, tha ajo, duke shpjeguar se ndihet që Evropa, për shembull, është bërë një lloj destinacionesh “kur jam në pension”, duke e krahasuar atë me “pizhame të rehatshme”. [4] E dini ku po shkojnë njerëzit? [5] Apo, edhe më mirë, ku duhet të shkojnë njerëzit? [6] Vazhdoni të lëvizni për të parë gjashtë vendet që parashikon Schultz, të cilat do të jenë pikat e nxehta të radhës, ku bën pjesë edhe qyteti i Sarandës. [7] “Ka një vijë të bukur bregdetare dhe shumë turistë të rinj që shkojnë atje”, – shprehet Schultz. [8] Ajo shton se Saranda është gjithashtu një vend shumë i lirë dhe i shkëlqyer për të punuar nga distanca. [9] “Është e ngjashme me Gjeorgjinë (kjo e fundit është më e njohur); ka të njëjtën natyrë të stinës së verës, si edhe ushqim të mirë”, – shkruan Schultz.

—————
Dhe pyetja është:

Për të rritur interesin e lexuesve ndaj qytetit të Sarandës, duhet të shtohet edhe një fjali në fund të tekstit.

Cila nga fjalitë e mëposhtme e kryen më mirë këtë funksion?

  1. A) Pra, Saranda nuk është e vetmja që duhet vizituar.
  2. B) Besojmë se ka ardhur koha për një vizitë në qytetin e Sarandës.
  3. C) Mrekullitë e Sarandës kapërcejnë çdo përfytyrim tuajin mbi qytetin.
  4. D) Si përfundim, a ju pëlqeu Saranda?

———————————-
Nuk po ndalemi te fakti që në këtë pyetje mbetet e dyshimtë nëse kemi një pyetje që ka lidhje me letërsinë, gjuhën, apo me marketingun. Dihet që gjuha e letërsisë dhe gjuha e marketingut iu nënshtrohen stileve dhe logjikave të ndryshme. Po e kalojmë këtë problem. Po e kalojmë edhe problemin që në test pyetet se çfarë fjalie duhet shtuar në fund për të rritur “interesin” e lexuesve për të vizituar Sarandën. Interesin apo interesimin? Sepse nuk janë e njejta gjë. Por, po e kalojmë edhe këtë. Po kalojmë edhe përdorimin e foljes “duhet”. Sepse ajo folje merr kuptimin e një domosdoshmërie, ndërkaq nuk duket si një shtesë e domosdoshme.

Qendrojmë te përgjigjet që testi u ofron maturantëve për të zgjedhur të saktën.

Sipas testit përgjigje e saktë është fjalia “B” : “Besojmë që ka ardhur koha për një vizitë në qytetin e Sarandës.”

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Turi tani na shfaqet si agjent marketingu për qytetin e Sarandës! Nuk ka asgjë të keqe! Mirëpo duke mos njohur rregullat e marketingut propozon të shtohet pikërisht fjalia e gabuar në tekst. Shikoni se çfarë gabimesh amatoreske bën! “Besojmë” – shprehet!!! Problemi nuk është të besojë ai që bën reklamën, por që të besojnë lexuesit, pra turistët e ardhshëm. Gabim trashanik edhe sepse teksti fton për të kaluar pushimet në Sarandë, madje për t’u vendosur për të jetuar atje, (revista e bën shumë mirë punën e saj), por Tur injoranti prish çdo gjë. Në fund të atij teksti, ai fton lexuesit vetëm për një vizitë në Sarandë!!! Pra, nuk e rrit interesimin e tyre, por e zvoglon! Vetëm madje një vizitë, jo as shumë vizita.

Turi nuk merr vesh fare nga marketingu! Nuk ka faj, ai ka ardhur të bëjë testin e letërsisë, ndërkohë që ministria e arsimit i kërkon të bëjë provim marketingu!

Turi gabon sepse pikërisht duke shtuar fjalinë “B” në fund të tekstit, ai jo vetëm nuk e shton interesimin (jo interesin) e lexuesve për Sarandën, por e shkatërron krejt atë. Pse? Sepse lexuesi duke parë atë fjali të fundit humb besimin te teksti pararendës. Ai e kupton që autori i tekstit duke i ftuar të shkojnë në Sarandë ka një interes për këtë. Fjalia e fundit pikërisht nis të ngjalli dyshime. Mos autori i tekstit përfiton duke marrë komisione nga operatorët turistikë, prandaj ato që ai thotë për Sarandën nuk janë reale?

Nuk ka tekst marketingu që nuk e çkëshillon pikërisht këtë. Pra që këshillon për të mos bërë pikërisht atë që propozon testi i maturës shqiptare, pra të mos bëjë thirrje direkte për të blerë shërbimin. Kjo kudo duhet evituar të bëhet në mënyrë aq të trashtë, por mbi të gjitha ta zemë në rrjetet sociale nuk është absolutisht e këshillueshme!

Imagjinoni që pasi një reklamë të promovojë dhallën LUFRA, marketuesi të shtojë fjalinë idiote : “Besojmë se ka ardhur koha ta kthejmë një gotë mbushur plot me dhallën LUFRA!!!” A nuk do gajasej së qeshuri klienti!

Pra, testi konsideron si përgjigje të saktë, pikërisht një qendrim për të cilin sëpaku kudo në shkencat aktuale të marketingut debatohet nëse duhet mbajtur apo më mirë të lihet i nënkuptuar!

Aq më shumë që fjalia “B” nuk e shton interesimin (jo interesin) e lexuesve për Sarandën sepse ajo fjali nuk është me natyrë bindëse,, por në stilin gjuhësor të marketingut quhet “Call to action!” – Thirrje për veprim! Pra, fton për veprim, nuk rrit interesin! Edhe gjuhësisht, në komunikimin për marketing, është një përgjigje pra krejt e gabuar!

Pyes: Pse testi zgjedh përgjigjen “B” si të saktë, dhe jo ta zemë përgjigjen “C” e cila shton se mrekullitë e Sarandës tejkalojnë cdo përfytyrim! Pse fjalia “B” ngjall më shumë interesim (jo interes) sesa fjalia “C”? Pse një maturanti që përgjigjet me “C” i hiqet pika dhe i prishet jeta?

Sigurisht nuk ka linguist dhe specialist marketingu në botë që i jep përgjigje kësaj pyetje, veç në mos qoftë i pirë tapë!

Pra, përgjigja që quhet e saktë, është më shumë e saktë sesa e gabuar, dhe përgjigja e gabuar “C” është po aq e vlefshme nga pikëpamja e marketingut sa edhe fjalia e saktë!

Tur Karamelja dhe shokët dhe shoqet e tij kanë abuzuar me maturantët! Ministria e arësimit ose duhet të bëjë një spastrim të haureve atje ku bëhen këto teste mizerabël, ose po vazhdoi t’i mbrojë mëkatarët, sa injorantë, aq kapadainj, dhe po aq parazitë, mirë është të pranojë dështimin e saj të plotë dhe të gjejë një vend tjetë pune ku mund të kontribuojë për veten dhe shoqërinë! Ose të na dëmtojë më pak!

Një Koment në “Artan Fuga: Turi si agjenti marketing turesh turistike!

  1. Rrofsh Profesor!

    Çmontoji këta palo testimaxhij, që nuk janë të aftë as sa një mësues filloreje.

Shto Koment