Aktualitet

Shqipëria me Gjykatë të re Kushtetuese/ Meta dekreton anëtarin e gjashtë, ndërkombëtarët e përgëzojnë: Merita është e Presidentit, një hap larg Europës

  • Si e përmbushi për herë të parë Shqipëria premtimin për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese
  • Gjykata Kushtetuese bëhet funksionale. Dekretohet anëtari i gjashtë i korumit, Përparim Kalo. Kalo do të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, e më pas do të kryejë betimin zyrtar në godinën e Presidencës. 
    Featured image of article: Shqipëria me Gjykatë të re Kushtetuese/ Meta dekreton anëtarin e gjashtë, ndërkombëtarët e përgëzojnë: Merita është e Presidentit, një hap larg Europës Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese, Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo
    Përditësuar:

    TIRANË- Ngrihet Gjykata Kushtetuese! Me gjashtë gjyqtarë të dekretuar nga presidenti Ilir Meta, Gjykata më e lartë në vend ka tashmë gjashtë gjyqtarë të dekretuar dhe mund të marrë vendime. Sot, Presidenti Ilir Meta dekretoi anëtarin e gjashtë të korumit, magjistratin Përparim Kalo, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi miratoi dhe i dërgoi listën me dy emrat e kandidatëve që garojnë përballë njëri-tjetrit për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

    Emrat e Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos i kanë shkuar në zyrë presidentit Ilir Meta, i cili më pas vendosi të dekretonte Kalon, që do të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, e më pas do të kryejë betimin zyrtar në godinën e Presidencës. Megjithatë nuk dihet se kur do të bëhet votimi i Kalos në Kuvend, pasi seancat plenare janë ‘mbyllur’ deri më 18 janar. Është ende e pasqaruar nëse votimi do të bëhet në seancën e parë të sesionit të ardhshëm parlamentar, apo do të zhvillohet një mbledhje emergjente, vetëm për votimin e tij. 

    Ndërkohë që kandidatja tjetër, Zhaklina Peto vendosi që të largohej nga procesi, pasi nuk mundi dot të mbledhë dokumentat e nevojshëm për verifikimin e figurës së saj, kjo sepse prej 19 dhjetorit është infektuar nga koronavirusi. Edhe pse ajo kërkoi shtyrjen e procesit, thirrja e saj nuk u morr parasysh nga KED. Kështu që ajo zgjodhi të heqë dorë, edhe pse ka shkuar dy herë në Gjykatën Administrative për të ankimuar shkarkimet e saj, dhe është rikthyer me ligj në procesin për plotësimin e vakancave. 

    Plotësimi i vendit të gjashtë në Kushtetuese, ‘ringjalli’ pas 3 vitesh organin më të lartë të drejtësisë në vendin tonë, i cili ishte jofunksional. Procesi i Vettingut i shkarkoi të gjithë anëtarët e Gjykatës, përveç Vitore Tushës. Kjo e fundit ka marrë përkohësisht postin e kryetares së përkohshme.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Ndërkohë që dje u betua anëtari i pestë i Kushtetueses, Altin Binaj, ndërsa 4 anëtarët e tjerë janë: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.

    Gara për kandidatët e tjerë, do të hapet në vitin që vjen për të plotësuar edhe vendet e tjera bosh. Gjykata më e lartë në vend, ajo Kushtetuese duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet të ndodhë pas plotësimit të vakancave të Gjykatës së Lartë, e cila gjithashtu nuk është funksionale.

    Rikthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese është edhe një prej kushteve të Bashkimit Europian para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë në kuadër të çeljes së negociatave të anëtarësimit.

    (k.m;f.g;f.m/dosja.al)

    • 0:07

      Ngritja e Kushtetueses, OSBE: Lajm fantastik dhe një hap themelor

      OSBE ka përgëzuar ngritjen e Gjykatës Kushtetues në Shqipëri. Në një status në rrjetet sociale, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco uron Përparim Kalon për dekretimin si anëtari i gjashtë i Kushtetueses dhe shton se ky është një hap themelor. “Zgjedhja e Përparim Kalos anëtar i Gjykatës Kushtetuese është një lajm tjetër fantastik dhe një hap themelor. Për herë të parë, në mbi dy vjet e gjysmë, Gjykata do të ketë kuorum, duke bërë të mundur funksionimin e saj. Urime, gjykatës Kalo për zgjedhjen Tuaj dhe ad majora!”- shkruan ambasador Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

    • 21:05

      Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Kryemadhi: Lajm i mirë por i vonuar

      Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka përshëndetur ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Në një status në rrjetet sociale, Kryemadhi shkruan se ky është një lajm i mirë por i vonuar, pasi pot ë idhin dëgjuar propozimet e opozitës, do të ishin bërë më shpejt. “Çdo hap pozitiv që hidhet drejt ngritjes së institucioneve themelore të Republikës së Shqipërisë, siç është plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, është për tu vlerësuar. Këto janë procese shumë të vonuara, përtej afateve që duheshin realizuar, që nëse mazhoranca do të kishte marrë parasysh propozimet e Opozitës së Bashkuar, vendi do të kishte prej kohësh Gjykatë Kushtetuese tërësisht funksionale si dhe Gjykatë të Lartë. LSI ka qenë dhe mbetet promotore e proceseve që ngrejnë institucione të pavarura dhe me integritet, në alternativë të shkatërrimit institucional ku Rilindja ka ngritur pushtetin. Ne i cilësojmë këto institucione jetike për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve tanë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që dhjetori 2020 e gjen Shqipërinë që aspiron BE-në, pa shtet të së drejtës tërësisht funksional, pa kontroll dhe balancë të pushteteve.  25 Prill 2021 është dita kur Shqipëria ndahet nga një periudhë e errët, kur institucionet e shtetit u vendosën tërësisht në funksion të pushtetit të një individi të vetëm, për të hapur një kapitull të ri.  Pas 25 Prillit, në pushtet rikthehen qytetarët!”- shkruan Kryemadhi.

