Politike

‘8 Dhjetori’/Basha mesazh të rinjve vullnetarë që ndihmuan banorët e prekur nga tërmeti: Shteti i ka harruar dhe braktisur

Basha shprehet se këta banorë janë harruar dhe braktisur nga shteti, duke shtuar se të rinjtë kanë ‘zbutur’ dhimbjen e tyre.
Featured image of article: ‘8 Dhjetori’/Basha mesazh të rinjve vullnetarë që ndihmuan banorët e prekur nga tërmeti: Shteti i ka harruar dhe braktisur Lulzim Basha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me rastin e Ditës së Rinisë, vlerësoi veçanërisht të rinjtë vullnetarë në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.

Kryedemokrati Basha ka shpërndarë disa foto në Facebook, ku shkruan se dita e sotme i gjeti të rinjtë duke ndihmuar qindra familje të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kurbinit. Basha shprehet se këta banorë janë harruar dhe braktisur nga shteti, duke shtuar se të rinjtë kanë ‘zbutur’ dhimbjen e tyre.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës: 

Ky 8 dhjetor, Dita e Rinisë na bën krenarë për rininë tonë. 29 vite më parë të rinjtë u ngritën të parët në Lëvizjen e Dhjetorit që solli demokracinë; sot pas tragjedisë që goditi vendin, të rinjtë ishin të parët që u erdhën në ndihmë njerëzve dhe të parët që nisën mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave.

Këtë 8 dhjetor shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë të rinjtë që në këto ditë sprovash dhe dhimbjesh u shndërruan në shpresë dhe forcë për çdo shqiptar. Edhe dita e sotme i gjeti të rinjtë duke ndihmuar qindra familje të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kurbinit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Dhimbja e këtyre banorëve të cilët shteti i ka harruar dhe braktisur, është zbutur nga të rinjtë që u vijnë në ndihmë duke vendosur gjithcka në dispozicion të të dëmtuarve. Kjo tragjedi zhveshi nga propaganda gjendjen e vërtetë të vendit, të Shqipërisë së varfër, të vjedhur dhe abuzuar.

Por sot ky angazhim dhe solidaritet i të rinjve është drita e shpresës që po ndriçon Shqipërinë, është frymëzimi ynë që ta kalojmë si një familje e madhe këtë situatë të rëndë sot e ta nxjerrim së shpejti Shqipërinë nga mjerimi, ta çlirojmë nga kthetrat e korrupsionit që nuk kursen as jetën e qytetarëve e ta bëjmë realitet thirrjen dhe destinin që të rinjtë nisën 29 vjet më parë, Shqipërinë si gjithë Europa.

Nderim përjetë heronjve të 8 dhjetorit 1990 me në krye Azem Hajdarin që u ngritën mbi frikën dhe me kurajo e vizion diktuan rënien e diktaturës dhe lindjen e demokracisë shqiptare. Mirënjohje për çdo të ri që në këto ditë te errëta për vendin, ka ndezur dritën e shpresës dhe solidaritetit kombëtar. Zoti e bekoftë rininë shqiptare dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë.

(a.m./dosja.al)

Shto Koment