Editorial

ANALIZA- Nëse fiket motori i turizmit, ekonomia shqiptare rifillon nga vitet ’90

Vetëm se, nëse do ikim 30 vjet pas, atëherë do të jemi 60 vjet larg turizmit ballkanik e automatikisht jashtë paketave turistike të Mesdheut. Atëhere nuk do të kemi më nevojë të mbjellim rrush për të bërë verë e kantina apo perime organike për restorantet me kuzhinë lokale.
Featured image of article: ANALIZA- Nëse fiket motori i turizmit, ekonomia shqiptare rifillon nga vitet ’90

Turizmi është sektori i ekonomisë me rritjen më të madhe në botë gjatë dy dekadave të fundit. Ai zë më shumë se 10 % të prodhimit të brendshëm bruto në ekonominë botërore dhe rritja e tij e përvitshme ishte 20-30 % sipas Organizatës Botërore të Turizmit.

Me situatën e re të pandemisë së Koronavirusit, ndalimi i dhunshëm i më shumë se 80% të ekonomisë botërore ka shkaktuar dëme kolosale dhe rreth 25 milionë të papunë të tjerë, pjesa dërrmuese e të cilëve në turizëm dhe transport. Nga e gjithë ekonomia e paralizuar, rënia e bursave, paralizimi i transportit ndërkombëtar ajror detar e tokësor, ndërprerja e prodhimit të produkteve jojetike dhe ngadalësismi i përgjithshëm i ekonomisë, turizmi është sektori që po provon goditjen dhe sfidën më të madhe qysh prej Luftës së Dytë Botërore, sipas Business Insider.

Nuk dihet ende se sa do të zgjasë periudha e izolimit sepse situata aktuale ndryshon me orë dhe parashikimi është i pamundur por ekspertët e ekonomisë e çojnë kohëzgjatjen nga tre muaj, deri në një vit, shoqëruar me pasoja të një rimëkëmbjeje të ngadaltë disavjeçare.  Duke parë dëmet kolosale nëpër botë, qeveritë e pothuaj të gjitha vendeve, krahas fondeve për emergjencat shëndetësore, për të përballuar sa më mirë që të jetë e mundur luftën me epideminë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore, kanë akorduar edhe fonde për vazhdimësinë e normalitetit të jetës së atyre që kanë mbetur pa punë, duke u përpjekur të minimizojë dëmet kolosale të ndalimit të ekonomisë.

Triliona dollarë e euro janë hedhur nga buxhetet shtetërore, në ndihmë të bizneseve mes tyre edhe ai i turizmit, për të shpëtuar ç`mund të shpëtohet dhe për të përfituar një rikuperim sa më të shpejtë, pasi të ketë kaluar kriza me emrin “Koronavirus”. Nisma të tilla të pashmangshme janë ndërmarrë jo vetëm nga vende të zhvilluara e me ekonomi të shëndoshë por edhe nga vendet e vogla të Ballkanit, të cilat e kanë turizmin kryefjalë të ekonomisë.

Koronavirus, “Tërmeti i dytë” për turizmin shqiptar

Po në Shqipëri? Teksa kanë kaluar vetëm 4 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë e teksa shpresa për të pasur një sezon turistik normal në një pjesë të qyteteve kryesore të vendit po ndizej pak nga pak, ardhja e konavirusit duket se po i vendos vulën përfundimisht sezonit turistik veror për vitin 2020.

Nëse ekonomia e vendit kishte marrë një goditje të fortë, turizmi shpresonte t’i rikuperonte humbjet me sezonin veror, sepse kur ndodhi tërmeti, fatmirësisht për shumëçka, ishim jashtë sezonit. Tani asnjë ekspert ekonomie nuk është në gjendje të flasë me shifra të sakta për humbjet por të gjithë bien dakord që ato do të jenë të pallogaritshme edhe me pak muaj epidemi. Nëse situata zgjatet, humbjet do të jenë fatale.
Shoqatat e biznesit turistik po kërkojnë mbështetje nga shteti për lehtësira fiskale dhe subvencione të pjesshme sepse aktualisht gjithçka është ndërprerë dhe situata e likuiditetit është kritike kudo. Dhe nga të gjitha negociatat e deritanishme, çka është përfituar është e papërfillshme në raport me pjesën që duhet të shpenzohet, për të ruajtur ngrehinën e turizmit.

Kredi për të paguar kredinë

Nëse bizneset e vogla, të vetëpunësuarit dhe familjet me ndihmë ekonomike do të përfitojnë pagën minimale, për të përballuar kostot e jetesës deri në kapërcimin e krizës, turizmi është lënë në mëshirë të kredive, të cilat nga shteti kanë vetëm garancinë por jo kostot e mbuluara.  Tur operatorët e mëdhenj e të vegjël, mbi shpinën e të cilëve rëndon gjithë barra e turizmit duhet të përballojnë në këtë periudhë pagat e punojësve, taksat e shtetit, qiratë e mundshme të godinave dhe nga ana tjetër, do të ngarkohen me një kredi, të cilën do të duhet të fillojnë ta paguajnë menjëherë pas mbylljes së krizës, kur mendohet të rifillojë situata normale ekonomike.  Por sa kohë duhet të kalojë që mekanizmi i ekonomisë të fillojë të gjenerojë aq të ardhura sa duhen për të paguar detyrimet dhe jo një, po tashmë dy kredi, në rastin e atyre që kanë kredi aktuale të marra për investimet e tyre dhe që nuk janë një grup i vogël?

