Politike

5 pallate të pabanueshme në Manzë, thirrja e Bashës: Urgjente marrja e masave për strehim

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Basha iu bën thirrje qeverisë të marrë masa për strehimin  e familjeve, të cilët po nxjerrin orenditë nga shtëpitë për t’u zhvendosur tek të afërmit.
Featured image of article: 5 pallate të pabanueshme në Manzë, thirrja e Bashës: Urgjente marrja e masave për strehim Lulzim Basha

TIRANË– Lideri demokrat Lulzim Basha ishte sot për inspektim në zonën e Manzës, ku 5 pallate me nga 25 familje janë shpallur të pabanueshëm.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Basha iu bën thirrje qeverisë të marrë masa për strehimin  e familjeve, të cilët po nxjerrin orenditë nga shtëpitë për t’u zhvendosur tek të afërmit.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Gjendja po rëndohet për shkak të motit. URGJENTE marrja e masave për strehim dhe alokimi i fondeve për rindërtim.

5 pallate me nga 25 familje në Manzë janë të pabanueshme. Banorët po nxjerrin orenditë për tu zhvendosur tek të afërmit në pamundësi të një strehe. Të tjerë që janë strehuar në çadra janë në kushte shumë të vështira edhe për shkak të motit me shi dhe të ftohtit. Ata thonë që u kanë ardhur në ndihmë vetëm shoqatat ndërsa denoncojnë abuzime në mënyrën e trajtimit të qytetarëve.

Çdo ditë që kalon, bëhet më e vështirë për këta banorë që me fëmijë të vegjël prej ditësh jetojnë në çadra. Të tjerë jetojnë në makina dhe ankohen se askush nuk ka ardhur të vlerësojë gjendjen e banesave të tyre.

Është e domosdoshme të angazhohen sa më shumë inxhinierë e specialistë. 500 inxhinierë janë të gatshëm të kontribuojnë vullnetarisht, mjafton që qeveria ti angazhojë.

Paratë që shkojnë tek 10 oligarkë duhet të shkojnë tek mijëra qytetarë që kanë mbetur në mes të katër rrugëve, pa strehë dhe pa ushqim. Me 150 milion dollarë që marrin 10 oligarkë mund të rindërtohet pjesa dërrmuese e objekteve të banimit të shkatërruar nga tërmeti.

Duhet ndërhyrje e menjëhershme që të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e mijëra familjeve.

Tërmeti i 26 nëntorit rezultoi tragjik. 51 persona humbën jetën, 913 u plagosën, 47 u nxorrën gjallë nga rrënojat. 22 persona ende janë të shtruar në spitalin e Traumës.

(a.m./dosja.al)

Shto Koment