Aktualitet

A ishte Martin Camaj bashkëpunëtor i Sigurimit? Gentiana Sula: Dosja ka 22 faqe, ka qenë subjekt 2A. Ishte gati për tu arrestuar

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve tha se dosja kundër Camajt ka 22 faqe, por shtoi se nuk ka qenë bashkëpunëtor dhe ishte bërë gati të arrestohej.
Featured image of article: A ishte Martin Camaj bashkëpunëtor i Sigurimit? Gentiana Sula: Dosja ka 22 faqe, ka qenë subjekt 2A. Ishte gati për tu arrestuar

TIRANË– Kryetarja e Autoritetit për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, ka folur sot për Martin Camajn dhe nëse shkrimtari ka qenë bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit.

E ftuar në Syri Tv, Sula ka paraqitur në emision një fashikull pune me emrin e Martin Camaj, për të cilën thotë që nuk është dosja e një bashkëpunëtori, por e survejimit që Sigurimi i Shtetit i ka bërë Camajt për ta rekrutuar si bashkëpunëtor. Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve tha se dosja kundër Camajt ka 22 faqe, por shtoi se nuk ka qenë bashkëpunëtor dhe ishte bërë gati të arrestohej.

Dosja është deklasifikuar vitin e kaluar në janar. Nuk bëhet fjalë për dosje bashkëpunimi, por për një fashikull pune. Subjekti është 2A, që do të thotë se ishte bërë gati për arrest. Dosja ka 22 faqe. Duhet lexuar me shumë kujdes. Martin Camaj ka qenë shumë inteligjent, ka pasur një shkollim të mirë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sigurimi është përpjekur t’i vrasë moralisht. E thashë edhe njëherë që është dosje survejimi. Duhet të kuptojmë që një dokument sigurimi është një dokument i një policie politike, militare, e cila funksiononte mbi ligjin. Një policie që ka pasur jetën e njerëzve në dorë. Ka pasur nëj qëllim. Qëllimi ka qenë përpunimi. Një dokument nuk tregon kush është personi”, u shpreh Sula.

Disa ditë më parë, Auron Tare botoi studimin për dy shkrimtarët, Ernest Koliqin dhe Martin Camajn. Në studim, Tare ka marrë si referencë shkollimin e Camajt, punën në Radio Beogradi dhe përfshirjen në Komitetin e Prizrenit, e cila sipas tij ishte një organizatë, përmes së cilës UDB kishte ndërtuar një rrjet spiunazhi në Shqipëri dhe diasporë. Përsa i përket Koliqit, Tare shkruan, se ka qenë një agjent i CIA-s dhe ka mbështetur ardhjen e Camajt në Romë. Gjithashtu ai shton, se Koliqi ka ndihmuar Camajn, për të kapërcyer dyshimet se ishte i dërguar i komunistëve. Menjëherë pas publikimit të studimit, është ndezur debati publik. Studiuesi Ardian Ndreca e ka quajtur dashakeq dhe të sajuar studimin. Ndërkohë shkrimtari Primo Shllaku ka kërkuar që Akademia e Shkencave të dalë me një qëndrim dhe debati të mos bëhet në Facebook. Së fundmi ka reaguar edhe mbesa e Martina Camajt, Vera Camaj, e cila ka hedhur poshtë të gjithë argumentat e publikuara.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment