Politike

76-vjetori i çlirimit të Tiranës, Meta: Mirënjohje për qindra dëshmorë që dhanë jetën në lule të rinisë për liri

Në kuadër të 76-vjetorit të çlirimit të Tiranës, presidenti Meta do te mbaje diten e sotme homazhe.
Featured image of article: 76-vjetori i çlirimit të Tiranës, Meta: Mirënjohje për qindra dëshmorë që dhanë jetën në lule të rinisë për liri Ilir Meta

TIRANË– Presidenti Ilir Meta ka kujtuar ditën e sotme 76-vjetorin e çlirimit të Tiranës. Në një postim të bërë në Facebook, Meta shkruan se 76 vite më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, realizuan një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet.

Meta shkruan se i përulet me respekt ndaj Dëshmorëve të Atdheut, të cilët dhanë gjakun për Çlirimin e Kryeqytetit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
Sot, përkujtojmë me nderim të thellë dhe krenari të ligjshme, 17 Nëntorin 1944, Ditën e kurorëzimit me fitore të betejës legjendare për Çlirimin e Tiranës, kryeqytetit tonë, nga pushtuesit nazifashistë! Lufta fitimtare për Kryeqytetin i hapi rrugën Çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe ruajtjes së integritetit dhe kufijve të shtetit shqiptar. 76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet. Për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit! Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste. Mesazhet e mëdha të lirisë, paqes dhe luftës kundër tiranisë, tingëllojnë edhe sot më aktuale se kurrë, të nderuara dhe të pacënuara nga koha dhe devijimet e mëvonshme të kauzës së lirisë të partizanëve tanë të lavdishëm. Sot përulem me respekt ndaj Dëshmorëve të Atdheut, të cilët dhanë gjakun për Çlirimin e Kryeqytetit. Me mirënjohje për të gjithë partizanët, sot nderojmë edhe popullin e Tiranës, që u bë njësh me çlirimtarët kundër pushtuesve, duke ndërtuar barrikadat për çlirimtarët dhe kthyer shtëpitë e tyre në fortifikata kundër pushtuesit. Përjetë lavdi Dëshmorëve të rënë për Çlirimin e Tiranës!- shkruan Meta.

(a.b)/dosja.al

Shto Koment