Bota

Administrata e Bidenit apelon vendimin për ekstradimin e Assangeit

Apeli e ka bërë të qartë qëllimin e Bidenit për të gjykuar Assangein për spiunim dhe akuza tjera të lidhura me hakim, për publikimin e qindra mijëra dokumenteve diplomatike dhe ushtarake të SHBA-së më 2009, përmes faqes WikiLeaks.
Featured image of article: Administrata e Bidenit apelon vendimin për ekstradimin e Assangeit Julian Assange

SHBA- Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka apeluar vendimin e Britanisë së Madhe kundër ekstradimit të themeluesit të faqes WikiLeaks, Julian Assange, ka njoftuar një zyrtar i Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Apeli e ka bërë të qartë qëllimin e Bidenit për të gjykuar Assangein për spiunim dhe akuza tjera të lidhura me hakim, për publikimin e qindra mijëra dokumenteve diplomatike dhe ushtarake të SHBA-së më 2009, përmes faqes WikiLeaks.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka pasur kohë deri të premten për të apeluar vendimin e gjyqtares Vanessa Baraitser, e cila ka thënë se Assange vuan nga probleme mendore dhe dërgimi i tij në SHBA do të mund të ndikonte që ai të tentojë të kryejë vetëvrasje.

“Po, ne kemi apeluar vendimin dhe do të vazhdojmë të kërkojmë ekstradim”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Marc Raimondi për agjencinë e lajmeve AFP.

Grupet për të drejta të njeriut i kanë bërë presion Bidenit që të hedhë poshtë këtë rast, i cili ngrit çështje të lidhura me transparencë dhe liri të mediave.

Kur WikiLeaks kishte nisur të publikonte sekretet amerikane më 2009, administrata e ish-presidentit amerikan Barack Obama, nuk është marrë me këtë rast.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Assange ka thënë se WikiLeaks nuk është ndryshe nga mediat tjera të mbrojtura me kushtetutë për publikim të materialeve të tilla.

Më 2019, australiani Assange është akuzuar sipas Aktit amerikan të Spiunimit për kryerje të komplotit dhe për dhënie të urdhrave për të tjerët në periudhën 2009-2019, me qëllim të sigurimit dhe publikimit të sekreteve amerikane në mënyrë joligjore.

Nëse dënohet për të gjitha akuzat, Assange, 49-vjeçar, mund të përballet me dënim deri në 175 vjet.

Ai aktualisht është në mbajtje nga autoritetet britanike, në pritje të vendimit për apel.

Marrë nga: REL 

(A.k.dosja.al)

Shto Koment