AktualitetPolitike

Aksioni për kontrollin e HEC-eve, Klosi e Balluku dëgjesë në Labinot Mal: Skanim i çdo kontrate

Ndërtimi i hidrocentraleve ishte fokusi i dëgjesës së zhvilluar në Labinot Mal. Ministrat Balluku e Klosi garantuan se do të skanohet çdo kontratë e firmosur dhe se qeveria është në një fazë reflektimi për të kuptuar nëse vendimmarrja për HEC-et është rruga e duhur.
Featured image of article: Aksioni për kontrollin e HEC-eve, Klosi e Balluku dëgjesë në Labinot Mal: Skanim i çdo kontrate Blendi Klosi, minister i Turizmit dhe Belinda Ballu, ministre e Energjisë gjatë dëgjesës në Labinot Mal

ELBASAN- Pas dëgjesës publike në kanionin e Holtës në rrethin e Gramshit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi kanë zhvilluar një tjetër bashkëbisedim, kësaj radhe me banorët e fshatit Labinot Mal në qarkun e Elbasanit. Dy ministrat kanë dëgjuar shqetësimet e banorve lidhur me çështjen e ujit të burimit të fshatit, i cili i është dhënë kompanisë “Labinot Fushe shpk” për të ndërtuar HEC. Ministrja e Energjisë Belinda Balluku ka thënë se kompanitë që marrin leje ndërtimi për HEC-e duhet të respektojnë kontratat.

Duhen respektuar kontratat të cilat janë lidhur për krijimin apo zhvillimin e këtyre HEC-eve. Sepse shpesh ndodh, që duke vënë HEC-et në punë kanë ngelur fshatrat pa ujë, pa ujë vaditje, pa ujë të pijshëm dhe sidomos përsa i përket blegtorisë. Ne kemi ngritur grupe pune, AKBN-ja e cila ka tagrin për të monitoruar HEC-et, bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe me një grup të përbashkët nga Ministria e Mjedisit, kemi nisur punën për ti skanuar të gjitha këto HEC-e. Do jenë vendime të cilat nuk mund ti krijojnë kosto buxhetit të shtetit, pra ne nuk do të prishim kurrë në mënyrë arbitrare kontratat, por nga ana tjetër jemi të predispozuar plotësisht për të mbrojtur të drejtat e banorëve kudo që ato ndodhen dhe për të ruajtur pjesën mjedisore e cila vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë edhe për vetë ju.

Belinda Balluku, ministre e Insfrastrukturës dhe Energjisë

Ndërsa ministri i Mjedisit, Blendi Klosi në fjalën e tij tha se ministria po analizon të gjithë problematikën e shfrytëzimit të burimeve ujore në Shqipëri.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ne jemi këtu për të dëgjuar opinionin tuaj, jemi këtu për të kuptuar vlerat që ka i gjithë ky burim ujor nga pikëpamja e natyrës dhe jo vetëm nga pikëpamja e jetës, por sa ndikon ai në jetën e gjallesave të kësaj zone, në veprimtarinë bujqësore, sa ndikon në pyjet e kësaj zone, si ndikon në gjithë gjallërimin e jetës këtu, sa ndikon në procesin e ujitjes, sa ndikon në jetën e komunitetit. Pra, ne duam të kuptojmë nga biseda me ju, nëse vendimmarrja që është marrë deri tashmë përsa i përket HEC-it a është e drejtë apo e gabuar. Ne duam të kuptojmë nëpërmjet bisedës me ju sesa vlera ka që ne të gjejmë raportin e drejtë ku kemi mundësi për të zhvilluar industrinë dhe për të prodhuar energji të gjelbër, ku kemi mundësi që të mbrojmë mjedisin, natyrën dhe të dëgjojmë komunitetin.

Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit

Shto Koment