Politike

44 mln $ gjobë nga Arbitrazhi/ Balluku: Fajin e ka Saliu dhe ish-ministrat e LSI se ndryshuan kushtet sipas oreksit! Haxhinasto: Kemi informuar Ramën që më 2016, prokuroria të hetojë fshirjen e emaileve (ZHVILLIMET)

  • FOTOT- PD nxjerr faturat: 10 milionë dollarë nga qeveria për kompaninë e Edmond Begos
  • Qeveria ia faturon vendimin e Arbitrazhit për 44 milionë dollarë për të dëmshpërblyer kompaninë greke "Aktor", disa drejtorëve të paaftë e korruptuar në kohën e LSI. Ky është reagimi i ministrisë së Infrastrukturës. Por deklarata nuk është kapërdirë kollaj nga LSI. Kampi opozitar publikoi letrën ku Haxhinasto vë në dijeni Ramën për problemet me autostradën Tiranë-Elbasan. 
    Featured image of article: 44 mln $ gjobë nga Arbitrazhi/ Balluku: Fajin e ka Saliu dhe ish-ministrat e LSI se ndryshuan kushtet sipas oreksit! Haxhinasto: Kemi informuar Ramën që më 2016, prokuroria të hetojë fshirjen e emaileve (ZHVILLIMET) Edmond Haxhinasto, ish-minister dhe Belinda Balluku, ministre

    TIRANË- Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit që detyron qeverinë shqiptare të paguajë 44 milionë dollarë ndaj kompanisë greke “Aktor” ka sjellë një përplasje në distancë mes Partisë Socialiste dhe Ministres Belinda Balluku, me opozitën.  Në një reagim të vonuar, 2 ditë pasi dosja.al publikoi ekskluzivisht vendimin e Arbitrazhit, Balluku akuzonte politikën se hodhi baltë dje me reagimin e Gent Strazimirit nga PD, ndërsa thoshte se keqmenaxhimi i kontratës së “Aktor” me shtetin shqiptar për rrugën Tiranë-Elbasan ka nisur që më “2012, ku në pushtet ishin demokratët”.

    Nuk ka qenë pa sulm edhe ndaj aleatit të demokratëve në opozitë, Lëvizjes Socialiste për Integrim. MIE, akuzonte ish-ministrat dhe drejtorët e LSI-së se kanë zvarritur projektin dhe punimet për këtë autostradë. Me këtë reagim, MIE mbylli përgjegjësinë për qeverinë dhe veten, duke e kaluar dëmin që iu bëhet taksave të shqiptarëve me 44 milionë dollarë, në një çështje “drejtorësh të paaftë e të korruptuar”.  Por nuk ka qenë e vonë edhe përgjigjia e ish-aleatëve të PS. LSI, në një deklaratë zyrtare të lëshuar për mediat, publikoi edhe letrën që ish-ministri Edmond Haxhinasto i kishte dërguar kryeministrit Edi Rama më 2016, ku e vinte në dijeni për mos-pagesat e Aktor dhe pengesat e vonesat në punime. 

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Dosja.al publikoi të shtunën vendimin e gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC), e cila vendosi t’i jepte të drejtë kompanisë greke AKTOR duke detyruar menjëherë shtetin shqiptar të paguajë 44 milionë dollarë për mospagesën e punimeve shtesë në austradën Tiranë-Elbasan. Kompania paditi shtetin shqiptar, ndërsa ky bëhet gjyqi i dytë, pas Becchetit, që “gjunjëzon” qeverinë shqiptare në raport me kompanitë private dhe me bashkëpunimin me to, që në fund të ditës përkthehet në dëm në xhepat e qytetarëve.

