Blog

30 Qershori ditë zgjedhjeje (votimi), por jo zgjidhjeje…

Një konflikt dypalësh, që me ndërhyrjen e Presidentit në vend të 'ftohej' degdisi në përmbysje të raporteve të pushtetit  dhe marrëdhënieve ndërinstitucionale, mbi të cilin është ngritur shteti ynë.
Featured image of article: 30 Qershori ditë zgjedhjeje (votimi), por jo zgjidhjeje… Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha

Ky 30 Qershor duket përvëlues. Vapa ka arritur pikun me termometrin që I kalon 37 gradët, por nxehtësia ndihet akoma më shumë nga temperatura e vlimit që ka arritur konflikti politik. Një konflikt që njeh amplituda të larta që kur opozita la mandatet parlamentare dhe nisi organizimin dhe ndërgjegjesimin qytetar në favor të kauzës së ‘zgjedhjeve të manipuluara’. Një konflikt dypalësh, që me ndërhyrjen e Presidentit në vend të ‘ftohej’ degdisi në përmbysje të raporteve të pushtetit  dhe marrëdhënieve ndërinstitucionale, mbi të cilin është ngritur shteti ynë. Situatë sa e nderë, po aq ilaritet pasi 2 funksionarët më të lartë të vendit, Kryeministri dhe Presidenti zyrat i kanë aq pranë, saqë po qe se dalin në dritare mund të këmbejnë shikimin me njëri-tjetrin, këmbejnë batuta dhe ‘kunja’ nga ‘dritaret’ virtuale respestike: FB e Instagram.

Konflikti agravoi dita-ditës, saqë shumë prej nesh i druheshim edhe një konfrontimi social, por fatmirësisht opozita, njëra prej ‘Kryeneçeve’ u zbut nga ndërkombëtarët dhe u shmang së paku një “Big Clash”. Ndërkohë, ‘Kryeneçja’ tjetër vijon me kokëfortësi pa u ndalur drejt finalizimit të procesit elektoral. Me fitoren ‘galopante’ (mbase edhe 100%) të sigurtë në xhep, nga nesër e tutje kanë në dorë të bëjnë çfarë të duan.

Megjithatë, pavarësisht se në pamje të parë duket se 30 Qershori do të prodhojë një palë fituese dhe një humbëse, thellë-thellë secili prej tyre del me nga një ‘trofe’ në duar. Mazhoranca siguron jo vetëm pushtetin lokal, por edhe kupton realisht pa pasur nevojë për sondazhe sesa është masa elektorale që e përkrah. Opozita ia del të bëj një figurë të mirë në sytë e ndërkombëtarëve, që më pas mund ti mundësojë mbështetjen e plotë ose të pjesshme të kauzës së saj. Po ashtu, edhe Presidenti s’del pa gjë nga kjo mesele, ‘ia kërciti dhëmbët’ qeverisë për të rritur pikët vetes në rrafshin politik, në rast të vijimit të karrierës partiake pas mandatit presidencial (që nuk dihet sa do të zgjasë)

Ndërkombëtarët, kryesisht ShBA-të me hapin që ndërrmorën s’është se i dhanë ‘visto’ dhe mbështetje të pakushtëzuar qeverisë. ‘Tërmeti’ që u ndje nga Veriu në Jug, nuk ka si të kalojë pa u futur në ‘skaner’. Veçse, duke parë sesi çedoi situata në Venezuelë, ku dolën hapur pro opozitës së Juan Guaidó-s, duke përkrahur edhe përplasjen fizike për të rrëzuar sundimin e Maduro-s ndryshuan strategjinë e reagimit. Edhe sot, pas muajsh përpjekje dhe luftime qëllimi për demokratizimin e shtetit Amerikano latinë e dimë të gjithë se çfarë lëmshi lanë pas.

Për të mos përsëritur gabimin, nuk ndërhynë për të zgjdhur problemin në zjarr e sipër. Mesazhet e tyre, por edhe logjika normale na tregojnë se kriza nuk zgjidhet më 30 Qershor. Madje mund të mos mjaftojë vetëm vera për të vënë pikat mbi ‘I’-në e krizës.

Po ti lëmë ndërkombëtarët (shpëtimtarët) për pak çaste jashtë analizës.  Pse vallë vetëm ne shqiptarët, jemi i vetmi shtet ish-komunist europian prej Portugalisë në Atlantik deri në Balltik në kufi me Rusinë, që nuk jemi të sigurtë në realizimin  e zgjedhjeve demokratike e legjitime tridhjetë vjet pas shembjes së ‘Perdes së Hekurt’?

Së pari, gabimet duhet ti shohim te vetja, mqs ia arritëm përsëri ditës që të zhvillojmë zgjedhje pa opozitën ( pa 50% tjetër). Këto, tridhjetë vite duke u vajtur pas ‘symbylltazi’ liderve dhe partive poltike, nuk ia dolëm të krijojmë dhe lëmë trashëgim sigurinë dhe vërtetësinë e procesit elektoral. Dy elemente simplist duhet të kishim kultivuar: besimin në legjitimitetin e demokracisë dhe pluralizmit ; besimin në legjitimitetin e institucioneve shtetërore të ndërtuara mbi parime ligjore dhe demokratike (apo legjitimitetin e shtetit).

Për shkak të këtyre anomalive bazike, që cënojnë ekzistencën e zgjedhjeve të lira, është me vend dyshimi nëse vërtetë pas ’90-ës ngritëm një sistem demokratik, apo thjesht një pluralizëm të cunguar me decentralizim ekonomik.

Dyshim ky me vend, sepse po të kishim ndërtuar qoftë një version ‘demo’ të Demokracisë, përballë një krize si kjo, ku secila nga të tre palët e përfshira pretendon se ka argumenta legjitime mbi të cilat mbështet veprimet e saj, ‘shapin nga sheqeri’ duhet ta ndante një arbitër moral a juridik. Por, përderisa nuk e kemi vrarë mendjen kurrë për ngritjen e institucioneve të mirëfillta dhe mirëfunksionale  do të vijojmë të humbasim ekuilibrin dhe biem përdhe, çdo herë që na hiqen rrotat anësore të biçikletës, si kur ishim fëmijë 2-3 vjeçar edhe sot që po hyjmë në të tridhjetat.

Ndaj, pas 30 Qershorit po të duam të ecim, duhet gjetur një zgjidhje ezauruese dhe e vërtetë, brendapërbrenda spektrik politik e intelektual, me praninë e faktorit ndërkombëtar si këshillues dhe jo si imponues. Ku secili aktor të shpalos çfarë realisht mund të bëjë për çështjen, e jo më fjalë boshe. Në të kundërt të hap krahun, për formacione të reja me vullnet për ti bërë gjërat dhe me mbështetje të gjerë shoqërore. Kanë mjaftuar dhe tepruar tre dekada të mbizotëruara nga ‘furtuna në gotë’ dhe pakte me shkelje syri, ku plaga jo vetëm që nuk trajtohet por thellohet më tej saqë kthehet në çështje kronike.

Shto Koment