Politike

“8 dhjetori”/ Pasi anuloi tubimin, Meta: Demokracia nuk negociohet, të rinj merrni në dorë fatet e atdheut (si Azem Hajdari)

  • Sot 29 vite nga Lëvizja Studentore e dhjetorit, ‘lufta’ e të rinjve për demokraci
  • Meta shprehet se demokracia nuk negociohet, por mbrohet me çdo çmim.
    Featured image of article: “8 dhjetori”/ Pasi anuloi tubimin, Meta: Demokracia nuk negociohet, të rinj merrni në dorë fatet e atdheut (si Azem Hajdari) Ilir Meta, presidenti

    Tiranë- Pas anulimit të tubimit të 8 dhjetorit, Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot në Ditën e Rinisë. Ai  ka falënderuar dhe ka shprehur mirënjohje të thellë për çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit pas tragjedisë së 26 nëntorit.

    Presidenti ka nënvizuar se duhet nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit ’90. Presidenti thekson se demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet dhe me çdo çmim. Ai iu bën thirrje të rinjve që marrin në dorë fatet e atdheut (si Azem Hajdari).

    Reagimi:

    Me mijëra të reja e të rinj shqiptarë, të organizuar vullnetarisht brenda e jashtë vendit që në momentet e para të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore e pabesë që goditi vendin.

    Përpjekjet e tyre të palodhura për mbledhjen e ndihmave materiale, fondeve dhe shërbimeve që po i ofrojnë komunitetit ditë-natë, janë sa emocionuese, po aq frymëzuese, dhe shembulli më konkret i Shqipërisë njerëzore për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Ndaj sot me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë, emër për emër, çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit. Jeni të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm! Ju inkurajoj dhe ju mbështes, që në shembullin e të rinjve dhe të rejave, të cilët 29 vite më parë vërshuan në rrugët e sheshet e Tiranës për ta ndarë Shqipërinë nga errësira dhe izolimi, të merrni në dorë, falë shpirtit të lirë, energjisë, guximit, kurajos dhe idealeve të pastra, fatet e atdheut tonë, duke udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë dhe europianizmit të plotë të Shqipërisë. Nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit ’90! “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” 🇦🇱 Demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet dhe me çdo çmim!

    Pak javë më parë Presidenti Meta deklaroi se do të organizonte një  një tubim “mbarëpopullor” për ditën e rinisë. Kjo lëvizje e Metës erdhi në një kohë kur vendi ndodhet në kulmin e krizës politike, ndërsa më herët ka bërë thirrje për referendum popullor, lidhur me ngërçin që është krijuar sidomos pas emërimeve të para në Gjykatën Kushtetuese. Por kjo lëvizje u anulua pas tërmetit që goditi vendin, ku Meta u shpreh: “Nuk është momenti për të krijuar fokus tjetër”. 

    Çfarë është 8 dhjetori?

    Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, në “Qytet Studenti” u bënë iniciatorë të protestave që sollën pluralizmin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë në vend.  “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte shprehja kyçe e 8 dhjetorit, kur të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik. Protestat drejtoheshin nga Azem Hajdari.

    J.V/Dosja.al

    Shto Koment