    (F.g/dosja.al)

    • 16:19

      "Rama kërcënoi shqiptarët në 2013", Arben Malaj për gjobën e Arbitrazhit: S'kemi parë gjë akoma, hajdutët e Rilindjes po dalin një e një në dritë

      Ish-ministri i Financave në qeverinë Nano, Arben Malaj ka komentuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, që i dha të drejtë kompanisë greke “Aktor”, duke detyruar qeverinë shqiptare ta dëmshpërblejë me 44 milionë dollarë për punimet e papaguara në rrugën Tiranë-Elbasan. Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj shkruan se kjo ishte ajo që pritej nga një kryeministër që ka kërcënuar më herët qytetarët  e tij.

      POSTIMI I PLOTË: 

      Nuk keni parë gjë akoma” kërcënoi Rama shqiptarët në 2013-n kur sapo u bë kryeministër. Por gjobat e njëpasnjëshme qindra milionë euro/dollarë janë prova se ne nuk kemi parë gjë akoma se sa thellë dhe sa gjatë do t’ju rëndojë shqiptarëve, korrupsioni dhe kapja e qeverisë “Rama”, si qeveria më e paditur, më e papërgjegjshme, arrogante dhe e babëzitur. Hajdutët e Rilindjes që po dalin një nga një në sipërfaqe nga gropa e zezë e korrupsionit duhet të përgjigjen edhe ligjërisht për babëzitë e tyre.

      Arbeni

    • 14:10

      FOTOT- PD nxjerr faturat: 10 milionë euro nga qeveria për kompaninë e Edmond Begos, Rama e Balla, përgjegjës për gjobën e Arbitrazhit ndërkombëtar

      Partia Demokratike akuzon qeverinë se i ka dhënë në kundërshtim me ligjin, biznesmenit Edmond Bego një shumë prej 10 milionë euro, si nënkontraktor për përfundimin  e punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan. Në një deklaratë për mediat, Albana Vokshi nga PD, tha se SPAK duhet të hetojë këtë skemë, si dhe shtoi se kryeministri Edi Rama dhe Taulant Balla janë përgjegjës për gjobitjen e re 44 milionë euro nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për Tiranë-Elbasan. Vokshi publikoi edhe faturat e listë-pagesës që kompanisë së Begos, “Inerte Ekspress” nga viti 2015 e deri më 2018, dhe e quajti këtë një shkelje pasi Bego është një ish-i dënuar.

      DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

      Autostrada Tiranë-Elbasan është një nga modelet sesi veprat më të mëdha publike janë përdorur nga qeveria e Edi Ramës për të futur në xhepat e pushtetarëve miliona euro përmes nënkontraktorëve të diktuar nga qeveria. Trafikanti i drogës Edmond Bego është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontaktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën.

      Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën.

      Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit. Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

      Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike. Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro. Për këtë drejtësia duhet të hetojë.

      SPAK dhe organet e tjera të hetimit duhet të verifikojnë të gjithë procedurën sesi i dënuari Edmond Bego ka marrë në shkelje të ligjit 10 milion euro nga qeveria shqiptare. Duke zbardhur këtë aferë, prokuroria do të bjerë në gjurmët e Taulant Ballës dhe të vetë Edi Ramës, duke i bërë vendit një shërbim të paçmuar në luftën e vërtetë kundër korrupsionit.

      Miku i gjithëpushtetshëm i Mond Begos, Taulant Balla, di shumë gjëra që SPAK-ut i interesojnë. U interesojnë edhe shqiptarëve, të cilët sot duhet të fillojnë e të paguajnë një më një 44 milion eurot, si dënim nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për sjelljen korruptive të qeverisë me autostradën Tiranë-Elbasan. Përgjegjës për këtë gjobë tjetër të madhe, që do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre, është Edi Rama dhe Taulant Balla. Është koha për t’i dhënë fund me votë plebishitare qeverisjes që paguan 10 milionë euro trafikantin e drogës dhe ngarkon qytetarët më të varfër të Europës me gjoba korrupsioni.

