Editorial

A mjaftojnë protestat për të hequr Ramën?

Ata që i thanë "Po" rrethimit te "godinës së krimit", ikën më të paqartë, me më pak shpresë tek mënyra që opozita ka zgjedhur për të rrëzuar Edi Ramën. Presioni ndaj Kryeministrit nuk mund të jetë vetëm protesta që mbledh militantët, mbështetësit, simpatizantët dhe të pakënaqurit, por edhe bashkëbisedimi që krijon besim tek dyshuesit brenda dhe jashtë vendit.
Featured image of article: A mjaftojnë protestat për të hequr Ramën?

Për 4 orë, qindra metra kub gaz lotsjellës dhe dhjetra botë me ujë. Protesta kaloi nga rezistenca pa afat e Flamur Nokës, tek thirrjet anglisht të Lulzim Bashës.

Nga Noka tek Basha nuk u kuptua cfarë ndodhi; u lodhën protestuesit, u trembën nga ultimatumi i policisë për shpërndarje me dhunë, u tërhoqën nga mesazhet e ambasadorëve apo ajo e rrethimit pa afat ishte vetëm një lojë.

E sigurtë është që, ata që erdhën me shpresën se numërimi mbrapsht do të përfundonte sot, me padurimin për të zbrazur zemërimin, apo me mendjen e fjetur për të ndenjur zgjuar pa afat përreth Kryeministrisë, u kthyen shpresëkëputur.

Ata që i thanë “Po” rrethimit te “godinës së krimit”, ikën më të paqartë, me më pak shpresë tek mënyra që opozita ka zgjedhur për të rrëzuar Edi Ramën.

Mediat që kishin planifikuar ndarjen e turneve për të mos humbur asnjë moment nga maratona e rezistencës, janë dike ribërë llogaritë, ndërsa Edi Rama, i lehtësuar, me siguri është penduar që e mbylli shpejt koncertin me fëmijët e Beratit.

5 të dëmtuarit nga gazi lotsjellës i përdorur si në kampe përqëndrimi, janë bilanci i protestës së 16 marsit.

Priten arrestimet, provedimet dhe deklarimet për ta mbyllur atë që tashmë është bërë një skemë komode për të gjitha palët. Aq komode sa mund të zgjasë edhe 2 vjet të tjera.
çfarë shkon gabim?

A mund të shkohet edhe 2 vjet kështu, duke bërë sikur, ndërkohë që destabilizimi politik sjell pasoja në mirëqënien e njerëzve dhe sigurisht në ekonominë e vendit?

Ndërsa Edi Rama nuk e lëshon vendin edhe me koston që investimet publike të bëhen gaz losjellës, xhama dhe pllaka, edhe me koston e diskretitimit publik, ndërsa është kapur në flagrancë duke shpërdoruar paratë publike në favor të miqve të tij, ndërsa është regjistruar nga Prokuroria duke blerë votat me para të padeklaruara për mbajtur pushtetin, duket se lëvizjet e opozitës nuk mjaftojnë.

Këtë e tregojnë edhe skenaret e protestave që ndryshojnë më minuta, edhe mungesa e besimit e Komunitetit Ndërkombëtar për qëllimet e radikalizimit të qëndrimeve.

Presioni ndaj Kryeministrit nuk mund të jetë vetëm protesta që mbledh militantët, mbështetësit, simpatizantët dhe të pakënaqurit, por edhe bashkëbisedimi që krijon besim tek dyshuesit brenda dhe jashtë vendit.

Parlamenti qesharak i Edi Ramës, ka nevojë për të kundërtin e tij, një Parlament përfaqësues, që nuk i duhet godina për të qenë i tillë.

Një parlament që mblidhet çdo të enjte, ku të përfaqësohen të gjithë dhe ku opozita të ketë proporcionin e vet të përfaqësimit, do tëbishte presioni më i madh ndaj parlamentit të dizenjuar nga bandat kriminale dhe paratë e hashashit.

Këtë Parlament nuk e shpërndan dot me gaz lotsjellës, me ujë apo me dhunë, nuk e blen dot me para të pista dhe nuk e kontrollon dot me dosje korrupsioni.

2 Komente në “A mjaftojnë protestat për të hequr Ramën?

  1. Well done!

  2. Diktatorët nuk rrëzohen me protesta por me revolucion e kryengritje

Shto Koment