Aktualitet

Nami me gjoba nëpër biznese, ISHSH pranon që s’ka autorizim: Inspektorët i kemi pa karta, por fajin e ka Shkëlqim Hajdari (REAGIMI)

ISHSH pranon se dy inspektorët 'pa mandat' kanë qenë pjesë e grupit të inspektimit të ditës së sotme, dhe shton se përgjegjësia për lëshimin e kartave është e Inspektoriatit Qendror, institucion ky që drejtohet që prej vitit 2016 nga Shkëlqim Hajdari.
Featured image of article: Nami me gjoba nëpër biznese, ISHSH pranon që s’ka autorizim: Inspektorët i kemi pa karta, por fajin e ka Shkëlqim Hajdari (REAGIMI) ISHSH dhe Shkelqim Hajdari

TIRANË- Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka reaguar pas denoncimit të publikuar sot në Dosja.al se inspektorët e ISHSH ushtrojnë kontrolle me karta identifikimi të skaduara nëpër biznese në Tiranë, për zbatimin e ligjit anti-duhan, në kundërshtim me ligjin. Në një njoftim për shtyp, ISHSH pranon se dy inspektorët ‘pa mandat’ kanë qenë pjesë e grupit të inspektimit të ditës së sotme, dhe shton se përgjegjësia për lëshimin e kartave është e Inspektoriatit Qendror, institucion ky që drejtohet që prej vitit 2016 nga Shkëlqim Hajdari. Gjithashtu, ISHSH pranon se nuk ka një urdhër inspektimi për këto subjekte, por e argumenton me faktin se këto janë inspektime të vazhdueshme dhe kryhen në orë të ndryshme dhe gjatë gjithë ditëve të javës në bazë të programit për vitin 2020. 

REAGIMI I PLOTË:

NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në përgjigje të lajmeve të botuara sot në portale Ju informon se: Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, janë pjesë e Rregjistrit të Inspektorëve që mbahet nga ana e Inspektoratit Qendror, institucion i cili lëshon dhe konfirmon vlefshmërinë e kartave të inspektorëve. Përdorimi i kartave të Inspektorëve bazohet në Urdhrin nr. 7, datë 23.01.2019 të Inspektorit të Përgjithshëm. Karta e Inspektorit ka një numër identifikimi individual i cili lidhet direkt me sistemin e-inspection dhe vetëm kështu sistemi lejon kryerjen e Proçesit Inspektues.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nga vitit 2018 kryen të gjitha inspektimet on-line nëpërmjet sistemit e-inspection. Gjatë inspektimeve të kryera sot në qytetin e Tiranës nga ISHSH dega rajonale Tiranë janë vendosur 12 masa administrative 300 000 lekë secila ndaj subjekteve të gjetura në flagrancë në shkelje të ligjit nr. 9636 ose ligjit “antiduhan”.

Inspektorët Johana Sinani dhe Evald Bejaj janë punonjës të ISHSH dega rajonale Tiranë dhe pjesë e grupeve të inspektimit të ditës së sotme. Inspektimet për monitorimin e zbatimit të ligjit nr. 9636, datë 06.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” të ndryshuar, janë inspektime të vazhdueshme dhe kryhen në orë të ndryshme dhe gjatë gjithë ditëve të javës. Këto inspektime kryhen në bazë të Programit Vjetor të Inspektimeve 2020 të dakordësuar nga Inspektorati Qendror dhe të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ju faleminderit për mirëkuptimin.

Ditën e sotme, Dosja.al publikoi faktet sesi dy inspektorë të pamandatuar, me karta identifikimi të skaduara, kanë gjobitur me 3 milionë lekë të vjetra disa subjekte, në kundërshtim me ligjin. Institucioni i drejtuar nga Vjollca Braho, pavarësisht reagimit të mësipërm nuk i shpëton dot përgjegjësisë para ligjit, pasi ka shkelur nenin 27 të Ligjit për Inspektimin, ku thuhet qartë, se Inspektimi bëhet me autorizim nga drejtuesi, dhe pa autorizim, vetëm kur ka një kërkesë për kushtet e flagrancës, ose kur subjekti cënon jetën e njerëzve me incidente apo aksidente. 

Inspektorët, jo vetëm që nuk kanë patur autorizim, por as një dokument të vlefshëm identifikimi. Por ISHSH dhe Braho, tashmë përgjegjësinë ia kanë kaluar Shkëlqim Hajdarit… në cilësinë e kryeinspektorit. 

(F.g/dosja.al)

 

Një Koment në “Nami me gjoba nëpër biznese, ISHSH pranon që s’ka autorizim: Inspektorët i kemi pa karta, por fajin e ka Shkëlqim Hajdari (REAGIMI)

  1. Fajet i ka Kryeinspektori ISHSH jo Inspektori i IQ pasi ajo duhet te merret me rinovimet dhe kerkesat,
    Pergjegjesine ta mbaje portofoli Vjollca Brahos

Shto Koment