Politike

Alvini u shpëtua, Lleshaj mbërrin në Bejrut për fëmijët e tjerë: Kam ardhur të shoh mundësitë

Në një lidhje me skype nga Bejruti, Lleshaj tha për Top Channel se Alvini pavarësisht gjendjes së rënduar, u shpëtua shëndoshë e mirë.
Featured image of article: Alvini u shpëtua, Lleshaj mbërrin në Bejrut për fëmijët e tjerë: Kam ardhur të shoh mundësitë sANDëR lLESHAJ

TIRANË– Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, bashkë me konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban Mark Ghorayeb, ishin të parët që pritën daljen e 11-vjeçarit Alvin Berisha nga kampi Al Holit në Siri. Në një lidhje me skype nga Bejruti, Lleshaj tha për Top Channel se Alvini pavarësisht gjendjes së rënduar, u shpëtua shëndoshë e mirë.

Sigurisht që është një fëmijë që vjen nga ferri dhe gjendja e tij fizike dhe psikologjike është e rënduar, por fatmirësisht është mirë dhe flet shqip. Një lajm i mirë që flet shqip dhe thotë jam shqiptar. Është një rast shumë fatlum dhe jemi të gjithë shumë të lumtur që më në fund arritëm të mundësojmë këtë kthim të tij në mundësi”.

Ministri Lleshaj tha se ky operacion u realizua falë bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me ato italiane dhe forcat e sigurisë libaneze.

Vështirësia e këtij operacioni lidhet edhe me faktin që po bëjmë gati një javë që jemi këtu, pra vërtetë që ishte një ndërmarrje mjaft e ndërlikuar. Duhej që të mos bëhej asnjë gabim. U bë e mundur sot që rreth orës 11, ose orën 10 me të Shqipërisë, ai të kalonte në zonën e ndërmjetme midis Sirisë dhe Libanit, ku u prit nga forcat tona dhe ato Libaneze”

Lleshaj tha se prezenca e tij në Liban lidhet me faktin që po shikohen hapësira për të tjerë operacione shpëtimi.

Kam ardhur këtu për të parë mundësitë e një operacioni tjetër të gjerë, i cili do të mundësojë kthimin e fëmijëve të tjerë. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë këtu dhe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të konsullit tonë të nderit, i cili ka luajtur një rol shumë të madh në këtë operacion. Ka mundësuar që një pjesë e madhe e trupave të sigurisë së Libanit të jenë në shërbimin tonë në këtë ditë. Unë kam pasur kontakte me autoritete të larta, me ministrin e brendshëm të Libanit, me autoritete të tjerë, me kryqin e kuq, më gjymë hënën e kuqe, dhe po shohim mundësinë e ndërtimit të një korridori i cili do të na hapë dritë jeshile edhe për evakuimin e fëmijëve të tjerë.

Sërish në operacionet e shpëtimit është angazhuar konsulli i nderit të Shqipërisë në Liban, i cili ka dhënë një ndihmë shumë të madhe në vendosjen e lidhjeve të duhura që bënë të mundur kthimin e 11-vjeçarit, Alvin Berisha.

Marrë nga Top Channel

(F.M/DOSJA.AL)

Shto Koment