Politike

Zhdekretimi i audiopërgjimeve që i riktheu fuqinë Edi Ramës

Në vend të diskutimit për krizën e zgjedhjeve, për arsyet e krizës dhe zgjidhjen e saj, tani diskutohet dekreti. Firma e Metës zhdekretoi vetëm audiopërgjimet e Bild dhe kauzën e zgjedhjeve të lira.Kriza u bë më e fortë, Presidenti më i dobët.
Featured image of article: Zhdekretimi i audiopërgjimeve që i riktheu fuqinë Edi Ramës

“Zgjedhje nuk do të ketë pa dekret te Presidentit”, tha Ilir Meta në ditën e dytë të konfliktit instucional.

Një konflikt i krijuar prej dekretit të paprecedentë që vetëm sa shfuqizoi dekretin. Ka ndodhur më parë që presidentët të nxjerrin dekrete për shtyrje të datës së zgjedhjeve, por asnjëherë për anullim të datës, asnjëherë nuk është lënë vendi pa datë zgjedhjesh me dekret nga Presidenti.

Ata precedentë të shtyrjes, në të vërtetë nuk kanë shprehur asnjëherë vullnetin personal të Presidentit, as vullnetin e Presidentit dhe njërës palë, por vullnetin e një marrëveshjeje ku janë përfshirë të gjitha palët.

Në kushtet kur Kushtetuta nuk e parashikon zhdekretimin, janë precedentët që vijnë në ndihmë. Më e vërtetë u duk sot, kur Presidenti e justifikoi firmën me informacione për trazira. Kishte dekretuar qëndrimin e tij politik dhe kërcënimet mediatike të partive.

Megjithatë nga ora 08.00 e ditës së hënë jemi në një krizë institucionale. Deri atë moment kishte krizë politike. E gjithë vëmendja ishte tek audiopërgjimet e publikuara nga gazeta më e madhe gjermane. Krerë të një bande kriminale, të regjistruar duke folur me drejtues të lartë të maxhorancës, flisnin per blerje votash dhe për kërcënime ndaj atyre që nuk do ta shkëmbenin votën me para apo vende pune.

Kauza e opozitës, e ngritur mbi këto akuza, të faktuara nga përgjimet, sapo kishte arritur apogjeun. E vetmja mbrojtje e autorëve të krimit zgjedhor, nga Edi Rama tek kandidati i Shijakut, ishte se nuk kishte prova por vetëm indicje.

Pavarësisht rrënimit moral, pavarësisht diskretitimit të skemës së zgjedhjeve të 2017, Edi Rama me vendosmërinë për të shkuar vetëm në 30 qershor, por shndërrohej në kërcënim.

Data e zgjedhjeve u shndërrua në afatin përfundimtar deri në marrëveshje, afat që i jepte fund zgjidhjes paqësore, një ylber që e shndërronte përfundimisht Ramën nga pjesë e zgjidhjes në pjesë të problemit. Mundësia për të dalë nga kriza politike përpara 30 qershorit ishte ende. Palët mund të binin dakord dhe Presidenti mund ta hidhte firmën e shumëpritur me konsensusin e palëve.

Pas anullimit të datës, nuk ka Presidenti nuk mund të dekretojë më, se data e zgjedhjeve nuk ekziston për atë dhe për opozitën. Kemi dy palë që diskutojnë për një datë.

Në tryezën e braktisur prej parakushteve dhe tabuve, u shtua edhe një dryn që nuk ka çelës që ta hapë.

Në vend të diskutimit për krizën e zgjedhjeve, për arsyet e krizës dhe zgjidhjen e saj, tani diskutohet dekreti. Juristët kanë dalë për të lexuar Kushtetutën herë nga e majta në të djathtë herë nga e djathta në të majtë. Mbi gjithë debatin ligjor që nuk ka asnjë vlerë, rri pa përgjigje shumë pyetje: Çfarë ndodh po u anullua 30 qershori? Kur do jenë zgjedhjet? Cfarë do t’i detyrojë partitë të ulen në tryezë? Kush përfiton nëse nuk bëhen zgjedhjet?

Në fakt me zhdekretimin e 30 qershorit, në fund fare kemi dy palë me sjellje të kundërta ndaj Kushtetutës. Nëse Edi Rama ishte nën presionin e audiopërgjimeve, nëse ishte nën akuzën e manipulimit të rezultatit nëpërmjet blerjes së votave, sot ai ështe nje nga 2 palët që, me të drejta të barabarta, pretendojnë se po mbrojnë Kushtetutën.

Firma e Metës zhdekretoi vetëm audiopërgjimet e Bild dhe kauzën e zgjedhjeve të lira.

Kriza u bë më e fortë, Presidenti më i dobët.

Shto Koment