    • 13:00

      LSI nxjerr letrën e Haxhinastos për Ramën që më 2016: Belinda lëri inatet me Damianin… ishte Ahmetaj ai aprovonte buxhetet, ndaj shteti humbi gjyqin në Arbitrazh! (DEKLARATA)

       Lëvizja Socialiste për Integrim i përgjigjet ministres Belinda Balluku, pas reagimit të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, i publikuar nga Dosja.al dy ditë më parë, ku qeveria shqiptare detyrohet të paguajë 44 milionë dollarë kompaninë greke “Aktor”, për punimet shtesë të papaguara në austradën Tiranë-Elbasan.

      Ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto i ka shkruar që në vitin 2016, kryeministrit Edi Rama në lidhje me vonesat në realizimin e projektit të rrugës, e po ashtu edhe për punimet e bëra nga “Aktor”, por të papaguara.

      Ndërkohë që vetë LSI-ja në deklaratën bashkëngjitur letrës së Haxhinastos thotë se ministri përgjegjës për humbjen e gjyqit është Arben Ahmetaj, i cili ka patur përgjegjësi për pagesat, buxhetet dhe rimbursimin e TVSH-së, që sipas LSI-së është shkaku pse u humb gjyqi. Po ashtu, LSI i kërkon prokurorisë që të hetojë pse janë zhdukur e-mailet e komunikimit mes Eridana Çano-s dhe drejtuesve të njësisë së menaxhimit të projektit Z. Aksel Gjurduka dhe Z. Albens Alite.

      Dosja.al publikoi të shtunën vendimin e gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC), e cila vendosi t’i jepte të drejtë kompanisë greke AKTOR duke detyruar menjëherë shtetin shqiptar të paguajë 44 milionë dollarë për mospagesën e punimeve shtesë në austradën Tiranë-Elbasan.

      DEKLARATË ZYRTARE E LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM

      Në tentativën e radhës për të hedhur baltë ndaj LSI, Belinda Balluku e urdhëruar nga Edi Rama ka nxjerrë një deklaratë dezinformuese ndaj LSI-së. Për të informuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Fugën që përgatit Deklaratat e Ministrive të Rilindjes, iu bëjmë me dije se para se të përmendni emrin e LSI duhet të thërrisni që t’iu sqarojnë:

      Znj. Eridana Çano ish Zv Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit të Rilindjes Edi Rama. Personi i ngarkuar nga Rama për ndjekjen e mbarëvajtjes së këtij projekti dhe komunikimin me ARRSH, Ministrinë dhe firmën greke AKTOR.

      Z. Arben Ahmetaj, ish Ministër i Financave dhe personi që firmoste dhe aprovonte buxhetet, shpronësimet dhe rimbursimin e TVSH-së. Arbitrazhi është humbur pikërisht për mosrimbursimin e TVSH-së dhe shpronësimeve.

      Z. Afrim Qendron, që ishte kryetari i Këshillit Teknik dhe ishte ai që miratonte çdo ndryshim projekti që kishte efekt në buxhet.

      Dhe si mund të evitoni Taulant Ballën nga marrja në pyetje, që jo vetëm përdori kunatin dhe motrën për lëvizjen e parave por edhe listën e njerëzve që punësonte në Elbasan.

      Cila është lidhja e Kristlen Kerrit me Taulantin?

      Së fundmi, i bëjmë thirrje Prokurorisë, të zbulojë pse janë zhdukur e-mailet e komunikimit mes Eridana Çano-s dhe drejtuesve të njësisë së menaxhimit të projektit Z. Aksel Gjurduka dhe Z. Albens Alite?

