Aktualitet

Ambasada e SHBA reagon për publikimin e draftit: Palët të dëgjojnë ‘Venecian’, të ruhet konfidencialiteti

Ambasada e SHBA shkruan se palët duhet të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshirë këtu dhe kërkesën për të ruajtur konfidencialitetin.
Featured image of article: Ambasada e SHBA reagon për publikimin e draftit: Palët të dëgjojnë ‘Venecian’, të ruhet konfidencialiteti Ambasada e SHBA dhe Komisioni i Venecias

TIRANË- Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar pas publikimit të pjesëve të draftit të opinionit të Komisionit të Venecias në lidhje me procesin e zgjedhjeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ambasada e SHBA shkruan se palët duhet të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshirë këtu dhe kërkesën për të ruajtur konfidencialitetin.

Më tej në reagim shkruhet se SHBA mirëpret deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë.

“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë”, shkruhet në reagim.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Komisioni i Venecias u ka dërguar palëve politike në Shqipëri draft-opinionin për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas burimeve të Dosja.al në këtë draft shkruhet se Presidenti nuk mund të shkarkohet pasi ka vepruar sipas ligjit. Më tej shtohet se mënyra e veprimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është e dyshimtë dhe se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment