
ELBASAN- Policia e Elbasanit ka zbuluar dhe ka kapur autorin e dyshuar për një aksident të ndodhur në këtë qytet, ku humbi jetën një 24-vjeçar.
Sipas një njoftimi nga uniformat blu, bëhet me dije se sot është ndaluar shtetasi H.P. 51-vjeç, i cili dyshohet të jetë autori i kësaj ngjarjeje.

“Specialistët e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas një pune të mirëorganizuar hetimore, bazuar në provat shkencore të grumbulluara bënë identifikimin dhe ndalimin me iniciativë të autorit të dyshuar të aksidentit me pasojë vdekjen e shtetasit G.H., ndodhur më 13 shkurt 2019 në aksin rrugor Elbasan- Metalurgji, në fshatin Katund i Ri, ku pas aksidentit drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.
Po ashtu bëhet me dije se për këtë ngjarje janë proceduar në gjendje të lirë dhe dy persona të tjerë për verpa penale, “Moskallëzim krimi” dhe “Kallëzim i rremë”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
(A.B. Dosja.al)