      Përpara se Znj. Balluku të bëjë deklarata inati ndaj Damian Gjiknurit, e këshillojmë që të shikojë letrat mirë. Meqënëse është dhe ish-studente e Fakultetit Juridik Tiranë. Ankesa e firmës Greke AKTOR ka ardhur në ARRSH, një javë pasi Dashamir Xhika ka dhënë dorëheqjen. Trajtimi i këtyre ankesave duhet të ishte marrë në konsideratë nga Damian Gjiknuri dhe Afrim Qëndro. Kur LSI qenka kaq e rëndësishme, përse firma Greke ka nisur gjyqin me qeverinë shqiptare në 2019-ën, 2 vite pasi LSI ishte në opozitë dhe pse kryeministri Rama nuk ka marrë asnjë veprim ndaj informimit që Ministri i LSI-së Z. Haxhinasto i bëri në Mars 2016-ën, me anë të një letre zyrtare mbi problematikat me firmën Greke në rrugën Tiranë-Elbasan. Kaq për momentin…

    • 11:20

      Ministria e Insfrastrukturës: Fajin e ka PD dhe ish-ministrat e LSI-së, qeveria Rama e menaxhoi shumë mirë kontratën, ne e denoncuam aferën (REAGIMI)

      Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka reaguar 2 ditë pasi Dosja.al zbuloi ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit që detyron shtetin shqiptar të paguajë 44 milionë dollarë dëmshpërblim për kompaninë greke “Aktor”, për punimet në autostradën Tiranë-Durrës. Në një deklaratë për mediat, MIE thotë se kontrata me kompaninë greke, “Aktor” është lidhur në vitin 2012 nga qeveria e Sali Berishës, dhe se duhet të hyjë në histori si shembulli, sesi nuk duhen bërë kontratat. Më tej, MIE, akuzon se janë ish-ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe zyrtarët e ARRSH-së, që nuk kryen detyrën, por kanë ndryshuar kontratën sipas oreksit.

      MIE, sqaron se ashtu siç raportoi Dosja.al në artikullin e botuar, kompania greke “Aktor” ka paditur shtetin shqiptar në arbitrazh, për kostot shtesë në segmentin nr 3., të austradës Tiranë-Durrës, pasi pretendoi se ARRSH-ja kishte shkaktuar dëme. MIE, e mbyll reagimin duke thënë se “Qeveria Rama ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kontratë, duke pasur parasysh të gjithë historikun e lartpërmendur dhe nuk ka hezituar dhe as reshtur së denoncuari këtë aferë”.

      REAGIMI I PLOTË:

      Kemi ndjekur me vëmendje 24 orët e fundit baltën politike dhe publike, të hedhur nga vetë ata që gatuan çorbën më të madhe, në rastin më të mirë për shkak të injorancës dhe në rastin më të vërtetë për shkak të korrupsionit hierarkik, që nuk lë jashtë asnjë prej tyre. Duke ndjerë detyrim për të sqaruar publikun dhe keqardhje për shfaqjen politike të radhës, po shtjellojmë historikun kokëfortë të kësaj kontrate, që duhet të futet në histori si një rast për studim, se si nuk duhen bërë kontratat.

      Kontrata për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan është lidhur në vitin 2012, kur në qeveri ishte Partia Demokratike, e cila sot sulmon duke harruar se e nënshkroi këtë kontratë pa studim gjeologjik dhe me dhjetëra ndryshime sipas kërkesave të kontraktorit dhe sigurisht me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar, këtë kontrate e ka iniciuar shtrembër që në gjenezë, pikërisht Partia Demokratike. Stafetën më pas e morën ministrat e transportit dhe drejtorët e emëruar nga LSI, për t’a bërë përfundimisht këtë kontratë një aferë, në disfavor të pastër për Shtetin Shqiptar. Abuzimet me kontratat e rrugës Tiranë – Elbasan, u bënë të njohura për publikun në fillim të vitit 2018, kur pas denoncimit të kryer nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, organet e drejtësisë arrestuan tre zyrtare të lartë të MIE dhe ARRSH, të emëruar në këto pozicione nga LSI. Zbardhja e kësaj çështjeje nisi në muajin shtator 2017, pas ndryshimit të drejtimit politik të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe kontrolleve dhe auditeve të kryera për procedurat e realizuara.

      Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët.

      Çështja e arbitrazhit në fjalë bazohet në:

      Kontratën për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, Segmenti nr. 1, deri në hyrjen e tunelit, km 13, të nënshkruar në 12 Shkurt 2012;

      Kontratën për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, Segmenti nr. 3, nga dalja e Tunelit, km 15.2 deri në qytetin e Elbasanit, km 27, të nënshkruar me datë 13 shkurt 2012.

      Gjithë çështja bazohet në pretendime të ngritura nga Kontraktori JV Copri Aktor në 17 Maj 2015, për kosto shtesë të krijuara gjatë punimeve në Segmentin 3. Kontraktori pretendonte për dëme të shkaktuara nga ARRSH deri në atë moment.

      Përsa i përket Segmentit nr. 1, pretendimet nga Kontraktori janë ngritur në 11 Dhjetor 2015, për kosto shtesë të shkaktuara gjatë punimeve në Segmentin 1. Kontraktori pretendonte për dëme të shkaktuara nga ARRSH deri në atë moment.

      Të dyja këto pretendime të ngritura në vitin 2015, janë ngritur dhe administruar gjatë gjithë periudhës kur Ministria e Transportit dhe ARRSH drejtohej nga LSI.

      Në mënyrë që të mundësohej zhvillimi i një gjykimi mbi këto mosmarrëveshje, ARRSH nënshkroi dy amendime kontratash në muajin Korrik 2017 me kontraktorin JV Copri Aktor, që lejonin zhvillimin e gjykimeve me anë të një Bordi të posaçëm, që u ngrit posaçërisht. Drejtori i Njësisë së Projektit Tiranë – Elbasan (Albens Alite) dhe ARRSH (Dashamir Gjika), në atë kohë e drejtuar nga LSI, nuk ndërmorën asnjë hap për mbrojtjen e interesave të shtetit në këto dy procese dhe nuk përfshinë as Avokaturën e Shtetit, si institucioni i krijuar me ligj për mbrojtjen e interesave të shtetit. Me ndryshimin e drejtimit politik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në shtator dhe tetor 2017 kërkoi realizimin e auditeve financiare në ARRSH për këto problematika. Auditet e realizuara nga MIE dhe MFE, gjatë dhjetorit të vitit 2017, shpallen si jo të ligjshme dhe në tejkalim të kompetencave amendimet e kontratave të realizuara nga ARRSH. Mbi bazë të këtyre gjetjeve u bënë edhe kallëzime në prokurori për drejtuesin e Njësisë së Menaxhimit të Projektit dhe ARRSH, ku nga ana e Prokurorisë u bënë edhe arrestimet përkatëse. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të zbardhur këtë çështje, si dhe ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar me drejtësinë, për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore, autorët e kësaj çështjeje. Qeveria Rama ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kontratë, duke pasur parasysh të gjithë historikun e lartpërmendur dhe nuk ka hezituar dhe as reshtur së denoncuari këtë aferë, që i ka kushtuar vendit miliona euro me kontratat e rishikuara dhe së fundmi dhe me vendimin e Arbitrazhit. Balta politike, që hidhet çdo ditë nuk mund të mbulojë, as neglizhencën e theksuar dhe as korrupsionin galopant të baltëhedhësve.

    Një Koment në “44 mln $ gjobë nga Arbitrazhi/ Balluku: Fajin e ka Saliu dhe ish-ministrat e LSI se ndryshuan kushtet sipas oreksit! Haxhinasto: Kemi informuar Ramën që më 2016, prokuroria të hetojë fshirjen e emaileve (ZHVILLIMET)

    1. Ore gjithmonë Saliu e ka fajin por një padi në gjykatë nuk kemi parë për të.Apo tymnaja për të mbuluar vjedhjen e për të vjefhur akoma.Stili "rilindjes" Ne jemi të ndershëm hajdutët janë të tjerët!!

    Shto Koment