Blog

A është Samir Mane modeli i duhur për t’u promovuar në shoqërinë tonë?!

Unë njoh një mik që nuk e ka eksperiencën e zotit Mane në biznes. Por këshilla e tij më duket më interesante: bëhu i afërt me qeverinë.
Featured image of article: A është Samir Mane modeli i duhur për t’u promovuar në shoqërinë tonë?! Saimir Mane

TIRANË– Studentët e dy universiteteve private në Shqipëri morën ditët e fundit, thuajse në mënyrë të koordinuar një këshillë se si të jenë të suksesshem në biznes.

Këshilla ishte: E para, provoni të bëheni sipërmarrës, e dyta provoni të bëheni sipërmarrës dhe e treta provoni të bëheni sipërmarrës. Kurse këshilltari ishte Samir Mane, biznesmeni i dytë më i fuqishëm në vend.

Unë njoh një mik që nuk e ka eksperiencën e zotit Mane në biznes. Por këshilla e tij më duket më interesante: bëhu i afërt me qeverinë.

Nëse arrin të kesh ndikim në qeveri, atëherë rrugët e suksesit janë të pafundme.

Së pari, mund të fitosh miliona euro duke mbledhur borxhet që ka shtetit. Ndërton disa kompani për mbledhjen e borxheve. Pastaj ndikon qeverinë që t’i shlyejë borxhet përmes kompanive të tua.

A mund të ndodh kjo? Sigurisht.

Në vitin 2010, qeveria shqiptare urdhëroi kompanitë ujësjellësave që të shlyenin borxhet e tyre ndaj CEZ, kompanisë në atë kohë private të shpërndarjes së energjisë. Por borxhet nuk u shlyen direkt nga ujësjellësit tek CEZ, por kaluan përmes kompanive private të mbledhjes së borxheve.

Për çdo 1 milionë euro borxhe që ujësjellësi i paguante CEZ, kompanitë ndërmjetëse merrnin deri në 500 mijë euro, pra gjysmën. Dhe ishin dhjetëra milione euro borxhe që u shlyen.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Së dyti, shënjestro një sektor strategjik, fjala vjen si minierat. Nëse aty është sakaq një kompani private, prit se do te vijë momenti. Një ditë privati mund të largohet. Pastaj ti e ble kompaninë për 30 milionë euro, por ndërkohë nuk paguan asnjë lekë nga xhepi yt. Ato 30 milionë euro janë tvsh e parimbursuar që investitori shitës kishte për të marrë në shtet. Ai nuk i merrte dot, por ti mund t’i marrësh falë lidhjeve që ke në qeveri. Kështu që shtie në dorë një aset strategjik pa paguar asnjë cent.

Së treti, ti mund të diktosh rregullat e lojës. Mund të ulesh pragun e xhiros duke futur bizneset e vogla në tvsh. Kështu tregu pastrohet nga konkurrenca. Dyqanet e vogla shfarosen dhe i gjithë tregu është për qendrat tregtare.

Së katërti, mund të shkruash ligjet. Fjala vjen mund të diktosh heqjen e taksave në sektore të caktuar ku ti ke interesa. Turizmi për shembull është një sektor me potencial të lartë.
Së pesti, mund të fitosh miliona euro vetëm me trafikun e influencës. Mund të shesësh leje ndërtimi, mund të blesh lirë pronat nga të tjerët që nuk marrin dot leje ndërtimi dhe më pas t’i shesësh shtrenjtë.

Sa rrugë të pafundme ka suksesi. Mjafton të njohësh dhe kontrollosh njerëzit e duhur, domethënë qeverinë.

Por pyetja është kjo: A është ky modeli që i duhet promovuar shoqërisë?

Marrë nga: Bold News

(a.m./dosja,al)

Një Koment në “A është Samir Mane modeli i duhur për t’u promovuar në shoqërinë tonë?!

  1. eshte fatkeqesia dhe llumi i shoqeris tone ska anjre vler ka nje vetem grabiqare dhe hajdite me tendera e ku di une qe i di vetem ata qe shkatrojne shqiperin

Shto Koment