Turizmi është prioritet por vetëm në letra

Është thënë shpesh prej eksponentëve të lartë shtetërorë që turizmi është prioritet dhe në fakt është ashtu ndonëse kjo kurrë nuk është treguar si duhet me vepra dhe politika efektive.

Le të bëjmë një llogari të thjeshtë që nuk ka nevojë për një ekspert ekonomie: turizmi numëron 150 mijë të punësuar formalë në të gjithë vendin, duke përbërë kështu një zë jo të vogël në sektorin e punësimit. Këtij numri mund t`i shtohet një armatë tjetër prej 500 mijë personash joformalë, që përbëhet nga familje dhe individë të cilët operojnë në turizëm me forma të ndryshme, që nga dhënia me qira e shtëpive dhe apartamenteve të tyre gjatë sezonit veror, e deri tek shitësit ambulantë që popullojnë dendur bregdetin.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Le ta lemë për njëherë tjetër debatin aq të rrahur për formalizimin e këtij grupi të stërmadh e të marrim për bazë vetëm faktin se ata e fitojnë jetën pa iu bërë barrë shtetit dhe sigurojnë me ata tre muaj sezon, të ardhura për pothuajse gjithë pjesën tjetër të vitit.

I shtojmë këtyre edhe një armatë të tretë, atë të prapavijës së prodhuesve lokalë, fermave bujqësore, ndërmarrjeve të vogla ushqimore e industriale, baxhove, kantinave, lëngjeve, birrave, prodhuesve të artizanatit, peshkatarëve, të cilët i kanë të lidhura prodhimet e tyre drejtpërdrejt me tregun turistik. Edhe nëse nuk janë të lidhur vetëm me tregun turistik por edhe me nevojat e përditshme të popullatës, sezoni turistik i ndihmon ata të sigurojnë të ardhura shumë më të mëdha sesa vetëm tregu i brendshëm i përditshëm. Ky grup i tretë prodhuesish, fermerësh e artizanësh kap një shifër prej më shumë se 50-60 mijë personash dhe po të marrim parasysh faktin se janë kryefamiljarë, pas tyre qëndron pra një numër afërsisht 200 mijë banorë që ushqehen me këtë aktivitet.

Mendoni tani sikur turizmi, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, të pushojë së ekzistuari si sektor i ekonomisë. Gati 700 mijë persona do të mbeteshin pa punë, duke paralizuar plotësisht edhe hallka të tjera të ekonomisë, që nuk i kemi përmendur në këtë llogari siç janë lavanderitë, kompanitë e pastrimit, ndërtuesit, ustallarët, hidraulikët, elektricistët dhe të gjithë “zanatçinjtë” e tjerë që punojnë e angazhohen në industrinë e turizmit, e cila është një kantier ku punohet çdo ditë.

Pse qeveria jonë nuk vepron si bota?

Këshilli Botëror i Turizmit i ka bërë thirrje qeverive të botës që të mos e neglizhojnë këtë situatë kritike dhe t`i ndihmojnë bizneset të mbijetojnë.

Tri janë shtyllat kryesore ku propozohet të vijë ndihma:

Pezullimi i taksave të të gjitha llojeve për 12 muaj

Pagesa e rrogave të punojësve.

Pezullimi i kredive ose kredi me interes zero, sipas rastit te secilit.

Jo më kot shtetet e Ballkanit kanë deklaruar të gjitha që do të mbështesin pa kushte, pa ndërlikime ligjore e me likuiditet të drejtpërdrejtë bizneset e turizmit, që ato të mos mbyten nga mungesa e oksigjenit që Koronavirusi i ka shkaktuar ekonomisë. Ato e kuptojnë shumë mirë që kur gara të rifillojë, atletët nuk duhet të jenë të drobitur e të sëmurë por të shëndetshëm e në gjendje të vrapojnë shpejt, që të rifitojnë edhe kohën e humbur.

Nëse qeveria shqiptare nuk e kupton këtë, nëse ajo nuk e pranon që dikur, në një fazë të caktuar e kritike (dhe besoj nuk do të ketë më asnjëherë fazë më kritike se kjo) duhet të zgjidhë qesen e të mos arsyetojë qorrazi nëpër labirinthe pamundësirash e gjendjeje lufte ku duhet të shtrëngojmë rripin, turizmi shqiptar, që bashkë me bujqësinë janë dy arteriet kryesore ku qarkullon gjaku i ekonomisë, do të pushojë së ekzistuari dhe kur të zgjohemi nga letargjia e Koronavirusit, do ta gjejmë veten edhe njëherë buzë viteve `90 të shekullit të shkuar, ku ashtu si tani nga Koronavirusi, ishim të lodhur e të drobitur nga izolimi i gjatë. Vetëm se, nëse do ikim 30 vjet pas, atëherë do të jemi 60 vjet larg turizmit ballkanik e automatikisht jashtë paketave turistike të Mesdheut. Atëhere nuk do të kemi më nevojë të mbjellim rrush për të bërë verë e kantina apo perime organike për restorantet me kuzhinë lokale. Na mjafton të mbjellim manifaktura në periferitë rurale të zonave urbane, ku do të punojnë për 150 mijë lekë të vjetra gratë e pashkolluara të familjeve të varfra, burrat e të cilave do të mbushin sërish sheshet me nga një lopatë në dorë, në kërkim të punës që “u kanë vjedhur” filipinasit që pritet të vijnë së shpejti.

Shënim: Autorja është gazetare që mbulon çështjet e turizmit prej kohësh në Travel Magazine. 

Shto Koment