Politike

75-vjetori i Çlirimit të Tiranës, Balla: Ta kujtojmë atë moment historik, duartrokitje për partizanët (VD)

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera të rajonit kishte arritur e vetme që të triumfonte mbi forcat naziste.

TIRANË– Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka marrë pjesë në ceremoninë e 75-vjetorit të Çlirimit të Tiranës.

Në fjalën e tij, Balla tha se Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera të rajonit kishte arritur e vetme që të triumfonte mbi forcat naziste. Duke nënvizuar edhe njëherë faktin se data e çlirimit të vendit është 29 nëntori, tezë për të cilën ka gjithmonë përplasje me opozitën, Balla ftoi shqiptarët që të marrin pjesë në aktivitetin e festimeve.

“Shqipëria u çlirua me forcat e veta. Vendi ynë u çlirua në 29 nëntor. Shqipërinë e çliruan shqiptarët dhe partizanët. Shqipëria u çlirua me forcat e veta. Unë i bëj thirrje shqiptarëve, që të mblidhemi të kujtojmë atë moment historik për çlirimin e vendit.  Të bëhemi të gjithë bashkë që t’u themi ‘Faleminderit’ sa herë të kemi mundësi. Shqipërinë e çliruan partizanët prandaj një duartrokitje të gjithë,”– tha Balla.

Pjesë nga fjala e plotë:

Partizanët shqiptarë luftuan kundër okupatorëve të egër, të cilët nuk erdhën në Shqipëri si kalimtarë, por me një qëllim të qartë dhe të deklaruar: pushtimin e vendit. Këtë nuk e themi vetëm ne, nuk e thonë as vetëm historianët seriozë dhe patriotë shqiptarë, por edhe studjues prestigjiozë të huaj.
Historiani amerikan Bernd Fischer, në librin e tij “Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945”, duke iu referuar dokumenteve gjermane, e përshkruan hyrjen e forcave gjermane në tokën shqiptare si një pushtim i vërtetë: “Planifikuesit ushtarakë të Vermahtit gjerman, nënvizon Fischer, i kishin përgatitur mirë planet për pushtimin e Shqipërisë.”

Si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, unë ndjehem krenar që, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit, kam propozuar që Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare t’i jepet urdhri “Nderi i Kombit”, për kontributin që ka dhënë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike, të Europës demokratike dhe Shqipërisë europiane. Shqipëria po shkon në Europë, si Shqipëria e partizanëve, antifashistëve dhe çlirimtarëve dhe jo si Shqipëria e kolaboracionistëve.

Jam gjithashtu krenar që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar shtesën në ligjin “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” dhe caktoi 20 korrikun si Dita e Veteranëve, e nderimit dhe respektimit të veteranëve dhe pasardhësve të tyre.

Jam Krenar që Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë e shpallën vitin 2019 si vitin e 75 vjetorit të çlirimit të atdheut dhe nderuan me krenari legjitime e dinjitet këtë ngjarje monumentale të historisë sonë kombëtare.

Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar. Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizanët shqiptarë, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, ju veteran të respektuar dhe pasardhësit tuaj.

Dita e sotme e 17 nëntorit ka shënuar 75-vjetorin e Çlirimit të kryeqytetit të Tiranës nga forcat naziste. Zyrtarë të lartë të shtetit dhe të PS-së morën pjesë ne cermoni, ku theksuan kontributin ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Braçe e Veliaj hodhën akuza mbi opozitën, ndërsa Basha shkoi për homazhe tek të përndjekurit politikë.

(k.m/dosja,al)

Shto Koment