Politike

Akuzat për lobim ndaj Bashës, Alibeaj rikthen çështjen e fotos së Ramës me Obama-n: Nga erdhën 80 mijë dollarët

Ish-deputeti i PD-së shtoi se kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet të deklarojnë burimin e 80 mijë dollarëve që u paguan, duke mos bërë asnjë lloj komenti mbi artikullin e "Bild", që akuzonte Bashën për lobimin në ShBA, dhe shumën prej 675 mijë dollarë, të cilat sipas medias gjermane, PD i përdori për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE.
Featured image of article: Akuzat për lobim ndaj Bashës, Alibeaj rikthen çështjen e fotos së Ramës me Obama-n: Nga erdhën 80 mijë dollarët Enkeled Alibeaj
Përditësuar:

TIRANË– Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka rikthyer sot në fokus çështjen e fotos së kryeministrit Edi Rama me ish-presidentin e SHBA-ve, Barack Obama, duke kërkuar që të vërtetohet burimi i 80 mijë eurove që u paguan për atë shkrepje. Në një deklaratë për mediat, një ditë pasi media gjermane “Bild”, publikoi dhe fshiu një artikull kundër kryedemokratit Lulzim Basha në lidhje me lobimin në SHBA-, Alibeaj ka zgjedhur këtë mënyrë kundërpërgjigjeje. 

Ish-deputeti i PD-së shtoi se kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste duhet të deklarojë burimin e 80 mijë dollarëve që u paguan, duke mos bërë asnjë lloj komenti mbi artikullin e “Bild”, që akuzonte Bashën për lobimin në ShBA, dhe shumën prej 675 mijë dollarë, të cilat sipas medias gjermane, PD i përdori për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE. Alibeaj shtoi se qytetarët presin që drejtësia shqiptare të jetë e paanshme për të nxjerrë të vërtetën e këtij financimi. 

“Edi Rama po dështon në strategjinë për të akuzuar opozitën për punët e pista që bën vetë. Dështoi me prokurorinë që e mbajti nën kontroll 2 vjet për një akuzë qesharake dhe të gënjeshtërt për të sulmuar Partinë Demokratike dhe liderin e opozitës. Dështoi me shqiptarët që e kanë bërë personazh mallkimesh dhe barcaletash, dështoi me mediat ndërkombëtare prestigjioze. Të gjithë këta, shqiptarët, media dhe prokuroria politike e dinë për fakt të vërtetë, të provuar nga drejtësia amerikane, se fotoja e Edi Ramës me Barack Obamën është kryer përmes një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh.

Të gjithë e dinë së për atë foto, Edi Rama u paraqit si gruaja e shtetasti amerikan Bilal Shehu, i cili sot është i dënuar nga drejtësia amerikane, bashkë me shtetasin tjetër amerikan William Argeros, për përdorimin e fondeve të huaja në zgjedhjet amerikane. Tre persona janë përgjegjës për foton e Edi Ramës me Barack Obamën, e cila u krye nëpërmjet një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh: Bilal Shehu, William Argeros  dhe Edi Rama. Dy prej tyre janë tashmë të dënuar nga drejtësia Amerikane. I treti, Edi Rama, vijon të jetë mbi ligjin. Sot, ironia për ta paraqitur Edi Ramën si “gruaja e Bilalit”, nuk mjafton. Ne jemi këtu për të theksuar se pas dënimit të dy bashkëpunëtorëve të tij, Bilali dhe Argeros, i takon Edi Ramës të merret si i pandehur, sepse shuma prej 80 mijë dollarësh, vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama, as nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Qytetarët presin që drejtësia shqiptare të jetë e paanshme. Për të nxjerrë të vërtetën e financimit të paligjshëm të fotos 80 mijë dollarëshe të Edi Ramës, sot kërkohet standardi i drejtësisë amerikane,“- u shpreh Alibeaj.

Dje, gazeta më e madhe gjermane “BILD”, publikoi një shkrim për lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shumës perj 675 mijë dollarë. “Bild” shkruante se paratë u “paguan nga rusët për Nick Muzin”, dhe PD më pas i përdori për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE. Shkrimi është fshirë sot në mëngjes, ku prej orës 08:50, artikulli nuk gjendet më në faqen e ‘BILD’, dhe gazeta nuk ka dhënë asnjë sqarim. As Partia Demokratike nuk ka reaguar për artikullin në fjalë, por është mjaftuar me disa shkrime në media pranë selisë blu, që kanë akuzuar ‘BILD’ se është blerë nga milionat e oligarkëve, ndërsa disa të tjera, shkruajnë se ishte kryeministri Edi Rama që arriti të piratonte për disa orë faqen e BILD. Por pse akuzohet Lulzim Basha? Gjykata e Tiranës, vendosi të pushonte çështjen kundër Lulzim Bashës, pasi sipas gjykatës, me argumentimin se nuk ekziston ‘fakti penal’. PD akuzohet se ka marrë një shumë parash nga rusët për të paguar lobistin amerikan Nikolas Muzin në vitin 2017, ndërkohë që sipas prokurorisë, PD nuk i ka deklaruar kurrë këto para.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment