Aktualitet

Agim Kajmaku pritet të fitojë betejën e parë me drejtësinë, shefja e protokollit të Bashkisë Vorë mund t’i lehtësojë pozitat me dëshminë e saj

Pozitat e Kajmakut mund të lehtësohen, pasi shefja e protokollit në Bashkinë e Vorës ka ndryshuar dëshminë e saj.
Featured image of article: Agim Kajmaku pritet të fitojë betejën e parë me drejtësinë, shefja e protokollit të Bashkisë Vorë mund t’i lehtësojë pozitat me dëshminë e saj Agim Kajmaku, ish-kreu i Bashkisë Vorë

TIRANË- Agim Kajmaku, ish-kreu i Bashkisë së Vorës, është ende në arrati, pasi kërkohet nga Policia, në një kohë që gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë. Kajmaku, i shkarkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, akuzohet për falsifikim të disa dokumentave, të cilat janë nënshkruar prej tij ditën e fundit të detyrës. Por, duket se pozitat e Kajmakut mund të lehtësohen, pasi shefja e protokollit në Bashkinë e Vorës ka ndryshuar dëshminë e saj. Nesër pritet që të zhvillohet seanca dhe gjithçka do varet nga shefja e protokollit dhe për ish-kreun e Bashkisë Vorë, mund të caktohet masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Prokuroria ka ngritur disa akuza për Kajmakun, pasi në ngarkim të tij janë disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal. Akuzat kundër tij janë ngritur, pasi dyshohet se ai ka marrë vendime pas KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra. Pasi KQZ kishte marrë kundër tij, ai ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person. Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

(A.B.;E.K/ Dosja.al)

Shto Koment