Editorial

Arta Marku dhe fuqia për të dhunuar gazetarët

Buzëqeshje që humbet aty ku gazetarët bëhen barrikadë dhe ajo nuk mund të kalojë më. Humbja e buzëqeshjes së shefes ishte alarm për truprojën që e shtyn gazetarin me urrejtje.
Featured image of article: Arta Marku dhe fuqia për të dhunuar gazetarët

Shikojini mirë pamjet! Prokurorja e Përgjithshme e paraprirë nga truproja që kujdeset t’i hapë rrugën. Kryeprokurorja kërcënohet nga bllokimi i rrugës prej gazetarëve, kërcënohet nga transparenca. Janë qindar pyetje në fakt që i kanë zënë rrugën Kryeprokurores: Ajo është duke ndjekur skenarin rilindas për çështjen ‘Babale’, akuzon opozitën me një skemë të përgatitur në zyrën e Edi Ramës dhe gazetarët duan të dinë përse përgjimet e regjistruara nga Prokuroria dalin kundër akuzës së Prokurorisë.

Tre ditë më parë, policia e shtetit, përdori gazin lotsjellës kundër ligjit, moralit dhe arsyes në shtëpitë e 7 familjeve në Bregun e Lumit, duke helmuar fëmijë e gra, që ishin aty vetëm për të mbrotjur shtëpitë e tyre nga babëzia. Gazetarët kanë të drejtë të dinë nëse do të ketë hetim për këtë.

Po atë ditë që përdori gazin lotsjellës, policia nuk gjeti rrugën kur 5 kriminelë të armatosur u futën mu në mes të aeroportit të Rinasit, duke cënuar Sigurinë Kombëtare për të grabitur miliona euro. Nderin e forcave të rendit e shpëtuan efektivët e FNSH që u gjendën rastësisht afër. Njerëzit, nëpërmjet mediave duan të dinë, a mendon edhe ajo si Edi Rama që fajin e kanë kinezët?!

Dosja 339/1 dhe 184 janë kthyer në sebepin e krizës politike që ka kapur vendin. Zbardhja e shpejtë e tyre është jo vetëm detyrim ligjor, por edhe detyrim kombëtar. Të gjithë shqiptarët kanë të drejtë të dinë nëse do të vazhdojë transferimi i prokurorëve për ta bllokuar hetimin, apo janë shpejtuar proçedurat. Gazetarët ishin aty për të pyetur si ndërmjetës të tyre.

Vetë prokurorët u rebeluan ndaj Arta Markut dje, ndërsa lufta për të marrë drejtimin e Prokurorisë nuk ka kursyer as anëtarë të KLP, që përjashtohen me dokumenta të dyshimta vetëm se dalin kundër saj. Publiku nëpërmjet mediave kërkon të dijë çfarë po ndodh në pallatin e ri të Drejtësisë, të dijë nëse zhuli dhe zullumi e kanë marrë fuqinë që tani.

Të tjera skandale që duhet të hetohen nga Prokuroria, 1.7 milardë euro abuzimet që nxori Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2018, 800 milionë euro të prokuruara pa tender, skandali i tenderit të Unazës së re që e zbuloi media. Taksapaguesit presin që akuza shtetërore të bëjë drejtësi, Kryeprokurorja e Përkohshme duhet të komunikojë me ta nëpërmjet medias.

Në fakt ndodh e kundërta. Të gjitha këto skandale që kanë zënë rrugën e saj, të gjitha këto pyetje pa përgjigje që rëndojnë mbi 16 muajt e punës së saj, nuk mund të shmangen pa dhunën e truprojave. Ja shikoni, si ecën ajo pas një takimi krejt miqësor me deputetet e Partisë Socialiste. Truproja i hap rrugën duke larguar gazetarët, shefja i hap rrugën deputetes së PS, me një buzëqeshje servile në fytyrë. Buzëqeshje që humbet aty ku gazetarët bëhen barrikadë dhe ajo nuk mund të kalojë më. Humbja e buzëqeshjes së shefes ishte alarm për truprojën që e shtyn gazetarin me urrejtje. Rruga u hap, Arta, Mimi, Evisi dhe Blerina shkojnë të pashqetësuara drejt së ardhmes, të tjerët mbeten gojëhapur, gazetarë, shikues pasivë dhe dhe aktivë, protestues apo miratues, nuk e kuptojnë nga buron arroganca e një pushteti totalitar që nuk arrin të shkëlqejë për të fshehur kalbëzimin.

2 Komente në “Arta Marku dhe fuqia për të dhunuar gazetarët

  1. Sa karzetare te mencur jeni,per arta markun e ka fain kjo kur bodiguardi shtyn karzetarin,ndersa per Laulzim Bashen kur bodigurdi i tij i futi grushtin qytetarit skishte faj as luli e as bodiguardi.Jeni komplet karzetare te paanshem,ju a ben mire rama qe ju ka vlerresuar si kazan plehrash

  2. E pash kete skene te filmuar nga disa kende nga kamera te ndryshme pra.
    Vura re se gazetari i ka dal perballe, i ka zene rrugen, zonjes Marku.
    Kjo nuk eshte sjellje etike nga e gazetarit.
    Nga sa kam pare ne TV gazetaret, perfshi ketu edhe ata me te bezdisshmit dhe me agresivet, qe i quajne paparazi, nuk te zene rrugen, por ecin perbri teje, te bertasin pyetjen dhe te drejtojne mikrofonin duke shpresuar per nje pergjigje.
    Ky gazetar, me sjelljen e tij thote "Ndalo ketu dhe pergjigju pyetjes time".
    Detyra e truprojes eshte te ruaj hapesiren rreth individid qe eshte duke mbrojtur.

    Mendimi im eshte qe truproja ka bere detyren pasi gazetari ka qene "agresiv".
    Mbase e ka mesuar tashme se nuk mund ti zihet rruga askujt vetem sepse je gazetar dhe do pergjigje.

Shto Koment