Aktualitet

Ngarkesa me 2.6 ton kanabis sjell malazezët në Shqipëri, zbuluan ‘mallin’ që u ngarkua në magazinën e Lushnjes, pronari i ambientit dhe bashkëpunëtori vihen në pranga, një tjetër në kërkim

Vijon operacioni për zbardhjen e plotë të dosjes lidhur me kamionin e mbushur me 2.6 ton kanabis. Sot Policia ka prangosur Arlind Tabakun dhe Përparim Shurdhin. Ky i fundit është pronar i një magazinë në Lushnje, vend ku edhe u ngarkua kamioni.
Featured image of article: Ngarkesa me 2.6 ton kanabis sjell malazezët në Shqipëri, zbuluan ‘mallin’ që u ngarkua në magazinën e Lushnjes, pronari i ambientit dhe bashkëpunëtori vihen në pranga, një tjetër në kërkim Foto ilustruese

TIRANË- Kamioni me 2.6 ton kanabis, i cili u kap nga Policia e Malit të Zi në pikën kufitare të Hanit të Hotit, është ngarkuar me drogë në Lushnje. Ngarkimi me “mallin” është bërë në një magazinë në qytetin e Lushnjes, e cila është në pronësi të 41-vjeçarit Përparim Shurdhi. Ndërkohë, së bashku me të ka rënë në pranga dhe Arlind Tabaku, 36 vjeç, po ashtu banues në Lushnje. Në kërkim gjithashtu është shpallur dhe një person tjetër , identiteti i të cilit nuk dihet ende.

Operacioni, detajet për të cilin janë publikuar ditën e sotme, është drejtuar nga Prokuroria e Shkodrës, Policia e zonës në bashkëpunim me atë të Fierit dhe autoritetet malazeze. Për të çuar deri në fund hetimet, Mali i Zi ka sjellë në Shqipëri edhe një grup hetimor për të ndjekur nga afër gjithë zhvillimet për rastin. Sipas tyre, droga është në pronësi të një grupi kriminal në Shqipëri, por nuk kanë bërë me dije detaje të tjera se për cilin nga “kokat” e krimit bëhet fjalë. 

Dosja.al ka kërkuar më shumë detaje lidhur me të arrestuarit. Lidhur me Tabakun nuk ka informacione, ndërsa Përparim Shurdhi, prej gushtit të viti 2009 është pronar i një biznesi që ka si objekt punime ndërtimi, armaturë, punime hekuri, mure tulle, suvatim, shtrim pllakash dhe lyerje me bojë, punime saldimi dhe bar-kafe-restorant. Në një prej magazinave të tij, është bërë edhe ngarkimi i kamionit me lëndë narkotike. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë që hetimet ende vijojnë për të mësuar se ku ishte destinacioni përfundimtar i drogës dhe kapjen të gjithë personave të përfshirë. Droga u kap mbrëmjen e së martës, teksa ishte fshehur brenda një kamioni që ishte mbushur me fruta-perime. Kamioni kaloi ka asnjë problem në pikën kufitare të Kapshticës dhe më pas në Han të Hotit, por ishte pala malazeze ajo që kërkoi hapjen e tij duke gjetur edhe 2.6 ton kanabis. Në flagrancë u prangos shoferi 40-vjeçar i kamionit, Ervis Çalik.

Ndërkohë Dosja.al ka mësuar se Ervis Çalliku, gjithashtu ishte një nga aksionerët e kompanisë “Joel Trans”, me kamionët e të cilës është bërë edhe transporti i lëndës narkotike. Çalliku është bashkë-aksioner me Shkëlqim Kojkun, gjithashtu biznesmen që operon në Durrës.

(A.B)/Dosja.al

  • 19:27

    Shofer i kamionit me 2.6 ton drogë/ Gjykata e Podgoricës merr vendimin për shoferin 40-vjeçar nga Shqipëria

    Foto ilustruese

    Gjykata e Lartë e Podgoricës ka urdhëruar masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë për shoferin 40-vjeçar të kamionit ku u gjetën 2.6 ton kanabis. Elvis Çalik akuzohet për trafik ndërkombëtar droge.

  • 16:26

    Kamioni me 2.6 ton kanabis/ Kush janë 2 lushnjarët të përfshirë në trafikun e drogës, njëri mbushi mallin në magazinën e tij, FOTOT e të prangosurve

    Zbulohen identitet e personave të përfshirë në dosjen e kamionit të ngarkuar me 2.6 ton kanabis, i cili u kap në pikën kufitare të Hanit të Hotit nga pala malazeze. Report Tv ka siguruar foton e Përparim Shurdhit, pronarit të magazinës në Lushnje, ku edhe u ngarkua droga, dhe të Arlind Tabakut, i cili është bashkëpunëtori i tij.

    Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku

    Dosja.al ka bërë një kërkim në Qendrën Kombëtare të Biznesnit dhe rezulton se Shurdhi ka nisur biznesin e tij në vitin 2009 dhe ofron shërbimet: punime ndërtimi ,armaturë, punime hekuri, mure tulle, suvatim, shtrim pllakash dhe lyerje me bojë. Gjithashtu ofrohen shërbimet për punime saldimi dhe bar-kafe-restorant.

  • 14:57

    Kamioni me 2.6 ton marijuanë që u kap në Malin e Zi, Policia jep DETAJE, kush janë dy shqiptarët e tjerë të arrestuar (EMRAT)

    Policia e Shtetit ka dhënë informacione në lidhje me sekuestrimin e 2.6 ton kanabis që u sekuestrua në Mal të Zi. Në pranga kanë rënë dy persona, Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi, ndërsa në kërkim është shppallur një tjetër. Ky operacion u bë në bashkëpunim të policisë shqiptare dhe asaj malazeze.

    Njoftimi i Policisë:

    Hetimet e përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze zbardhën tentativën për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së. Gjatë operacionit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Policinë e Fierit, janë kapur dhe vënë në pranga dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e një sasie marijuane, si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër si bashkëpunëtor. Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacione paraprake me homologët malazezë, dërgoi në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve nga Departamenti i Policisë Kriminale. Pas hetimeve të përbashkëta dhe një pune intensive hetimore të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, duke u përfshirë disa Drejtori Vendore, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, identifikimi dhe lokalizimi i dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e sasisë së marijuanës të kapur në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit (Bozhaj). Si rezultat i punës së mirorganizuar, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Fier, u bë kapja dhe ndalimi për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, i shtetasve: A. T., 36 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër. Nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues shtetasin E. C. ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të shtetasit P. Sh., i ndihmuar nga shtetasi A. T. dhe personi i shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale. Vijon puna intensive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shto Koment