Aktualitet

Akuzat për shpërdorim detyre/ Gjykata e Posaçme rrëzon kallëzimin e Shkëlzen Berishës ndaj Taulant Ballës

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar pretendimet e Shkëlzen Berishës për hetim të Taulant Ballës për akuzën e “nxjerrjes së akteve sekrete” dhe “shpërdorim të detyrës”.
Featured image of article: Akuzat për shpërdorim detyre/ Gjykata e Posaçme rrëzon kallëzimin e Shkëlzen Berishës ndaj Taulant Ballës Taulant Balla dhe Shkëlzen Berisha

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar pretendimet e Shkëlzen Berishës për hetim të Taulant Ballës për akuzën e “nxjerrjes së akteve sektete” dhe “shpërdorim të detyrës”.  Berisha pretendoi se gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, Taulant Balla ka publikuar akte personale të transaksioneve tatimore të tij në kundërshtim me ligjin. Ai i kërkoi Gjykatës së Posaçme të prishte vendimin e ish-Prokurorisë për Krimet e Rënda për mosfillim procedimi penal ndaj Ballës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Nga përmbajtja e kallëzimit rezulton se, kallëzuesi pretendon se me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 30/2016 është ngritur Komisioni hetimor me objekt “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të Shtetit Shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i marrëveshjes së shitjes së 76% të aksioneve, miratuar me ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009…”, kryetar i të cilës është caktuar deputeti Taulant Balla. Në mbledhjen e datës 15.02.2017, me cilësinë e drejtuesit të këtij komisioni, deputeti Taulant Balla me pretekstin e administrimit të dokumentacionit të nevojshëm për  realizimin e objektit të punës së komisionit hetimor që drejtonte, ka administruar në kundërshtim me ligjin edhe dokumentacionin sensitiv lidhur me transaksionet bankare të kallëzuesit, në lidhje me të ardhurat dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore nga ana e kallëzuesit. Po ashtu në kundërshtim me ligjin ka keqpërdorur dokumentacionin e mësipërm duke e shpërndare publikisht në faqen e vet Facebook.”, thuhet në kërkesë. 

Fillimisht, kallëzimin Berisha e bëri në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen në dorë të Gjykatës Penale të Tiranës. Kjo e fundit, duke qenë e paqartë në lidhje me kompetencën ia kaloi Gjykatës së Lartë.  Supremja vendosi që çështja të merrej nën shqyrtim përfundimisht nga Gjykata e Posaçme.
Kujtojmë që Balla ngriti akuzat lidhur me provat e publikuara për çështjen “CEZ” nga komisioni hetimor se Shkëlzen Berisha ka shmangur taksat dhe se pasurinë e ka vendosur si sekser.
J.V/Dosja.al

Shto Koment