Rajoni

20-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri homazhe tek busti i Adem Jasharit: Sakrificë e pashembullt e dëshmorëve

Në kuadër të 20-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri bëri sot homazhe dhe vendosi një kurorë te përmendorja e komandatit Adem Jashari në Tiranë.
Featured image of article: 20-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri homazhe tek busti i Adem Jasharit: Sakrificë e pashembullt e dëshmorëve Foto nga ceremonia e 20 vjetorit të Çlirimit të Kosovës

TIRANË- Sot, 20 vite më parë, lufta çlirimtare e shqiptarëve dhe bombardimet e NATO-s u finalizuan me tërheqjen, pothuajse pas një shekulli, të regjimit shovinist të Beogradit nga Kosova. Kjo datë çeli rrugën e pavarësisë e atë të bashkimit kombëtar me Shqipërinë, qëllimit historik dhe politik të të gjithë shqiptarëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri bëri sot homazhe dhe vendosi një kurorë te përmendorja e komandatit Adem Jashari në Tiranë.

Hovi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të ishte i njëjtë pa aktin sublim të familjes Jashari. Hapi vendimtar i administratës së presidentit Bill Klinton dhe aleatëve të NATO-s do të qe i pamundur dhe i pamendueshëm pa sakrificën sublime të popullit të Kosovës. Emrat e ndritur të Fehmiut dhe Xhemës, të burgosurve dhe rezistencës, studentëve dhe Ukshinit, sintetizohen në themelimin e UÇK-së dhe në ditën e ngadhënjimit të saj.

Lufta çlirimtare kundër makinerisë gjakësore serbe, e nxori çështjen shqiptare si rrallëherë në krye të axhendës së marrëdhënieve ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Sakrifica e pashembullt e 59 dëshmorëve të rënë në betejën e familjes Jashari në Prekaz, na mëson se vetëm atëherë kur lirinë e duam më shumë se jetën, jeta fiton dinjitetin moral dhe historik që i takon njerëzimit. Lufta çlirimtare e Kosovës dhe fitorja e saj i hap udhën një historie tjetër: mendimi politik botëror kuptoi se drejtësia qëndron në kahjen e mbështetjes së përpjekjes çlirimtare të shqiptarëve. Dëshmorët e themeluan këtë drejtësi. Ne na takon ta mbajmë gjallë. Përgjegjësia e të gjithëve ne në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin, Preshevë dhe mërgatë, pra kudo ku flitet shqip, është besnikëria ndaj këtyre datave.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment