Ekonomi

Dështon aksioni anti-informalitet? S’ka rezultate në muajin e parë, buxheti në korrik u rrit më pak se 1%

Ndonëse ky ishte muaji i parë i aksionit kundër informalitetit, burime nga financat pohuan se është shpejt për të pritur rezultatet dhe efekti do të fillojë të duket me të dhënat e muajit gusht.
Featured image of article: Dështon aksioni anti-informalitet? S’ka rezultate në muajin e parë, buxheti në korrik u rrit më pak se 1% Karburant i bllokuar nga Tatimet
TIRANË- Të ardhurat që administrata tatimore dhe doganore ka mbledhur në buxhet në korrik, që përkon me fillimin e aksionin kundër informalitetit ishin 39.2 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat kanë shënuar një rritje minimale prej 0.9%. Duke pasur parasysh inflacionin, që është rreth 1.5% dhe rritjen ekonomike prej rreth 2%, të ardhurat reale rezultojnë me rënie.

Performanca e dobët e korrikut u ndikua nga TVSH-ja, ardhurat e të cilës vijuan me rënie prej 3% në raport me korrikun 2018, duke arritur në 12.6 miliardë lekë. TVSH është një tregues direkt i konsumit në ekonomi dhe korriku përgjithësish pritet të ketë konsum të shtuar për shkak të rritjes së turizmit në vend, çka nuk duket të jetë reflektuar në buxhet. Zëri tjetër me tkurrje më të thellë ishte ai i taksave nacionale (kryesisht renta) që ranë me 30%.

Ndonëse ky ishte muaji i parë i aksionit kundër informalitetit, burime nga financat pohuan se është shpejt për të pritur rezultatet dhe efekti do të fillojë të duket me të dhënat e muajit gusht.

7 mujori, shpëtohet nga tatim fitimi, dividendit dhe taksa e infrastrukturës

Në total, për 7 mujorin, të ardhurat në buxhet ishin 265.3 miliardë lekë, me një rritje prej 3.7% me bazë vjetore.

Efektin kryesor në këtë zgjerim e ka dhënë tatimi mbi të ardhurat personale (që ka ndikuar në  55% të të ardhurave totale). Të ardhurat nga ky zë u rritën me 25%, duke arritur 26 miliardë lekë. Arsyeja kryesore lidhet me uljen e tatimit nga 15 në 8%, ku u përfshi dhe dividendin e pashpërndarë i viteve të kaluara, të cilin subjektet kishin afat ta shpërndanin deri në 20 gusht të këtij viti.

Të ardhurat nga TVSH, zëri kryesor në buxhet, ranë me 3% për 7 mujorin, duke zbritur në 78.5 miliardë lekë. Tkurrja ka ardhur si rrjedhojë e rënies së TVSH-së së brendshme. Ministrja e financave ka pohuar pak kohë më parë se kishin vënë re ulje të deklarimeve të bizneseve dhe kjo ishte dhe një nga arsyet pse filloi aksioni anti-informalitet. Bizneset ndërkohë kanë pohuar se ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, efektive nga marsi i vitit të kaluar, ka rritur më shumë evazionin te subjektet e vogla, të cilat nuk marrin faturë në mënyrë që të mos kalojnë pragun e TVSH-së. Për 6 mujorin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me gati 13%.

Tatim fitimi kishte ecuri pozitive, me të ardhurat që u rritën me 13%. Të hyrat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u rritën përkatësisht me 5.6 dhe 6.2%.

Ecuri pozitive kishin dhe të ardhurat nga pushteti lokal, të ndikuara nga taksa lokale, që u zgjerua me 30%, kryesisht si rrjedhojë e të hyrave nga taksa e infrastrukturës, teksa sidomos kryeqyteti ka dhënë një numër të lartë të lejeve të ndërtimit.

(Marrë nga Monitor.al)

Shto Koment