Kulture

10 qershori një datë historike për shqiptarët! Ja përse

Sot mbushen plot 141 vjet nga dita kur u mbajt "Lidhja e Prizrenit". 140 vjet më parë kjo lidhje shënoi një moment historik në vend, pasi ishte lëvizja e parë shqiptare, më e madhe e organizuar që pas kohës së Skëndërbeut.Por, 10 qershori është një datë e rëndësishme edhe se shënon tërheqjen e serbëve nga Kosova pas bombardimeve të NATO-s.
Featured image of article: 10 qershori një datë historike për shqiptarët! Ja përse Foto ilustruese.

Sot është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët. Bashkë përkujtohen dy ditë të shënuar. 141 vjet më parë është mbajtur Lidhja e Prizrenit dhe në po këtë ditë, 10 qershor 1999, NATO ndërhyri me bombardime duke zbrapsur trupat serbë nga Kosova.

Si u tërhoqën trupat serbë nga Kosova?

Me datë 10 qershor 1999, NATO nisi bombardimet e vazhdueshme në Serbi, të cilat zgjatët plot 77 ditë derisa gjenerali amerikan, Wesley Clarks raportoi se Millosheviç ishte dorëzuar dhe kishte tërhequr trupat e tij nga Kosova. Gjithashtu, 10 qershori mbahet mend dhe për Rezolutën 1244, që përcaktoi statusin politik të Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.

Por, çfarë është Lidhja e Prizrenit?

Lidhja e Prizrenit bashkoi të gjithë shqiptarët në një organizim tërësor, administrativ, politik dhe ushtarak me synimin e vetëm: Bashkimin e Shqipërisë. Me 10 qershor të vitit 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Me në krye Iljaz Pashë Dibrën, programi politik ishte hartuar nga ideologët e mëdhenj të kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri etj.

Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për gjithë kombin shqiptar:

1.E para dhe më kryesorja ishte kundërshtimi i copëtimit të trojeve etnike të baniara nga shqiptarë.

2.Të bashkonte të gjithë trojet shqiptare në një vilajet të vetëm.

3.Të dëshmonte për mbarë Europën se Shqipëria ishte një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.

Kuvendi që themeloi “Lidhjen e Prizrenit” përfaqesohej nga 110 delegatë dhe zgjati 5 ditë me diskutime mbi tre pikat e shënuara më lart.

Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm, i cili kryente funksione legjislative. Ky organ krijoi një Komitet Kombëtar i cili morri atributet e një qeverie të përkohshme. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi.

Një ndër ideologët e Lidhjes së Prizrenit mbajti fjalimin që zgjoi fuqishëm ndjenjën e atdhetarizmit për të gjithë shqiptarët:  “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin Pashë Dino, me veprime të shkathëta diplomatike penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë. Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali Pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokolit, të cilat u shkaktuan humbje të rëndë forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me gjak Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.

Me disa fitore rrjeshtë, shqiptarët morën zemër dhe me vendosmëri mbrojtën dhe qytetin e Ulqinit. Por, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha dhe të rrethuar nga trupat malazeze dhe osman, komandanti i Perandorisë Osmane, Dervish Pashai i dha fund qëndresës së shqiptarëve me 26 nëntor 1880, dhe Ulqini u bë pjesë e Malit të Zi. Pas shumë përpjekjeve për rezistëncë në muajin maj të vitit 1881 shumë delegues të Lidhjes së Prizrenit u arrestuan dhe persekutuan. Pas presioneve të vazhdueshme nga Fuqitë e Mëdha dhe Porta e Lartë shtypën Lidhjen e Prizrenit.

Ndonëse nuk arritën të mbronin plotësisht territoret shqiptare, patriotët shqiptarë, me Lidhjen e Prizrenit, ia dolën të bënin bashkimin shpirtëror të kombit.

(R.L/Dosja.al)

Shto Koment