    • 20:21

      Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Varhelyi: Lajm i shkëlqyer, arritje e rëndësishme

      Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka përshëndetur ngritjen e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Në një status në rrjetet sociale, Varhelyi shkruan se ky është një lajm i mrekullueshëm, dhe një arritje e rëndësishme për institucionet. Varhelyi shton gjithashtu se kjo gjë plotëson edhe një nga kushtet për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare për anëtarimin e Shqipërisë në BE. “Lajm i shkëlqyer! Me emërimin e anëtarit të 6-të nga Presidenti Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese bëhet funksionale. Arritje e rëndësishme për institucionet dhe njerëzit si pjesë e reformës në drejtësi. Kjo plotëson listën e kushteve për mbajtjen e konferencës së pare,”- shkruan Varhelyi.

    • 19:14

      Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Soreca: Urime, një hap larg Europës

      Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka përshëndetur ngritjen e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Në një status në rrjetet sociale, Soreca shkruan se ky është një vendim që siguron funskionalitetin e plotë të Gjykatës. Soreca përgëzon Presidentin Ilir Meta, Parlametin dhe KED-në, teksa shton se tashmë është plotësuar dhe një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE. “Sot Presidenti Ilir Meta dekretoi Përparim Kalon, anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese që do të betohet nesër nga Presidenti. Ky vendim shumë i rëndësishëm siguron tani funksionalitetin e plotë të Gjykatës. Ne e përgëzojmë Presidentin, Parlamentin dhe KE. Dhanë një rezultat kaq të rëndësishëm, që është një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë, qytetarët e saj dhe për reformë në drejtësi. Ky vendim gjithashtu përfaqëson një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit të Shqipërisë në BE,”- shkruan Soreca.

    • 18:59

      Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Zingraf: Gur drejt ndërtimit të një shteti ligjor, u përmbush një prej kushteve për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit në BE

      Ambasadori gjerman, Peter Zingraf ka përshëndetur ngritjen e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Në një reagim në rrjetet sociale, Zingraf shkruan se ky vendim është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Ai falenderoi institucionet, që ditët e fundit bashkëpunuan në mënyrë konstruktive në interes të kësaj çështjeje. “Zgjedhja e sotme e z. Përparim Kalo si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Falenderimi im shkon për të gjitha institucionet, që ditët e fundit bashkëpunuan në mënyrë konstruktive në interes të kësaj çështjeje. Një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekulibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Gëzohem që në këtë mënyrë është përmbushur një kusht qendror prej konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në mars 2020 për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit,”- shkruan Zingraf.

    • 18:24

      Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Yuri Kim nuk përmbahet: LAJM I MADH! Përgëzime Presidentit dhe KED-së

      Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë e ka përshëndetur ngritjen e Gjykatës Kushtetuese pas dekretimit të Përparim Kalos nga Presidenti Ilir Meta, si anëtari i gjashtë i kuorumit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Kim shkruan se ky është një ‘LAJM I MADH’, teksa përgëzon edhe Presidentin Ilir Meta e Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për punën e bërë. “LAJM I MADH! Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Përparim Kalon si gjyqatrin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Sapo Kalo të betohet, do të ketë një korum funksional. Shqipëria do ta përmbyllë viitn 2020 me një Gjykatë Kushtetuese funksionale, pas tre vitesh mosfunksionim të saj. Presidenti, KED dhe Parlamenti kanë një meritë të madhe për këtë gjë,”- shkruan Kim.

    • 18:08

      KED: Kandidatja për GjK Zhaklina Peto tërhiqet nga gara

      Zhaklina Peto

      Kandidatja për anëtare në Gjykatën Kushtetuese, Zhaklina Peto është tërhequr nga gara. Në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Peto u tërhoq pasi dje shprehu problematikën se ishte e infektuar nga pandemia e koronavirusit dhe nuk mund që të mblidhte dokumentacionin e nevojshëm. Ajo kërkoi shtyrjen e mbledhjes për të vlerësimin e saj, por thirrja duket se ka shkuar në vesh të shurdhër pasi KED është mbledhur sot dhe dërgoi dy emra të tjerë tek presidenti Ilir Meta.

      “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 vendosi: Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese,”-shkruhet në njoftim. 

      Pak kohë më parë, Zhaklina Peto u rikthye në garë nga Administrativja, u skualifikua nga KED me argumentin se ajo kishte mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Procesit të ankimimeve, Peto iu rikthe dy herë, por në fund vendosi që të dorëzohej. 

      Njoftimi i plotë:

      Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 23.12.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, duke iu përmbajtur rendit të ditës: 1. Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019: – Zhaklina Peto. 2. Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatit të mësipërm. Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit si edhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës. Mbledhja nisi me miratimin e rendit të ditës si dhe miratimin e procesverbalit të përmbledhur të mbledhjes së datës 21.12.2020. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 vendosi: ·Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimi, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i plotë dhe i zbardhur, do të publikohet i arsyetuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

    • 17:47

      Ngrihet Gjykata Kushtetuese, Meta dekreton anëtarin e gjashtë të korumit, magjistratin Përparim Kalo

      Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese duke plotësuar kështu korumin e këtij institucioni dhe për të bërë krejtësisht funksional. Meta mori sot listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe vendosi dekretimin e Kalos për vendin vakant. Pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, Meta vendosi që mes Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos të dekretonte këtë të fundit.

      Dekreti

    Shto Koment