Rajoni

Tarifa 22 € në kufi, reagon aktivisti i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi: Ishte vendim i mëparshëm, Kurti e hoqi

Aktivisti i VV-së, Arbër Zaimi shkruan se pagesa për dezinfektimin e mauneve ka qënë në fuqi që më parë dhe është hequr sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Featured image of article: Tarifa 22 € në kufi, reagon aktivisti i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi: Ishte vendim i mëparshëm, Kurti e hoqi Arbër Zaimi

TIRANË– Aktivisti i VV-së, Arbër Zaimi ka komentuar tarifën 22 euroshe të vendosur për kalimin e kufirit nga Shqipëria në Kosovë.

Me anë të një statusi në rrjetet e tij sociale, Zaimi shkruan se pagesa për dezinfektimin e mauneve ka qënë në fuqi që më parë dhe është hequr sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Masat e reja nga qeveria e Kosovës janë publikuar dje. Udhëtarët që vijnë në Kosovë, nëse janë testuar negativë në 4 ditët e fundit kalojnë pa problem. Nëse nuk janë testuar, duhet të nënshkruajnë një deklaratë ku zotohen për vetë-kufizim 7-ditor. Kjo është masë e rekomanduar nga ekspertët e shëndetësisë, sepse me kapacitetet shëndetësore nuk mund të përballohet hapja e menjëhershme,”-shkruan ai.

POSTIMI I PLOTË:

Mbi shpifjet për masat kufitare Kosovë-Shqipëri:

Pagesa për dezinfektimin e mauneve ka qenë në fuqi qysh më përpara. Ajo është hequr sot. Për vetura të tjera nuk ka patur pagesë dhe as nuk do të ketë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Karantina është hequr, dhe ata që e kanë gojën plot karantinë, mashtrojnë. Masat e reja nga qeveria e Kosovës janë publikuar dje. Udhëtarët që vijnë në Kosovë, nëse janë testuar negativë në 4 ditët e fundit kalojnë pa problem. Nëse nuk janë testuar, duhet të nënshkruajnë një deklaratë ku zotohen për vetë-kufizim 7-ditor. Kjo është masë e rekomanduar nga ekspertët e shëndetësisë, sepse me kapacitetet shëndetësore nuk mund të përballohet hapja e menjëhershme. Rreziku i virusit është ende prezent, nuk është dobësuar e vaksina nuk është zbuluar.

Nuk ka kurrfarë izolimi të Shqipërisë nga ana e Kosovës, përkundrazi, qeveria e Kosovës dhe km. Kurti vazhdimisht i ka kërkuar qeverisë së Shqipërisë dhe km. Rama koordinim në nivel të lartë institucional për çështjet shëndetësore e ekonomike që lidhen me pandeminë. Por nga pala tjetër nuk ka patur interesim, dhe qeveria e Shqipërisë vendimet për mbylljen e kufijve e për hapjen e tyre, ashtu si dhe për çdo masë tjetër, i ka marrë pa u konsultuar e pa u koordinuar aspak me Kosovën. I vetmi koordinim ka qenë ai mes ministrave të Shëndetësisë, për çështje administrimi.

Si përfundim: Kosova e Shqipëria do të duhej ta kalonin së bashku këtë krizë. Por qeveria e Ramës nuk deshi të koordinohet me Kosovën, deri në momentin kur iu tek për “turizëm patriotik”, sigurisht për shkak të “aleancës” me Thaçin. Lajmet e pavërteta nuk i bëjnë mirë kombit. Sinqeritet e transparencë duhet, jo dallavere e shpifje.

Reagimi vjen pas atij të kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti “të çuditshëm” vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës, ndërkohë që në rrjet vërshuan denoncimet për qeverinë Kurti. Vendimi i pezulluar u mor mëngjesin e të hënës. Qeveria Kurti vendosi dy kushte për të hyrë në Kosovë. I pari ishte tamponi që duhet të rezultojë negativ dhe e dyta, 7 ditë karantinë e detyrueshme. Ndërkohë që kamionëve iu vendos kalimi me një tarifë prej 22 eurosh.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment